Në atmosferën me aromë imani bëmë këtë takim me musafirin e nderuar dhe me pozitë shumë të madhe në zemrat tona.
-Kush jeni ju?
-Unë jam musafiri juaj, udhëtari, vizituesi juaj i përkohshëm, këshilluesi juaj i sinqertë.
-Si quheni ju, o musafir i nderuar?
-Unë quhem Ramazani, pasardhës i ditëve.
-Sa vjeç jeni?
-Jam përafërsisht 1432 vjeç.
-Prej nga jeni ju?
-Unë jam nga Rrahmani (i Gjithmëshirshmi).
-Ku banoni ju?
-Në zemrat e besimtarëve.
-A keni gjetur ndonjë vështirësi në banim?
-Po, kalova në çdo vend e pranë çdo shtëpie, kërkova banim me çmime më të larta, por fatkeqësisht më refuzuan koprracët, fatligët e të mjerët si dhe ata fytyrëvrenjturit ndaj meje, injorantët, por unë nuk e humba shpresën dhe fillova të gjurmoja për ata të cilët më duan mua nga radhët e besimtarëve të sinqertë e bamirës dhe i gjeta duke më pritur me mall.
-Sa do të qëndroni te ne?
-Ditë të caktuara, 29 apo 30 ditë.
-Cili është profesioni juaj?
-Profesionet e mia janë të shumta, ja disa prej tyre:
1- Agronom: Mbjell imanin (besimin në Zot) në zemra, mbjell dashuri, mirësjellje, bëj tranguj të moralit, e ujis me ujë të pastër dhe jap si fryt devotshmërinë, shpirtdëlirësinë fisnikërinë e bujarinë.
2- Ndërtues: Ndërtoj trupa të fortë, pamje të këndshme dhe shpirtra të pastër.
3- Tregti: Jap shpërblime të mëdha, shlyej mëkatet e kush punon me mua, fiton xhenetin.
4- Mjekësi: Mjekoj trupat dhe shpirtrat sëmurë me agjërim e namaz.
5- Mësime: I mësoj njerëzit që të ndjekin rrugën e drejtë.
-Neve po na shtohet edhe më shumë kureshtja për të biseduar me ju e të dëgjojmë për ju.
-Unë jam muaji i pendimit, muaji i faljes, muaji në të cilin zbriti Kurani Kerim. Unë kam një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Unë i kam shoqëruar baballarët tuaj muslimanë në betejën e Bedrit, në Jermuk, në Hitin dhe u mësova sabrin e qëndrueshmërinë, e fitorja ishte përherë me ta.
-Së fundi, çfarë do të na këshillosh?
-I këshilloj të gjithë muslimanët që të bëjnë sa më shumë ibadet (adhurim), të lexojnë sa më shumë Kuran, t'i bëjnë sa më shumë dua (lutje) Allahut, të bëjnë sa më shumë istigfar (lutje Allahut për falje mëkatesh) e të japin sa më shumë lëmoshë.
-Tani ne të njohim ty shumë mirë dhe e përkujtuam mirësinë tënde të vjetër. Ah, sikur të na shoqërosh tërë jetën, të banosh në zemrat tona e të jetosh me shpirtrat tanë!
Lusim Allahun e Madhëruar që të na ndihmojë të agjërojmë sa më mirë e të falim namaz në këtë muaj sa më mirë!
O Allah, na e prano agjërimin!
O Allah, Ti me të vërtetë e do faljen e ne të lutemi, na fal ne!
O Allah, na ruaj nga zjarri i xhehenemit!
O Allah, fali të gjithë muslimanët, të gjallët e të vdekurit!