Nuk ka qenë e rrallë në shekujt e parë të Islamit që të vijë deri te
diskutimet shkencore ndërmjet intelektualëve islamë dhe joislamë. Një diskutim
të tillë me një rast i filloi sunduesi bizantin, pikërisht në kohën e Ebu
Hanifes, duke e dërguar intelektualin e tij më të madh në qytetin e Kufes me tri
pyetje.
Halifi i atëhershëm iu ofroi dijetarëve të famshëm islamë që të hyjnë në
diskutim me të deleguarin bizantin, por ata ngurruan ta marrin këtë hap. I vetmi
që e pranoi këtë sfidë ishte Ebu Hanife.
Përndryshe, diskutimet ishin publike dhe në to kanë marrë pjesë shumë
kureshtarë. Kur Imam Ebu Hanife hyri në sallë për paraparë për dialog, e pa që
dijetari bizantin ishte i ulur në një lloj minberi, të paraparë vetëm për njerëz
të mëdhenj.
Ebu Hanife iu afrua dhe e pyeti: - A ju keni ardhur të pyesni?
- Ai iu përgjigj: Po!
Atëherë Ebu Hanife i tha të zbresë nga ai vend, sepse vendi është i paraparë
për ata nga të cilët kërkohet zgjidhje dhe përgjigje, e jo për ata të cilët
pyesin! Bizantinasi, pa koment, e pranoi vërejtjen dhe kur Ebu Hanife u ulë në
këtë vend, e ftoi që të fillojë me pyetjen e parë:
- Ç’ka ekzistuar para Zotit?!- ishte pyetja e dijetarit bizantin.
Ebu Hanife në vend të përgjigjes, e pyet: - A merrni vesh ju sadopak në
matematikë?!
Ai, i habitur, u përgjigj: - Gjithsesi që marr vesh!
Ebu Hanife sërish e pyeti: A ka ndonjë numër para numrit një?
Bizantini u përgjigj: Jo. Ai është i pari dhe para tij nuk ka asgjë.
Vetëm atëherë Ebu Hanife iu përgjigj: Kur para numrit një nuk ka asgjë, e si
të ketë diç para Një, të Vetmit Allah!
Atëherë ai e shtroi pyetjen e dytë: Ku gjendet Zoti, në cilin vend dhe në
cilën anë?
Ebu Hanife sërish e pyeti: - Më thoni ju, kur e ndizni qiriun, në cilën anë
ai e hedhë dritën?
Bizantini u përgjigj: - Në të gjitha anët barabartë!
Ebu Hanife atëherë iu përgjigj: - Kur në rastin e qiriut, të cilën e ka
sajuar robi i ngratë e Allahut, nuk mund ta përcaktoni anën në të cilën qiriu e
hedhë dritën, si atëherë, këtë mund ta bëni me Krijuesin e qiellit, Tokës dhe
çdo gjëje që e ka krijuar Ai!
Pas kësaj përfaqësuesi bizantin kaloi edhe në pyetjen e tretë, e cila
ishte:
- Ç’punon Zoti aktualisht, në këtë çast?
Ebu Hanife iu përgjigj qetësisht:
- I zbret nga minberi dhe i nënçmon jobesimtarët siç jeni Ju, kurse e ngre
lart autoritetin e besimtarëve, siç jam unë.
Pas kësaj dijetari bizantin i mblodhi gjësendet e tij dhe i humbur u kthye në
atdheun e tij.
Burim Sherifi