(Shtypi i huaj në lidhje me ngjarjet në Egjipt) E përditshmja Independent vazhdon ta mbajë në qendër të vëmendjes situatën në Egjipt.
Duke botuar në faqen e parë një fotografi të Sheshit Tahrir, më të zbrazur tashmë, gazeta shtron pyetjen nëse revolucionit potencial për t’i dhënë fund regjimit 30 vjeçar të Mubarakut, ‘po i bien bateritë’?
Në gazetën Guardian ndërkohë, korrespondenti nga Egjipti thotë se tani çështja kryesore është ajo nëse reformat e thella mund të bëhen pa largimin e menjëhershëm të presidentit Mubarak.
“Nuk është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë tani,” shkruan ai dhe shton se sistemi politik “sklerotik” duhet të ndryshojë.
Times shkruan se ndryshimet në qeveri nuk janë të mjaftueshme për protestuesit.
Duke cituar njërin prej personave që tani po paraqitet si zëdhënësi de facto i protestuesve, gazeta shkruan se ata kanë dyshime për bisedimet që po zhvillohen mes zëvendsëpresidentit të ri dhe përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike.
“Ata jo domosdoshmërisht përfaqësojnë popullin e sheshit…Qëndrimi ynë është se Mubarak duhet të largohet. Ata po përpiqen të fitojnë kohë,” i ka deklaruar gazetës Ahmed Naguib, i cili nuk është larguar nga sheshi nga frika se mund të arrestohet apo madje dhe të vritet nga regjimi.
Rajoni në ankth
E përditshmja Financial Times i kushton një faqe të plotë zhvillimeve në Egjipt dhe në vendet fqinjë.
Dhe kjo gazetë nënvizon faktin se premtimet për reforma në Egjipt janë pritur me pesimizëm në vend.
“Vëllazëria Myslimane dhe grupe të tjera opozitare kanë shprehur skepticizëm për angazhimin e qeverisë egjiptiane për reforma një ditë pas një takimi të paprecedent me zëvendëspresidentin e ri të vendit,” shkruan gazeta.
Në një artikull tjetër, Ft shkruan se Arabia Saudite po ndjek me ankth valën e zemërimit rinor që po përfshin rajonin.
“Që nga koha kur Egjipti, vendi më i populluar arab pasoi Tunizinë me protestat masive për të kërkuar largimin e Hosni Mubarakut, çështja që ka shqetësuar fuqitë perëndimore është ajo nëse Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe spiranca e politikës amerikane në Lindjen e Mesme, mund të përballej me një lëvizje të ngjashme,” shkruan gazeta.
“Analistët thonë se edhe pse Arabia Saudite me një popullatë me prejardhje të ndryshme fisnore , sektesh dhe klasash, muna ta ketë të vështirë të bashkohet rreth një qëllimi të vetëm, dhe familja mbretërore është parë prej kohësh si faktor bashkues, asgjë nuk është e sigurt pas kryengritjeve në Tunizi dhe Egjipt,” shton ajo.
Depresioni ‘i lindur’
Në një zhvillim larg politikës, Daily Telegraph shkruan se një studim i fundit shkencor ka arritur në përfundimin se shumë prej nesh lindin pesimistë.
Studimi sipas gazetës ka arritur në prëfundimin se niveli i lëndëve kimike në trurin tonë ndikon në mënyrën se si e shohim botën.
“Ata që kanë nivele më të ulta të një molekule që quhet neuropeptide janë më negativë, e kanë më të vështirë që të përballojnë situatat stresante dhe janë më të prirur ndaj depresionit”, shkruan gazeta./BBC/