Behxhet Jashari
Të flasësh për disa aspekte të jetës së Profetit të fundit të Allahut (Muhammedit s.a.v.s.), do të thotë të shkruash ose të flasësh për një njeri që kishte karakter Hyjnor. Të shkruash për një njeri që jetoi në shkretëtirën e Arabisë nga mësimet dhe këshillat e të cilit lindi një qytetërim fascinant… Së pari duhet të përmendim se në analet e historisë njerëzore zënë vend shumë personalitete të njohur botëror, si; themelues të shteteve, udhëheqës revolucionar, politikanë, filozofë, liderë materialistë, reformatorë, edukatorë të ndryshëm religjioz …etj.
Të gjithë ata në një farë mënyre dalloheshin për nga shkathtësitë, mendimet, oratoria dhe besimi të cilin e kishin. Koha dhe historia treguan se çka në të vërtetë vepruan ata dhe ku ishte mbështetja e aktiviteteve te tyre.
Nëse vështrojmë rreth aktiviteteve të disa mendimtarëve dhe
udhëheqësve religjioz të Lindjes, do të shohim se të gjithë ata u humbën në labirintin e jetës dhe kaosit shpirtëror. Nëse ndonjëri prej tyre i kushtonte rëndësi vetëm njërit aspekt të jetës dhe qenies njerëzore, atëherë anën tjetër e braktiste plotësisht. Ashtu ndodhi me filozofinë pesimiste të Budës dhe Lao Cesë [1]. Këta dy pothuajse asgjë më konkret nuk i ofruan njerëzimit me subjektivizmin e tyre, me sensivitetin e trilluar, me përbuzjen e botës dhe të çdo gjëje në të. Në Lindjen e religjioneve dhe rrymave të ndryshme filozofike religjioze do të takojmë Zoroastrin i cili ballafaqohet me jetën, më atë që mbante qëndrim të qartë dhe që ishte optimist ndaj botës, ndërkaq Buda largohet nga ballafaqimi me këtë botë, sepse ai në botë sheh errësirë dhe është pesimist [2]. Kështu pra, Zoroastri ishte pasues i zjarrit të ndezur, ndërkaq Buda kërkues i zjarrit të shuar, të cilin e quajti Nirva¬na[3] .
Të gjitha këto besime – filozofi të këtyre religjione¬ve, nga
pasuesit e tyre kërkuan që ta braktisin këtë botë dhe të largohen nga organizimi i jetës dhe i rendit shoqëror. Thirrësit e këtyre besimeve dhe ideologjive më në fund dolën kundërproduktivë dhe nuk dhanë rezultate, përpjekja e Budës nuk pati sukses. Shkollat e meditimit të tyre të gabuar pushtuan grupe njerëzish dhe i orientuan në një drejtim krejtësisht të devijuar, ashtu siç bëri disa shekuj më vonë edhe krishterimi (por jo edhe Isai a.s.).
Muhammedi s.a.v.s. simbol i paqes
Në personalitetin e Muhammedit s.a.v.s u gërshetuan një varg
karakteristikash pozitive nga të cilat njerëzimi mori mësime. Shikuar nga aspekti i karakterit, disa mendimtarë (Ali Sheriati, Alija Izetbegoviq, etj.) pohojnë se personaliteti i Muhammedit s.a.v.s. është një kombinim ndërmjet Musait a.s. dhe Isait a.s.
Nëse në personalitetin e Isait a. s. do të shohim se porosia e tij drejtuar ekzekutuesve romakë dhe ushtarëve të egër të Qesarit është: “Lani gjakun nga shpatat tuaja në bregun e detit të dashurisë, mos vritni, por dashuroni!”, e në atë të Musait a.s. do të vërejmë manifestimin e tërbimit kur në grindjen ndërmjet një kopti dhe një hebreu ai (Musai) hidhërohet aq shumë sa që del në skenë dhe e eliminon nga jeta koptin, në karakterin e Muhammedit s.a.v.s. do të mund të
vërejmë pothuajse dy aspektet.
