Presidenti i mposhtur egjiptian, Hosni Mubarak, i cili gjendet në paraburgim për shkak të akuzës për korrupsion, keqpërdorim të pushtetit dhe dhunë, mund të dënohet me burg të përjetshëm apo me vdekje nëse shpallet fajtor për shkak të dhënies së urdhrave për vrasjen e demonstruesve, publikoi të premten gazeta “Al-Aram”.
Kryetari i Gjykatës së Apelit në Kajro, Zakaria Shalash, deklaroi se Mubarak mund të përballet me dënim me vdekje dhe se pret që gjykimi të zgjat të paktën një vit. Gjykata Mubarakut dhe djemve të tij, Ali dhe Gamal, ua caktoi të mërkurën paraburgim 15-ditor, ndërsa prokuroria inicioi hetim për dhunën ndaj demonstruesve, gjatë kohës të protestave, të cilat e detyruan presidentin egjiptian ta braktisë pushtetin më 11 shkurt. Shalash theksoi se dëshmimi i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Habib Al Adli, i cili gjithashtu është akuzuar për dhënie të urdhrave për vrasjen e demonstruesve, mund Mubarakun ta bëjë bashkëpjesëmarrës nëse dëshmohet.
Adli konfirmoi se ish-lideri ka kërkuar nga ai ta përdorë forcën kundër demonstruesve. “Nëse dëshmohet, Mubaraku do të dënohet me dënimin e njëjtë si personi i cili e ka kryer sulmin, dhe ky dënim do të mund të jetë edhe ekzekutim, nëse konfirmohet se demonstruesit e qetë janë vrarë me paramendim”, sqaroi Shalash.
Mubaraku të martën gjatë marrjes në pyetje nga prokuroi publik ka përjetuar sulm në zemër dhe prej atëherë gjendet në spital në Sharm el Sheik, ndërsa djemtë e tij gjenden në burg në Kajro