Dimrat e ashpër dhe verat me vapë shpesh bëjnë që rrjeta të mbijetojë merimangën. E lodh dimri apo vapa, ndërsa rrjeta mbet duke lodhur ata për vdekjen e të cilëve është thurrur. Vdekja e insekteve të pafuqishme pas vdekjes së merimangës është e kotë, sepse ajo asnjëherë nuk do të ushqehet me atë që ka zënë rrjeta e saj e boshatisur.
Ngjajshëm ndodh edhe me njeriun dhe jetën e tij. Sa ka të tillë që pas veti lënë rrjetën e të këqijave, në kurthat e të cilëve njerëzit vazhdojnë të bien pas vdekjes së tyre.
Autori i humbjes vdes, por pas tij mbet rrjeta e hapur e humbjes së tij, që njerëzit i sjell në dëm dhe largon nga rruga e vërtetë.
Kështu autorët e humbjes shkojnë nga kjo botë duke mos parë triumfin e fatkeqësisë personale tek njerëzit. Lënë pas vetit veprat e këqija që mbijetojnë vepërbërësin, dhe përderisa njerëzit bëjnë keq, rrjeta e tyre korr frutat e të keqes.
Në fenë tonë, në hadithin fisnik të Pejgamberit tonë të dashur, Muhammedit s.a.v.s. kemi mësuar që për besimtarin ekzistojnë shanset që veprat e tij të mbijetojnë. Nga këto vepra janë:
- Lëmosha rrjedhëse;
- Dituria me të cilën shërbehen njerëzit pas vdekjes së tij;
- Fëmiu i edukuar mirë i cili lutet për prindin e tij.
Kur lë lëmoshën e përhershme, përderisa njerëzit shërbehen me të mirën që ke lënë, të rrjedh shpërblim dhe vepra yte ka mbijetuar për të mirë.
Kur lë dituri që është dritë për njerëzit, e cila i udhëheq në mirësi dhe prosperitet, kjo dituri për ty realizon shpërblim edhe atëherë kur kalon nga kjo botë.
Fëmiu i edukuar mirë është lutja jote e gjallë. Nëse e ke udhëzuar në rrugë të drejtë për ta njohur Allahun e madhërishëm, dhe që të lutet pas vdekjes sate për ty, lutja yte ka mbijetuar. Nëse dëshiron që pasardhësit tu të luten për ty, duhet të lutesh për prindërit tu.
Në anën tjetër, ekzistojnë edhe ata që pas vetit lënë farën e keqe në trashëgim. Këta janë ata që pas vetit lënë mëkatin rrjedhës. Mu sikur që rrjeta mbyt insektet pas vdekjes së merimangës, kështu edhe mëkatet e lëna trashëgim njerëzve, mbysin ata që u ka lënë. Për këtë disa dijetarë islam kanë thënë:
“I lumi ai që kur vdes, vdesin edhe mëkatet e tij.”
Ai që pas vetit ka lënë mëkat që e pasojnë njerëzit, atij i shtohet mëkati i gjithë atyre që i ka sjellë në mëkat, e atyre nuk u zvogëlohet asgjë nga kjo. Dhe sikur që rrjeta e merimangës mbijeton, mos lejo që të mbijetojnë mëkatet tua.
Proverbi afrikan thotë që edhepse rrjeta e merimangës është e dobët, nëse janë shumë sosh të thurrura, mundet edhe luanin ta pengojë.
Nëse një fije tënde të keqes e thurrin fijet e këqija të gjithë atyre që të kanë pasuar ty në të keqen, të mjafton e keqja yte që t’i pengojë të tjerët.