SADAKATUL FITRI
Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Të nderuar agjërues!
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) e ka obliguar Sadakatul-Fitrin në Muajin e Ramazanit për robin, të lirin, mashkullin, femrën, fëmijën dhe plakun musliman, qoftë nga sa’ë hurme ose elbi. (Transmeton Buhariu)
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka urdhëruar të jepet Sadakatul-Fitri para se të nisen për në namaz. (Transmeton Buhariu)
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) e bëri obligim Sadakatul-Fitrin për pastrimin e agjëruesit nga përgojimi dhe fjalët e turpshme; me agjërimin ai (Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) e obligon t’i ushqejë të varfrit; ai që e jep Sadakatul-Fitrin para namazit pranohet e kush e jep pas namazit (të Bajramit) është sadaka (lëmoshë) e rëndomtë. (Transmeton Ebu Davudi)
Vitrat obligohen të jepen para agimit të mëngjesit në ditën e Bajramit të Vitrit (Bajramit të Madh), kurse për atë që vdes në këtë kohë ose lind pas kësaj kohe, nuk janë obligim. Më mirë është të jepen para namazit të Bajramit.
Sadakatul-Fitri jepet për çdo person një të varfëri. Preferohet dhënia për fëmijën që është në bark për shkak se Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka vepruar ashtu.
Për sa i përket llojit të asaj që jepet për fitra, Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Këto ishin ushqimi më i shpeshtë në Medinë dhe në vendet dhe krahinat ku ushqimi është tjetër, atyre u takon të japin një sa’a nga ai ushqim. Dhe nëse ushqimi nuk është nga drithërat, si qumështi, mishi dhe peshku, duhet të japin fitrat e tyre nga ushqimi që kanë në atë vend, çfarëdo lloji qoftë ai. Pra lejohet edhe dhënia miell.
Sadakatul Fitri është e drejtë e fukarasë dhe i jepet vetëm atij.
Po ashtu duhet të theksojmë se sadakatul fitri jepet në llojet e ushqimit dhe nuk jepet vlera e ushqimit në të holla edhe pse disa dijetarë këtë e kanë lejuar, por mendimi i parë është i qëndrueshëm.
Të nderuar agjërues!
Muaji i Ramazanit po përfundon, nuk ka mbetur veçse pak kohë. Ai i cili nga ju është angazhuar në bamirësi, le të falënderojë Allahun e Lartësuar, le të kërkojë prej Tij pranim dhe shpërblim. Ai njeri i cili ka qenë mospërfillës, le të pendohet dhe le të kërkojë falje nga Allahu i Madhëruar.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), duke hipur në mimber, tha: “Amin, amin, amin!” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, duke hipur në mimber të dëgjuam duke thënë: Amin, amin, amin!” Tha: “Më erdhi Xhibrili (alejhi selam) e më tha: “Cili e takon Ramazanin e nuk i falen mëkatet dhe hyn në xhehenem, e largoftë Allahu! Thuaj amin, e unë thashë amin.” (Transmeton Ahmedi)
Allahu im! i kam bërë padrejtësi të madhe vetvetes, kurse askush përveç Teje nuk i fal mëkatet, më fal me falje prej Teje dhe më mëshiro, sepse Ti je Falësi dhe i Mëshirshmi!