Gjithsesi se nuk ka asnjë njeri e që nuk ka dashur apo ka ëndërruar të gjej thesarin e fshehur, i cili do ta bënte të pasur. “Do të ishte e mjaftueshme të kemi pak fat dhe të gjejmë qypin me flori dhe të gjitha problemet do t’i kishim zgjedhur”. Kjo shpresë e cila tek njeriu është nga fëmijëria, shpesh e ndjek edhe gjatë tërë jetës, edhe pse mund të ndryshojnë idetë se si të vihet tek thesari në fjalë. Fëmijët dhe të rriturit të dashuruar ndaj aventurave shpesh ëndërrojnë që nëpërmjet ndihmës së një harte të vjetur të vijnë tek ndonjë ishull i shkretë ku fshihet thesari. Pas kësaj do të duhet të kapërcejë pengesat e ndryshme që janë vendosur nga pronarët e thesarit, por gjithashtu duhet të largohet mallkimi dhe e keqja, dhe më pas të udhëtohet drejtë shtëpisë me thesarin në duar.
Si të vijmë deri tek thesari
Megjithatë, shumica e njerëzve sot, kërkimin e tyre për pasurinë e vazhdojnë në disa mënyra moderne, nga të cilat më të njohura janë lojërat e fatit. Edhe personi më i varfër, “ndanë nga goja” për të pasur për bingo apo lojëra nëpër bastore, sepse ky është një rast perfekt për një pasurim të shpejt, ku do të dilet nga varfëria, ndërsa në rrugë e sipër do të plotësoheshe edhe ëndrra fëmijërore për gjetjen e thesarit të fshehur. Dhe mu për këtë ne shohim sot njerëzit duke qëndruar rende rende për të paguar edhe dinarin e fundit në mbushjen e tiketave të lotarive të ndryshme, sepse shpresa për fitim nuk shuhet aq lehtë. Gjatë hedhjes së topave të gjithë janë në ankth, mirëpo në momentin kur nuk fitojnë, shpresojnë se herën tjetër do të kenë më shumë fat, mu ashtu siç u dëshiron edhe udhëheqësi i “buzëqeshur” i programit. E njëjta gjë ndodh edhe me bastoret sportive, ku njerëzit presin me ankth dhe stres të madh 90 minutat e ndeshjes për të parë rezultatin e duhur.
Ata fitues të rrallë, të cilët përfundimisht i afrohen thesarit, shpesh dëshirojnë që të njëjtën të mos e kishin fituar, sepse jeta ka filluar “tatëpjetën” që nga momenti kur fituan. U bënë objekt i vjedhësve të ndryshëm, në jetë fituan (ar) miq të ndryshëm të cilët pas marrjes së lotarisë filluan ta rrethojnë këtë fatlum, gjithashtu tek njeriu filloi të përhapet mendjemadhësia dhe narcizmi, të cilët në fund i kushtojnë shumë.
Nga vjen kjo dëshirë e madhe e njeriut për të pasur u një pasuri dhe mall të madh? Kjo është në natyrën e çdo njeriu, mirëpo se sa do t’i dorëzohet, më së shumti varet nga edukata fetare e tij, respektivisht a do ta shoh tubimin e pasurisë në këtë botë si qëllim primarë, apo do ta shosh vetëm si një mjet që në raste të caktuara do ta ketë të nevojshme në këtë botë kaluese. Thotë Allahu i Madhërishëm: “Dhe pasurinë e doni së tepërmi” (El-Fexhr, 20)
Dashuria ndaj pasurisë mes të tjerash është edhe një sprovë për ummetin e Muhamedit a.s siç na e vërteton edhe hadithi në vijim: “Secili popull ka pasur sprovat e tij, ndërsa sprova e ummetit tim është pasuria”, (Tirmidhiu, Ahmedi, dhe të tjerë). Besimtarët e sinqertë me ndihmën e Allahu, pasuria nuk do t’i mashtrojë, por do ta kenë si një mjet për të bërë vepra të mira. Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s: “Sa e mirë është pasuria hallall në duart e njeriut të mirë.” (Buhariu, në edebul Mufred, Ahmedi dhe të tjerë).
Megjithatë, pasuria dhe malli nuk janë ato që njeriun e bëjnë plotësisht të lumtur. Kjo frazë aq shumë përmendet mes njerëzve, dhe aq shumë jemi mësuar ta dëgjojmë, sa më veç na është bërë monotone dhe e mërzitshme. Ne përmendëm se të gjithë njerëzit vrapojnë pas pasurisë, për arsyeje se shumica prej tyre janë të bindur se me ndihmën e saj do t’i zgjidhin hallet e jetës. Është e vërtetë se pasuria dhe malli njeriun mund ta gëzojnë dhe ta bëjnë të lumtur në disa aspekte të jetës, ndërsa argumentet për këtë nuk janë të nevojshme.
Mirëpo, çka është me ato gjëra të cilat në këtë botë nuk mund t’i blejmë me para, pas të cilave vrapojnë edhe miliarder të ndryshëm, ndërsa të njëjtat shpesh i posedojnë edhe njerëzit shumë të varfër? Shembuj për këtë ka mjaft:
Martesa dhe familja
Një martesë e suksesshme dhe e rregulluar është nga kushtet dhe kërkesat elementare për lumturinë në këtë botë, ndërsa ajo nuk mund të blihet me para. Edhe pse martesa paraqet një obligim të caktuar dhe shpesh ka vështirësi të llojit material dhe shëndetësorë ndaj anëtarëve të familjes, ajo megjithatë, gjatë tërë ekzistencës njerëzore në Tokë ka paraqitur diçka që me të madhe kanë aspiruar të gjithë njerëzit e moralshëm dhe të ndershëm pa marrë parasysh fenë dhe nacionalitetin. Beqaria pa obligime ndaj familjes është vetëm një zgjidhje e përkohshme të cilës për shkak të aventurave e praktikojnë personat e ri, të cilët menjëherë pas daljes së qimeve të bardha dhe rrudhave do të pendohen sepse pritën pleqërinë pa ngrohtësinë e fëmijëve dhe familjes.
