Disidenti
egjiptian, Muhamed El Baradei, tha se presidenti Hosni Mubarak duhet
të largohet “sot”, për t’i lëshuar udhën një qeverie të unitetit
kombëtar.
Laureati i Çmimit Nobel tha për CNN-in se “Mubarak duhet të ikë, të
pasohet nga një tranzicion i qetë dhe të merren të gjitha masat e
caktuara për zgjedhje të lira dhe të drejta”.
El Baradei, ish-udhëheqës i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji
Atomike, është kthyer nga Vjena në Egjipt, “për të ndihmuar vendin
drejt tranzicionit politik, nëse një gjë e tillë i kërkohet ta bëjë”.
Organizata opozitare “Vëllazëria myslimane” ka kumtuar se do ta
mbështesë El Baradein si negociator në regjimin e trazuar të Mubarakut.
Protestat në Egjipt kanë vazhduar dhe sot, ndërsa Perëndimi dhe SHBA-të kanë përsëritur thirrjet për përmbajtje nga dhuna.
Turqia kërkon nga qytetarët e saj që ta braktisin Egjiptin
Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Turqia u bëri thirrje qytetarëve të
saj të braktisin Egjiptin pasi gjendja atje është me rrezikshmëri të
lartë. Lajmi njoftohet nga agjencia turke e lajmeve,
Anadoll sipas së cilës për të realizuar tërheqjen e qytetarëve të saj
nga Egjipti, Ankaraja vendosi dërgimin e dy avionëve pasagjerësh për
largimin e tyre të menjëhershëm.
(Rel / Tch)