LAJMET
Forcat e Jemenit vrasin 20 protestues
19.09.2011
Autoritetet spitalore në Sana thonë se të paktën 20 njerëz kanë humbur jetën sot nga sulmet e snajperistëve pro-qeveritarë.
Shifrat e sotme çojnë në 50 numrin e të vrarëve që nga mbrëmja e së dielës, kur forcat e regjimit kanë hapur zjarr ndaj dhjetëra-mijëra protestuesve të tubuar në rrugët e kryeqytetit.
Këto janë dy nga ditët më të përgjakshme që nga muaji janar, kur edhe kanë nisur protestat kundër presidentit Ali Abdullah Saleh.
Amnesty International ka paralajmëruar autoritetet jemenase se rrezikojnë luftën civile, nëse vazhdojnë të vrasin protestuesit paqësorë.