Përfundimisht, pasuria nuk është kusht për një martesë të lumtur. Përvoja dhe shembuj të ndryshëm që na rrethojnë janë argument kategorik për këtë vërtetim. Pasanikët e mëdhenj dhe personalitetet e famshëm janë popullata më e madhe ku regjistrohen aferat dhe skandalet më të mëdha martesore, të cilat në të shumtën përfundojnë me ndarje milionere.
Dashurinë reciproke, mirëkuptimin dhe vëmendjen nuk mund ta mbushin edhe dhuratat spektakolare. Në anën tjetër, kemi njohuri për shumë shembuj të martesave të lumtura, të cilët pa asnjë problem (përjashtim të disa problemeve të vogla që ndoshta asnjë martesë nuk u shpëton) ekzistojnë me decenie, pa marrë parasysh luftërat, skamjet, sëmundjet, dhe sprova tjera të jetës. Për një martesë të suksesshme në islam, mashkulli dhe femra duhet të jenë të devotshëm në aspektin fetarë, të jenë të durueshëm, dhe të kenë respekt të ndërsjellë. Asgjë nga këto nuk mund t’i blejmë me para, por me një besim të sinqertë dhe devotshmëri. I Dërguari i Allahut s.a.v.s u ka thënë meshkujve se më i miri mes tyre është ai që është më i miri ndaj gruas së tij, ndërsa për gruan e mirë ka thënë se është nga gjërat më me vlerë në këtë botë. Dhe mu për këtë, ai i cili është i kënaqur me bashkëshortin(en), le ta dijë se një pjesë të thesarit në këtë botë veç se e ka gjetur.
Shëndeti
Transmetohet nga ibn Abbasi r.a se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ekzistojnë dy mirësi, të cilat shumica e njerëzve i lënë pas dore, e ato janë:Koha dhe shëndeti(Buhariu)
Kuptimin e vërtet të këtij hadithi e dinë vetëm ata që e përjetojnë sëmundjen, ndërsa në ato momente me mall kujtojnë momentet kur ishin të shëndoshë. Edhe gjatë një sëmundje siç është gripi, njeriu e kupton se sa i dobët është. Sa ma e rëndë të jetë sëmundja njeriu bindet se shëndeti është nga thesaret më të mëdha. Ai që ka qenë prezent gjatë sëmundjeve të dikujt e di se pasuria apo çfarëdo malli nuk i jep asnjë kënaqësi në ato momente. Sa që i duken edhe të shëmtuara dhe të pakuptimta. Do ta jepnin gjithë dynjanë për një minutë rahati ku kanë shëndetin. Sot, kur botën e kanë kapluar sëmundje që edhe mjekësia më moderne nuk mund t’u gjej ilaçin, të kesh shëndetin është nga thesaret më të mëdha që duhet ta vlerësojmë.
Është absurd se shumica e njerëzve, nëpërmjet konsumimit të duhanit, alkoolit dhe drogës, shëndetin e tyre e shfrytëzojnë për shkatërrimin e të njëjtit, ndërsa kur sëmuren, investojnë shuma të mëdha për t’u shëruar.
Udhëzimi
Krahas gjithë kësaj, as martesa më e lumtur dhe as shëndeti më i mirë nuk ta bëjnë njeriun të lumtur përgjithmonë, sepse çdo person e pret vdekja dhe ndalim i asaj që është kënaqur në këtë botë. Pra, të lumturuarit e vërtetë mund të jenë vetëm besimtarët e sinqertë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata të cilët me nënshtrim të plotë falin namazin, agjërojnë ramazanin, japin zekatin dhe në Zotin e tyre
mbështeten. Të lumtur janë vetëm ata të cilët këtë botë e shohin vetëm si një etapë të cilën duhet ta kalojnë në rrugë për në kënaqësinë Allahut dhe lumturinë e përhershme. Udhëzimi është ajo që paraja nuk mund ta blejë, ndërsa Allahu i jap atij që do nga robërit e Tij, nga mëshira, drejtësia dhe urtësia e Tij. Vetëm duhet ta duam sinqerisht dhe në rrugë për te ajo të përpiqemi, ndërsa Allahu askujt nuk do t’i bëj padrejtësi dhe ta lejë në humbje.
Pra, thesari i fshehur pas të cilit shumë njerëz vrapojnë kotë gjatë gjithë jetës është e kapshme për duart tona dhe mund ta marrë kush do që dëshiron. Të jesh rob i Allahut, të kesh shëndet, të kesh një martesë të rregulluar dhe familje me të cilën je i kënaqur, janë pasuri me të cilat nuk mund të matet asnjë flori apo mall.
Për fat të keq, shumica e njerëzve shumë vonë e kuptojnë se thesar i vërtetë nuk paraqesin vlerat materiale, ata vetëm pasi që humbin njërën prej atyre mirësive të vërteta e kuptojnë se çdo të thotë thesar i vërtetë. Edhe pse këtë shpesh e flasim dhe mundohemi edhe të tjerëve t’ua tregojmë, si duket në vërtetësinë e këtyre fjalëve më vështirë është të bindim veten tonë.
Burimi: islambosna.ba
Shqipëroi: Arsim Dauti