“Sa të shëndoshë kanë vdekur pa sëmundje, sa të sëmurë kanë jetuar gjate
Allahu i krijoi krijesat për ta adhuruar Atë dhe i detyroi ata me adhurime të ndryshme shpirtërore, trupore si dhe me pasuri. Nga adhurimet më të rëndësishme trupore Ai subhanehu ue teala, bëri namazin, duke e bërë atë si lidhjen më të fort mes robit dhe Krijuesit, me të njeriu e ripërtërin besatimin që i ka dhënë Krijuesit, afrohet tek Ai dhe pastrohet prej mëkateve, si dhe kërkon prej të mirave të dynjasë dhe ahiretit.
Ky adhurim dallohet nga adhurimet e tjera, ngase është i vazhdueshëm, çdo ditë nga pesë herë, për çdo musliman dhe muslimane të moshërritur, që nuk ndërpritet deri në vdekje dhe nuk arsyetohet askush për lënien e tij, edhe nëse është në shtratin e vdekjes. Allahu thotë në librin e Tij fisnik:
“Vazhdoni rregullisht namazet, edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni respektues”. Bekare, 238. Gjithashtu thotë:
“Faleni namazin dhe jepni zekatin.”Bekare, 110.Gjithashtu edhe i Dërguari jonë në shumë hadithe na bën me dije për detyrueshmërinë dhe vlerën e namazit, ku e ka renditur menjëherë mbas shehadetit, siç ka thënë:
“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk meriton askush tjetër të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit”. Buhariu, Muslimi.Allahu i Madhëruar e ka lidhur shpëtimin dhe hyrjen në Xhenet me namaz, siç thotë në fillim të sures Muëminun:
“Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”, si dhe në ajetin tjetër:
“...dhe ata që i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre. Të tillët janë mu ata trashëgimtarët, të cilët e trashëgojnë Firdeusin dhe aty ata janë përgjithmonë”.Komentuesit e Kuranit si Ibën Kethiri, Shevkani, Sa’di, e të tjerë thonë se ky ajet ka si qëllim shpëtimin nga zjarri i xhehenemit dhe fitimin e xhenetit.
Dijetari i njohur Abdurrahman Sa’di thotë duke na shpjeguar të përulurit në namaz, se ai nënkupton të kryerit e namazit me zemër të përqendruar, duke e ndjerë afërsinë e Krijuesit duke iu qetësuar zemra dhe shpirti dhe i ndalen lëvizjet në shenjë edukate në raport me Zotin e Gjithësisë, duke qenë i përqendruar në atë që thotë dhe vepron në namazin e tij prej fillimit e deri në mbarim, kështu duke i larguar vesveset dhe mendimet e kota e ky është shpirti i namazit dhe qëllimi i tij, se namazi pa përkushtim dhe pa praninë e zemrës, edhe pse shpërblehet ai është i mangët.
Nuk ka dyshim që shejtani është armiku më i hidhur i njeriut, ai çdo herë mundohet ta shqetësojë besimtarin. Porsa njeriu fillon të falet, papritmas mendjen e tij e gëlltisin kujtimet, problemet, mërzitë, puna dhe familja .
Ndodh që të pushtohet aq shumë, saqë në vetvete ai s’e ka fare idenë se ku gjendet dhe çfarë është duke bërë. Namazi i tij shndërrohet në një seri lëvizjesh automatike dhe shpeshherë e gjen veten të habitur, duke u menduar a i ka falur tre rekate apo katër, kështu shejtani e vjedh namazin e tij. Pejgamberi alejhi salatu ue selam në një rast ka thënë: se vetëm një pjesë e vogël e namazit, ndoshta një e dhjeta apo një e teta pranohet tek Allahu. Pjesa tjetër humbet për shkak të pëshpëritjeve të shejtanit.
Sureja Maun tregon gjithashtu për moskujdesin ndaj namazit. Duke na tërhequr vërejtjen në këtë ajet kuranor thuhet:
“Pra, shkatërrim është për ata që falen, që ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.” Maun 4, 5.Besimtari është i pakujdesshëm ndaj namazit të tij, atëherë kur e vonon atë deri në minutën e fundit, ose kur nuk përqendrohet plotësisht në atë që është duke bërë apo duke thënë.
Nuk ka dyshim se vlera e namazit është shumë e madhe, e kjo shihet edhe nga fakti se ai është prej veprave më të mira dhe më të dashura tek Allahu i Lartësuar, që e afron robin dhe e ngre në shkallë të larta tek Allahu, siç ka marrë përgjigje sahabiu i njohur Theubani radijallahu anhu, kur e ka pyetur Pejgamberin alejhi salatu ue selam, se cila vepër të shpie më shumë në xhenet, ndërsa ai iu përgjigj:
“Të porosis me të shumta për Allahun, sepse për çdo që bën, ty të shkruhet një e mirë dhe të fshihet një e keqe.” Muslimi.Namazi është mburojë kundër të keqes, siç thotë Allahu në Kuran:
“Fale namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat.” Ankebut, 45.
Nëse njeriu e sjell vazhdimisht ndër mend, se pesë herë në ditë duhet të qëndrojë në sexhaden e tij, duke iu drejtuar Allahut kjo do ta parandalojë atë në kryerjen e gjynaheve, që shejtani e ka inkurajuar t’i bëjë. Nëse namazi kryhet rregullisht në kohën e caktuar do t’i sigurojë rehati, si dhe fuqi për tejkalimin e telasheve, sepse në zemrën e tij mbillet ndjenja, se është nën mbikëqyrjen Allahut, i kujdesshëm ndaj kohëve të namazit në kohën e vet, e mposht epshin dhe dembelizmin duke e nxitur në vepra të mira dhe duke u larguar nga veprat e këqija.
Muslimani pasi ta kuptojë vlerën dhe peshën e namazit, a ka krim më të madh se lënia e namazit dhe shembja e shtyllës së Islamit? Prandaj kanë ardhur edhe ajete e hadithe kërcënuese për atë që e len pas dore, siç thotë i Dërguari i Allahut:
“Vërtet midis njeriut besimtar dhe mosbesimit është lënia e namazit.” Muslimi.Muhamedi salaAllahu alejhi ue selem në një hadith sahih ka thënë:
“Gjëja e parë që do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse namazi është në rregull, të gjitha veprat e tjera të tij do të jenë në rregull, nëse namazi i tij nuk është në rregull, të gjitha veprat e tjera nuk do të jenë në rregull.”Allahu në Kuranin Famëlartë tregon për një dialog interesant, që do të ndodhë në Ditën e Gjykimit. Besimtarët do t’i pyesin banorët e xhehenemit:
“Çfarë u solli juve në Sekar (xhehenem)? Ata thonë: Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin, si dhe nuk kemi qenë që ushqenim të varfrit dhe kemi qenë që përziheshim me të tjerët në punë të kota. Dhe kemi qenë që nuk e besonim Ditën e Gjykimit. Derisa na erdhi vdekja.” Mudethir 42-47.
Pendohu, o lënës i namazit para se të arrijë vdekja befas, siç thotë edhe një poet:
“Sa të shëndoshë kanë vdekur pa sëmundje, sa të sëmurë kanë jetuar gjatë...”postuar nga Subhan'Allah