Lulzim Basha, kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin" është
kryebashkiaku i ri i Tiranës. Pas numërimit të të gjitha votave të
kontestuara por të vlefshme si dhe bashkëngjitjen e tyre me rezultatin e
tabelës përmbyllëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli mbrëmë
zyrtarisht Lulzim Bashën, fitues të garës së 8 majit për Bashkinë e
Tiranës. KQZ miratoi tabelën përmbledhëse dhe shpalli rezultatin e
zgjedhjeve lokale të 8 majit për Bashkinë e Tiranës, ku kandidati i
koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Basha kryeson me 81 vota. Sipas
tabelës përmbyllëse, Basha, ka marrë në total 124 786 vota, kandidati i
opozitës Edi Rama, ka marrë 124 705 vota gjithsej, ndërsa kandidati i
Partisë Komuniste, Hysni Milloshi arriti të marrë 1394 vota. Sipas
kalkulimit të shifrave nga tabelat përmbledhëse në 485 qendrat e votimit
janë gjetur 250 880 vota të vlefshme. Më parë, KQZ përfundoi procesin e
numërimit të votave për kreun e Bashkisë së Tiranës, Këshillin
Bashkiak, krerët e minibashkive dhe këshillat e njësive bashkiake. Me
një proces më transparentin të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, KQZ në
rolin e një KZAZ-je numëroi në praninë e televizioneve fletët e hedhura
në kutitë e gabuara. Nga numërimi i 125 kutive të votimit rezultoi
fitues kandidati Lulzim Basha me 81 vota avantazh ndaj kandidatit të
opozitës, Edi Rama. Konkretisht, gjatë numërimit të fletëve të
kontestuara, Basha ka marrë 174 vota, ndërsa Rama 83. Ndërkaq, në një
njoftim zyrtar për mediat të dielën, KQZ u shpreh se përmbylli të gjithë
procesin e numërimit në Tiranë. Po gjatë ditës së djeshme, KQZ miratoi
vendimin "Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara për
Kryetarin, Këshillin e Bashkisë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe për
Këshillin e Njësisë Bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur
në kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi në zgjedhjet
e Bashkisë Tiranë të datës 8 maj. Vendimi u mor në bazë të nenit 21,
pika 1, 2 dhe 3, neni 33, shkronja c, neni 117 dhe neni 118 të Kodit
Zgjedhor. Gjatë diskutimit të vendimit për vlerësimin e fletëve të
votimit të pavlerësuara, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në
kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi. Në fjalën e
tij, anëtari i KQZ Klement Zguri tha se, problematika e hedhjes së votës
në kutinë e gabuar është bërë dhe nga komisionerët socialistë, kështu
që kjo është një procedurë e saktë, pasi nuk mund të nxirret e
pavlefashme një votë që shpreh vullnentin e qytetarëve. "Nuk mund të
nxirret e pavleshme, një votë që shpreh vullnetin e qytetarëve. 18. 5.
2011 ka kërkuar se procesi ka pasur një moment se qytetarët në momentin e
hedhjes së votës së tyre kanë ngatërruar kutinë. Pra, PS ju ka bërë me
dije problematikën. Na duhet të njohim trajektoren e kërkesave dhe sot
jemi para një problemi të tillë. Është vendosur një standard, në 2001
kemi numëruar vota për Dushkun, Paskuqanin, Dibrën dhe njësi
administrative në Durrës dhe Tropojë. Është një procedurë, që KQZ e ka
vendosur me mirëkuptim", u shpreh Zguri. Edhe përfaqësuesi i LSI-së në
KQZ, Ylli Manjani, theksoi se veprimi i KQZ për rinumërimin e fletëve të
kontestuara ishte vendimi i duhur, pasi në radhë të parë vjen interesi i
votuesit. "KQZ kishte dy mundesi ose ta injoronte këtë fakt, duke
shkelur barazinë e votës ose të gjente një zgjidhje dhe ju zoti kryetar e
gjetët një zgjidhje pavarësisht se u kundërshtua, vota meriton të
shkojë në destinacionin e duhur. Në radhë të parë, interesi i votuesit",
tha Manjani. Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi
Kosovrasti, theksoi se KQZ vetëm ka bërë të mundur vlerësimin e votave
të qytetarit në bazë të rregullave, pasi ajo ndodhi nga një gabim
njerëzor. Kosovrasti kujtoi rastin e vitit 2009, ku PS ka bëri protesta,
që ajo të shihte votën e saj, ndërsa sot bën të kundërtën.