Se vërtetë Muhammedi s.a.v.s. është simbol i paqes flasin edhe mjaft ndodhi që drejtpërdrejtë ndërlidhen me te. Historia e shënoi rastin kur ai në kulmin e fuqisë dhe fitores së tij, në momentet kur ai dhe sahabëte tij ngadhënjimtarë hynë në qytetin e bekuar të Mekkes, në qytetin ku ai dhe sahabët e tij për-jetuan torturat më të mëdha nga idhujtarët mekkas, Mu¬hammedi s.a.v.s., ndonëse i fuqishëm, me mëshirën, mirësi¬në,butësinë, tolerancën, fisnikërinë dhe humanitetin e tij, qëndroi para Qabes duke thënë fjalët të cilat historia i shënoi me shkronja të arta, e të cilat njëkohësisht shprehnin dhe simbolizonin shpirtin e paqes:
“Ç’mendoni, ç’do të bëj me ju…? Shkoni, të gjithë jeni të lirë!”[4]
Si çdoherë edhe në këto momente Muhammedi a.s. tregoi mirësinë dhe zemërgjerësinë e tij të ngrohtë paqësore, duke i thënë fjalët mahnitëse,që burimin e ki¬shin në edukatën kur’anore. Pra, edhe në momentet kur të gjithë ishin duke pritur hakmarrjen, ku me mijëra shpata pritnin vetëm urdhrin e tij, ai tregoi humanitetin dhe buja¬rinë e tij pejgamberike.
Muhammedi s.a.v.s. simbol i mëshirës
Mëshira e Muhammedit s.a.v.s. është një nga virtytet e larta të tij. Mëshira e tij manifestohet edhe atëherë kur tek ai vërejmë:
- se nuk dëshironte të ngriheshin në këmbë shokët e tij, kur ai hynte në ndonjë mexhlis.
- se nuk dëshironte që të tjerët t’ia shënonin vendin ku të ulet.
- se vlerësonte dhe i respektonte mendimet e të tjerëve.
- se nuk ia ndërprente kujt fjalën gjatë bisedës.
- mirënjohjen dhe kurrë nuk i harronte të mirat që ndokush ia kishte bërë.
- se e kishte bërë zakon t’i vizitonte të sëmurët, pa da¬llim se ishin muslimanë apo jo, të varfër ose të pasur.
- njeriun i cili bashkëluftëtarëve të vet u ofron drunj të ndezin zjarr dhe të përgatisin ushqim;
- atë, të cilit i rrëqethet trupi kur sheh kafshën e stërngarkuar;
- atë, i cili qëndron përpara njerëzve dhe thotë: “Cilin e kam goditur në shpinë, ja ku e ka shpinën time!”
- atë, i cili shokëve të vet një ditë u tha: “Do t’ju vijë Ikrima, i
biri i Ebu Xhehlit, si emigrues musliman. Mos ia shani babanë, sepse
sharja e të vdeku¬rit prek të gjallin dhe nuk arrin deri te i vdekuri.”
- ai, i cili Ikrimen, të birin e Ebu Xhehlit, e përshën¬deti duke i thënë: “Mirë se erdhe kalorës i emigruar.[5] ”
Këtu shohim njeriun në trajtën më të ndritshme, më të pastër dhe më të lartësuar. Shohim njeriun me cilësi të përsosura madhështore, virtyte të pastra hyjnore…
Muhammedi s.a.v.s. simbol i tolerancës
Aty ku manifestohet toleranca profetike[6] , aty ku historia mahnitet nga sjellja e një njeriu me karakter Hyjnor dhe aty ku zëri i tolerancës mbulon (dhe ua fal) krimin, pikërisht aty ekziston mishërimi i Qiellores në një personalitet i cili dinte t’iu thotë armiqve të tij të dikurshëm se “ua fali të gjithë atyre që bënë krim dhe terror”, se “Kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i lirë dhe i mbrojtur…”. Këtu vjen në shprehje toleranca e vërtetë… Po, ua fali Ebu Sufjanit dhe gruas së tij Hindës, e cila i përtypi mushkëritë e xhaxhait të tij, Hamzës r.a.
