Ramadan Ramadani vazhdon të ligjërojë të premteve në xhaminë “Isa
Beu” në Shkup, edhe përkundër vendimit të gjykatës themelore Shkupi 2,
që ai të largohet nga kjo xhami.
I kontaktuar nga TV ALB Ramadani thotë se vazhdon të kryejë detyrën e
ligjëruesit në xhaminë “Isa Beu” pasi pret vendimin e gjykatës së
Apelit ku edhe është ankuar pas shqiptimit të vendimit të Gjykatës
Themelore Shkupi 2.
Nga Myftinia e Shkupit janë në pritje të vendimit të gjykatës së
Apelit, nga e cila presin zgjidhje përfundimtare të ndërhyrjes ilegale
të Ramadanit në “Isa Beu”. Myftiu Ibrahim Shabani thotë se me
konfirmimin e vendimit paraprak do të kërkojnë largimin e Ramadan
Ramadanit nga xhamia.
“Ne presim për momentin që Gjykata e Apelit po ashtu të verifikojë
vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit 2 dhe që ky vendim të bëhet i
plotfuqishëm. Me bërjen e vendimit të plotë fuqishëm me siguri atëherë
Bashkësia Islame, Myftinia e Shkupit do të ndërmerr masa juridike,
procedurale që i njëjti person të largohet apo të shpuret nga xhamia e
cila është pronë e bashkësisë islame dhe e myftinisë së Shkupit, nëse ka
nevojë edhe atë procedurën e dhunshme të largohet nga xhamia”, Ibrahim
Shabani, myfti i Shkupit.
Bashkësia Islame është e vendosur të vendos rregull në këtë objekt
fetar, ku vetëm para disa muajve, përfaqësues të saj u sulmuan nga
përkrahësit e Ramadanit. Myftinia e Shkupit ka paralajmëruar se
menjëherë pas largimit të imamit jolegal, do të shpallë konkurs publik
për një imam të ri.
“Do të shpallim konkurs, do të ketë dhe do të shohim kush do ti
plotësoje kushtet e një teologu apo një hatibit, imamit, vaizit i cili
do ta kryeje detyrën. Ajo është procedurë e pastajshme”, tha Ibrahim
Shabani, myfti i Shkupit.
Myftinia e Shkupit vitin që shkoi kishte paditur Ramadan Ramadanin
për uzurpim të xhamisë “Isa Beu”, duke mos lejuar që Myftinia e Shkupit
të kryejë detyrat e saj brenda kësaj xhamie. Më 1 dhjetor të vitit 2010,
Gjykata Shkupi 2 shpalli fajtor Ramadan Ramadanin për prishje të rendit
dhe shkelje të normave juridike, duke urdhëruar që ai të largohet nga
xhamia “Isa Beu” brenda 8 ditëve.
(TV Alb)