Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: Vlera e agjërimit në periudhën e verës Wed 3 Aug 2011 - 23:46 | |
| Ata të cilët për hir të Allahut të Madhërishëm, agjërojnë muajin e Ramazanit në këtë kohë të nxehtë dhe janë të durueshëm, edhe krahas etjes së madhe, Allahu ka përgatitur dyer të veçanta mes dyerve të xhenetit. Ato janë dyert Rejjan, kush kalon nëpërmjet tyre do t’i jepet për të pirë, dhe kush do të pijë kur të hyjë nga ato dyer, asnjëherë më nuk do të ketë etje. Dhe kur agjëruesit të hyjnë nga dyert Rejjan , ato do të mbyllen dhe askush nuk mund të hyjë më.
Ibn Rexhebi ka komentuar vlerën e agjërimit në periudhën e verës në Lata’if Ma’arif” (fq, 272-273). Nga ibadetet që i shtohet shpërblimi në momentet e një vape të madhe, është agjërimi, dhe kjo është për shkak të etjes së madhe që e ndjenë agjëruesi në nxehtësinë e drekës. Dhe mu për këtë Muadh ibn Xhebeli është ankuar në shtratin e vdekjes, sepse më nuk do të kishte mundësi ta përjetojë etjen, siç e kishin përjetuar myslimanët e parë. Transmetohet se Ebu Bekri ka agjëruar verës, ndërsa nuk ka agjëruar dimrit (agjërim nafile), ndërsa Omeri r.a kur iu afrua vdekja e këshilloi djalin e tij Abdullahin se si të arrij cilësinë e besimtarit, ndërsa së pari ia përmendi agjërimin në periudhën e verës.
Transmeton El-Kasim ibn Muhamed se Aisheja r.a ka agjëruar në vapën më të madhe, dhe kur e pyetën pse e bën një gjë të tillë, u përgjigj se dëshiron t’i shfrytëzoj ditën para se t’i vij vdekja. Gjithashtu edhe disa nga gratë e sahabëve kanë zgjedhur ditët më të nxehta për të agjëruar duke thënë: “Kur diçka nuk është shtrenjtë, të gjithë do ta blinin, duke aluduar se janë të gatshme të bëjnë diçka që vetëm disa kanë mundësi ta bëjnë, pa marrë parasysh sa sa rëndë mund të jetë, ndërsa kjo është argument për aspiratat e larta që kishin këto gra.
Ebu Musa El-Esh’ari ishte duke udhëtuar me anije dhe dëgjoi një zë duke thënë: “O udhëtarë, çohuni!” Këtë e përsëriti tre, ndërsa Ebu Musa tha: “Po si të çohemi? A nuk e sheh se ku ndodhemi? Si të çohemi?” Ndërsa zëri iu përgjigj: “Do të tregoj atë çka Allahu i Madhërishëm i ka caktuar Vetes: “Kush qëndron i etur për shkak të Allahut në ditën e nxehtë, ka të drejtë tek Allahu ta shuaj etjen në Ditën e Ringjalljes.” Pas kësaj Ebu Musa zgjodhi ditën më të nxehtë dhe agjëroi atë ditë.
El-Hasani thotë: “Hurija e xhenetit do t’i thotë evlijasë së Allahut, i cili do të jetë i shtrirë në bregun e lumit të mjaltit në xhenet, duke i dhënë një gotë me pijen më të ëmbël dhe do ta pyes: “A e din se kur Allahu më bëri gruan tënde? Duke të shikuar një ditë vere derisa ishe i etur në vapën e madhe të ditës dhe i thirri melekët e u tha: shiheni këtë robin tim. Ka lënë gruan e tij, kënaqësinë, ushqimin dhe pijen për atë çka i kam përgatitur. Jini dëshmitarë se ia kam falur.” Dhe atë ditë Ai të fali dhe të martoi me mua.”
Kur Amr bin Abd Kajs, shkoi nga Basra në Sham, Muaviu r.a e pyeti se çka i nevojitet. Ai nuk kërkoi asgjë, vetëm i tha: “Gjithçka që më duhet është të kthesh vapën e Basrës që të ma bëj agjërimin pak më të vështirë, sepse është shumë lehtë të agjërosh në këtë vend.”
Ibn Omeri r.a doli në një udhëtim me disa shokë të tij dhe gjatë rrugës takuan një bari të cilin e thirrën të hajë me ata. Ai u tha: “Unë agjëroj.” Ibn Omeri e pyeti: “Si agjëron në këtë vapë të madhe – duke i ruajtur delet në këto kodra?” Bariu iu përgjigj: “I shfrytëzoj ditët e jetës që më kanë ngelur.” Ibn Omeri mbeti i mahnitur me përgjigjen e tillë dhe i tha: “ A mund të na e shesësh një dele? Do të ushqejmë për iftar dhe do të paguajmë shumë mirë?” Bariu iu përgjigj: “Delet nuk janë të mijat, i takojnë pronarit tim.” Ibn Omeri r.a i tha: “Po çfarë mund të bëj pronari nëse i thua se delen e hëngri ujku?” Bariu ngriti gishtin kah qielli dhe tha: “Po, Allahu?!” Ibn Omeri vazhdonte ta përmend përgjigjen e Bariut dhe kur arriti në qytet shkoi tek pronari i bariut dhe e bleu atë bashkë me delet. Pastaj liroi djaloshin ri dhe i dhuroi edhe delet.
Imam Ahmedi agjëronte në ditët me vapë derisa i binte të fikët dhe atëherë lante fytyrën e tij me ujë. E pyetën për agjërimin në ditët shumë të nxehta, ndërsa ai u përgjigj: “Nuk ka diçka të keqe nëse me një maramë të lagur flladit fytyrën, “ Edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s hidhte ujë mbi kokë kur agjëronte.
Ata të cilët për hyrë të Allahut të Madhërishëm, agjërojnë muajin e Ramazanit në këtë kohë të nxehtë dhe janë të durueshëm, edhe krahas etjes së madhe, Allahu ka përgatitur dyer të veçanta mes dyerve të xhenetit. Ato janë dyert Rejjan, kush kalon nëpërmjet tyre do t’i jepet për të pirë, dhe kush do të pijë kur të hyjë aty, asnjëherë më nuk do të ketë etje. Dhe kur agjëruesit të hyjnë nga dyert Rejjan, ato do të mbyllen dhe askush nuk mund të hyjë më.
Burimi: islambosna.ba
Shqipëroi: A.D (Breziiri) | |
|