Bashkësia Islame e Kosovës, nuk e pranon propozimin e Mustafës
(I plotësuar) - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka thënë se në rast që Bashkësia Islame nuk do ta pranojë propozimin që Xhamia e Madhe të ndërtohet tek Posta e re, atëherë do t’ia caktojnë një lokacion në lagjen Prishtina e Re.
Sipas Mustafës, lokacioni te Posta, është shumë i përshtatshëm.
“Ne sot në Këshillin e drejtorëve, kemi përcaktuar lokacionin për ndërtimin e Xhamisë, e cila ka qenë kërkesë e ka hershme e Bashkësisë Islame dhe qytetarëve të Prishtinës. Lokacioni është caktuar tek Posta e re, me një sipërfaqe rreth 78 ari. Është një vend qendror i Prishtinës, është një lokacion shumë i përshtatshëm dhe kemi bërë përpjeke që caktimi i këtij lokacionit të mos ndikojë tek zhvendosja e shërbimeve tjera”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Bashkësia Islame e Kosovës nuk e pranon propozimin e Komunës së Prishtinës, për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në hapësirën ndërmjet Postës së re dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi ka thënë për mediet se qëndrojnë prapa kërkesës së mëhershme të BIK-ut, që Xhamia të ndërtohet përballë Institutit Albanologjik gjegjësisht në vendin ku është çerdhja “Gëzimi ynë”.
“Janë tri arsye që ne nuk pranojmë; e para është hapësirë e vogël, është larg qendrës dhe thjesht nuk na konvenon”, tha Rexhepi.
* * * * * * *
U caktua lokacioni për ndërtimin e Xhamisë në Prishtinë
Komuna e Prishtinës ka miratuar ndarjen e lokacionit për ndërtimin e një xhamie të re. Në komunikatën e komunës thuhet se është miratuar lokacioni sipas kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Këshilli i drejtorëve të Komunës së Prishtinës ka caktuar lokacionin për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Zyra për marrëdhënie me publikun e komunës së Prishtinës njofton se në mbledhjen e sotme të këshillit, që është mvajtur nën udhëheqjen e kryetarit Isa Mustafa, "është miratuar propozimvendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë, sipas kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës".
Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërrnava, ka insistuat që Xhamia e re të ndërtohet në vend të qerdhes së fëmijëve "Gëzimi ynë", përballë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Këshilli i drejtorëve të komunës së Prishtinës ka miratuar Rregulloren për dhënien në shfrytëzim të banesave të komunës për familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së dhe për pjesëtarë të familjeve të tyre.