Në takimin që ende po vazhdon në Bruksel mes Prishtinës dhe
Beogradit, delegacioni serb ka pranuar vulat doganore të Kosovës, thonë
burime të gazetës “Express”.
Në vulat doganore të Kosovës shkruan vetëm “Dogana e Kosovës” pa
kurrfarë simboli shtetëror – ashtu siç kanë qenë dhe kanë thënë edhe
shumica e shteteve në botë.
Përveç vulave, në agjendën e takimit të sotshëm janë edhe kadastri,
telekomi, energjia, diplomat universitare si dhe përfaqësimi i Kosovës
në takimet dhe forumet ndërkombëtare.
Para nisjes së këtij raundi, shefja e delegacionit të Kosovës në
bisedime, Edita Tahiri, ka thënë se “ne kemi dëshmuar se duam një qasje
konstruktive për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit”.
Homologu i saj, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko
Stefanovic, ka folur haptazi për rezultatet që ai pret të arrihen.
“Shpresojmë se pas një dite të gjatë diskutimesh, do të kemi disa
rezultate konkrete, posaçërisht lidhur me vulat doganore dhe kadastrat”.
Zyrtarët e BE-së kanë thënë se është mirë për të dyja palët të
arrihen “sa më shumë marrëveshje, në prag të raporteve të progresit të
Komisionit Evropian”. Kjo posaçërisht vlen për Serbinë, e cila këtë vit
synon të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin
Evropian.
Negociatat Prishtinë – Beograd sot në BrukselNë Bruksel sot do të fillojë raundi i ri i negociatave midis
Prishtinës dhe Beogradit, pas tensioneve të fundit në veriun e Kosovës.
Mediat evropiane kanë raportuar se BE është në pritje që ekipet
negociatore të Kosovës dhe Serbisë të arrijnë përparime dhe marrëveshje
për çështjet kyçe, siç janë vula e doganave, kadastrën dhe
telekomunikimet.
Shefja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri deklaroi se
autoritetet e Kosovës janë të interesuara që çështjet teknike të
zgjidhen përmes dialogut, por me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve
të Kosovës. Ajo këtë e deklaroi gjatë takimit të fundit me ndërmjetësin e
BE-së, Robert Kuper.
Ky është raundi i gjashtë i negociatave dhe se në takimin e fundit
palët kishin arritur një marrëveshje për lëvizjen e lirë, librat amë dhe
njohjen e diplomave. Negociatat e sotme pritet të zgjasin deri vonë,
kur edhe pritet një komunikatë zyrtare nga zyra e ndërmjetësit të BE-së.