Gjithë këtë Muhammedi alejhisselam e bëri pikërisht në ato kohë kur sunduesit e vendeve të tjera nuk dinin asgjë tjetër përpos që kundërshtarëve të vet t’ua hiqnin kokat, ashtu siç edhe sot, në shekullin XXI veprojnë kriminelët e çoroditur.
Po si të mos ishte i këtillë, pasi që Allahu Fuqi¬plotë e edukoi me edukatën e Kur’anit: “E të jeshë i butë ndaj besimtarëve që të pranuan ty.”(Esh-Shuara, 215)
Në dimensionet e tolerancës profetike të Muhammedit s.a.v.s.
gjithashtu bën pjesë edhe akti i përpilimit të kushtetutës së parë në historinë njerëzore, e cila u shkrua në Medine. Kjo kushtetutë u nënshkrua nga pala myslimane në krye me Muhammedin s.a.v.s. dhe pala jomyslimane (ku bënin pjesë idhujtarët dhe hebrenjtë e Medines)[7] . Kjo marrëveshje në një aspekt edhe ishte shprehje e pushtetit politik, të cilin (i Dërguari s.a.v.s.) filloi t’a ushtrojë në cilësinë e kryetarit të Shtetit islam[8] , madje me përpilimin e kushtetutës – “me formimin e Shtetit islam në Medine, në personalitetin e Muhammedit a.s. u mishëruan edhe disa cilësi, midis tjerave edhe cilësia e të Dërguarit (komunikuesit nga Allahu), si dhe cilësia e gjykatësit të njerëzve.
Kështu që tek ai u bashkuan pushteti ekzekutiv dhe ai ligjdhënës, bashkë me atë që ua transmetoi njerëzve nga feja e Allahut në cilësinë e tij si i Dërguar nga Allahu”[9] .
Konkluzion
I Dërguari s.a.v.s. e filloi punën e vet për ngri¬tjen e njerëzimit nga niveli që s’e arriti para tij asnjë i dërguar, reformator ose edukues[10] . Muhammedi a.s. ishte roli kryesor, qendra e udhë¬zimit dhe boshti i ndërlidhjes shpirtërore dhe drejtimit ideor të ummetit, pikërisht ashtu siç ishte qendër edhe gjatë formimit të el-Medinetul-nebijj[11] … Përderisa sahabët (me këshillat e Muhammedit a.s.) u formuan si njerëz dhe si bashkë¬si e vërtetë universale dhe tolerante, nga ana tjetër e his¬torisë do të vërejmë se “hebrenjtë, të cilët para se të bëheshin bashkësi fetare ishin bashkësi nacionale, dhe veten e konsideronin si njerëz të zgjedhur nga Zoti.”[12]
Në Islam nuk është ashtu. Muhammedi Alejhisselam thoshte se “të gjithë njerëzit janë bijtë e Ademit”, “S’ka supe¬rioritet të arabëve kundrejt joarabëve…” etj.
Literatura e konsultuar:
1. SHERIATI, dr. Ali, “Shembëlltyra e Muhammedit”, Zehra, Sarajevë, 1991.
2. EL-MUBAREKFURI, Sefijjurrahman, “Nektari i vulosur i xhenetit”, Urtësia, 1997, Shkup.
3. GAVOÇI,Vehbi Sulejman, “Pejgamberi Muhammedi a.s. – jeta dhe vepra”, Furkan, 1994, Shkup.
4. ALIU, Bashkim, “Muhammedi alejhisselam pishtari ndriçues”, Furkan ISM, 2000, Shkup.
5. HALID, Muhammed Halid, ‘Humaniteti i Muhammedit a.s.’. Ilmije, Shkup, 1990.
6. El-HUFI, Ahmed Muhammed, “Toleranca islame”, Dituria islame, pa vit botimi, Prishtinë.
7. HAMIDULLAH, Dr. Muhammed, ‘Muhammed a.s.-Život’, botimi i dytë, Zagreb, 1983, vëll. I.
8. ABDULHAMID A. Ebu Sulejman, “Drejt një teorie për marrëdhëniet ndërkombëtare”, Logos/A, Shkup, 1998.
9. ZEJDAN, Abdulkerim, ‘Individi dhe shteti në Sheriatin islam’, Drita, 1994, Shkup.
10. EN-NEDVIJ, Ebi El-Hasan Alijj El-Hasenij, ‘Dy pasqyrime të kundërta
midis sunnitëve dhe shi’itëve imamitë’, Furkan, 1993, Tetovë.
