Modestia
Dr: Shefqet Krasniqi
Islami, është fe e të gjitha shtresave, fe e njerëzve të “mëdhenj” dhe të “vegjël”, e të pasurve dhe e të varfëve, fe e ndërtuar mbi bazat e barazisë, drejtësisë, modestisë etj... E, një nga veçoritë në të cilat thërret islami dhe nxitë me të madhe ithtarët e tij, është edhe modestia, që njeriu të jetë sa më i thjesht, sa më i butë dhe modest ndaj të tjerëve. Islami nuk e përkrahë idenë që dikush të ndihet i privilegjuar e dikush i nënçmuar apo i përulur, dikush i madh e dikush i vogël, e kështu me radhë, sepse ne nuk kemi ardhur në këtë botë të bëhemi “të mëdhenj” ndaj vëllezërve dhe motrave tona e ndaj shoqërisë sonë, por kemi ardhur këtu të bëhemi të mëdhenj në sjellje e virtyte, të bëhemi të mëdhenjë tek Allahu i Lartësuar, sepse në tokë të gjithë jemi të vegjël dhe të barabartë me vëllezërit dhe motrat tona. Bile një nga rrugët për të qenë “i madh” në qiell është edhe modestia pranë njerëzve. Ka thënë Pejgamebri a.s: “Kush bëhet modest (para të tjerëve) për hir të Allahut, ka për ta ngritur atë Allahu”. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëron të Dashurin e Tij, i cili ishte njeriu më i madh që ekzistoi ndonjëherë në botë, njeriu më i privilegjuar në qiell, më i përmenduri dhe më me famë në tokë, njeriu i cili pa asnjë dyshim bëri ndryshimet më të mëdha në rruzullin tokësorë, njeriu i cili la gjurmët e pashlyera përderisa të ekzistojnë qielli e toka, pra,e urdhërojë atë që të jetë sa më modest ndaj besimtarëve: “E të jesh i butë ndaj besimtarëve që të pranuan (pasuan) ty” (Shuara:215). Këtë modesti, Allahu ia bëri edhe virtyt të pandashëm të tij, dhe për këtë arsye, ai a.s, asnjëherë nuk dëshiroi që të jetë mbi shokët e tij e as të dallohet nga ata në asnjë aspekt: ushqim, shtëpi, pasuri, apo kushte të tjera të jetesës, që e bënin atë më të ngritur në të gjitha fushat e jetës. Dhe jo vetëm kaq, por ai, jo rrallë herë u jepte përparësi shokëve të tij edhe në kafshatën e fundit të gojës që kishte, kur ndonjë i varfër vinte te dera dhe kërkonte nga ai lëmoshë. Kur ndonjë beduin (malësorë), vinte në qytet për ta takuar atë, derisa nuk ia prezentonin, ai nuk e njihte cili është Pejgamberi a.s, për shkak të modestisë dhe thjeshtësisë që posedonte, ngase ai nuk dallonte nga shokët e tij në asgjë.
Adij Bin Hatem Ettaiju, ishte një prijës i një fisi i quajtur “Tajj” në Arabinë Qëndrore. Kishte pranuar krishterizmin para ardhjes së Pejgamberit a.s, kurse më vonë, pasi u shpall islami, motra e tij e pranoi islamin dhe ftoi edhe vëllain e saj të bëjë të njëjtën gjë, por ai nuk e bëri këtë para se të takohet me Muhamedin a.s, dhe ta dëgjojë atë me veshët e tij. Adij thotë se: “Një nga gjërat që më shtyri të besoi se ai është profet sapo e takova, ishte edhe ajo se kur arrita në Medinë në xhaminë e tij, nuk e njihja cili është Muhamedi, sepse nuk dallohej nga shokët e tij aspak, e pasi më njoftuan me te, më morri për dore për te shtëpia e tij, por në rrugë i doli një plakë e shtyrë në moshë, e cila filloi ta pyeste gjatë për disa çështje të saj personale, kurse ai, qëndronte pranë saj me një modesti të çuditshme, derisa përfundoi plaka atë që pati. Tha Adiu: “Thash me vete - ky nuk mund të jetë mbretë, sepse mbretërit nuk rrinë në këmbë pranë njerëzve të dobët.” Pastaj tha: “Më morri me vete në shtëpinë e tij dhe kur hymë brenda nuk kishte asgjë në dhomë pos një jastëku për t’u ulur dhe atë ma ofrojë mua që të ulem, dhe filloi të më pyes për gjëra të ndryshme... Thash me vete: “Kështu nuk janë mbretërit, ata ndryshojnë tërësisht nga ky njeri dhe jeta e tij. Ky njeri nuk pretendonte pushtet, pra vërtetë ky qenka profet, andaj edhe nuk hezitova dhe e pranova islamin.” Jo vetëm kaq, por, i Dërguari i Allahut me modestinë e tij, nuk nguronte të bëjë edhe punë të shtëpisë, duke i ndihmuar gruas së tij. E në anën tjetër, stimulonte shokët e tij që të pajisen me këtë cilësi ku mes tjerash ju thoshte: “Allahu më ka shpallur mua që ju të bëheni sa më modest dhe askush mos të lavdërohet para tjetrit, dhe mos t’i bëj asnjë të ligë tjetrit”. Po, të nderuar lexues, modestia është cilësi të cilën e do Allahu i Madhëruar shumë. Me të Allahu ngritë lartë robërit e tij, jo vetëm në qiell ku kanë një pozitë apo një gradë të veçantë, por edhe në tokë, ngase njeriun modest e duan të gjithë. Ai me këtë cilësi depërton në zemrat e të gjithëve kundrejtë kryelartësisë apo mendjemadhësisë që askush nuk e do. Ne jemi të urdhëruar që të bëhemi sa më të mirë me njerëz, sa më të afërt e të sjellshëm me ta, t’i durojmë kur ata na lëndojnë ose nuk janë të sjellshëm me ne. E gjithë kjo nuk arrihet pa qenë modest. Modestia ishte ajo që i ndihmojë Pejgamberit a.s që të depërtojë në zemrat e shokëve të tij. Me modesti e drejtësi, butësi e urtësi, mëshirë e mirësi u përhap kjo fe në tërë këtë gjithësi. Me këto cilësi arritëm të ngrihemi mbi çdo fe e shoqëri, të fitojmë lartë në qiell kënaqësi, të sjellim në tokë paqe e lumturi, eh sa me fat është ai që posedon këtë cilësi. Allahu na paist me te, amin ja Rrahman ja Rrahim.