11. NAKAVI, Ali Muhammed, ‘Islami dhe nacionalizmi’, Rumi, 1994, Tetovë.
12. KAR¬ÇIQ, Mr. Fikret, ‘Historia e së drejtës së sheriatit’, Prizren, 1994.
13. MORINA, M-r. Qemajl, “Diplomacia islame në dritën e mesazheve të Pejgamberit a.s.” ‘Dituria islame’ nr. 60/1994.
14. Përmbledhje punimesh, Fakulteti i shkencave islame, Shkup, 2002, viti I, nr. 1.
Referencat:
[1] SHERIATI, dr. Ali, “Shembëlltyra e Muhammedit”, Zehra, Sarajevë, 1991, f. 10-11.
[2] Po aty, “Shembëlltyra e Muhammedit”, f. 14.
[3] Po aty, “Shembëlltyra e Muhammedit”, f. 11.
[4] Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, “Nektari i vulosur i xhenetit”,
Urtësia, 1997, Shkup, f. 436, Vehbi Sulejman Gavoçi, “Pejgamberi
Muhammedi a.s. – jeta dhe vepra”, Furkan, 1994, Shkup, f. 280 dhe ALIU,
Bashkim, “Muhammedi alejhisselam pishtari ndriçues”, Furkan ISM, 2000,
Shkup, f. 380.
[5] HALID, Muhammed Halid, ‘Humaniteti i Muhammedit a.s.’. Ilmije,
Shkup, 1990, f. 27 e më tej. Për ardhjen e Ikrimes në Mekë flet shih
edhe: Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, “Nektari i vulosur i xhenetit”,
Urtësia, 1997, Shkup, f. 438.
[6] Në lidhje me tolerancën e Muhammedit s.a.v.s. shih edhe: El-HUFI,
Ahmed Muhammed, “Toleranca islame”, Dituria islame, pa vit botimi,
Prishtinë, f. 25 e më tej.
[7] HAMIDULLAH, Dr. Muhammed, ‘Muhammed a.s.-Život’, botimi i dytë,
Zagreb, 1983, vëll. I, f. 175-177. Në lidhje me Kushtetutën e Medines
(Paktin e Medines/Sahifet-ul Medine) shih edhe: Abdulhamid A. Ebu
Sulejman, “Drejt një teorie për marrëdhëniet ndërkombëtare”, Logos/A,
Shkup, 1998, f. 50 dhe f. 110-111.
[8] ZEJDAN, Abdulkerim, ‘Individi dhe shteti në Sheriatin islam’, Drita,
1994, Shkup, f. 14, po ashtu shih: ‘Siretu Ibni Hisham’, vëll. II, f.
119.
[9] ZEJDAN, Abdulkerim, f. 15.
[10] EN-NEDVIJ, Ebi El-Hasan Alijj El-Hasenij, ‘Dy pasqyrime të kundërta
midis sunnitëve dhe shi’itëve imamitë’, Furkan, 1993, Tetovë, f. 29.
[11] Për qytetet (Poliset apo el-medinetu el-fadila), gjerësisht shih:
Mr. Rejhan Neziri, “Idetë socio-politike të Farabiut”, në Përmbledhje
punimesh, Fakulteti i shkencave islame, Shkup, 2002, viti I, nr. 1, f.
93-114.
[12] NAKAVI, Ali Muhammed, ‘Islami dhe nacionalizmi’, Rumi, 1994, Tetovë, f. 78-79.