Admine-Meli Administrator
Numri i postimeve : 160 Data e regjistrimit : 20/09/2011 Mosha : 36 Nacionaliteti-Sheti : Tetove
| Titulli: Zubejr ibnu Avam dhe gruaja e tij Esmaja Thu 22 Sep 2011 - 1:09 | |
| Kjo temë do të jetë rreth një prej figurave të shquara të sahabëve, Zubejr ibnu Avamit dhe gruas së tij Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit dhe xhelozisë bashkëshortore.
Zubejr ibnu Avami është një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.
Ndërkohë që flasim mbi dhjetë të përgëzuarit me xhenet dhe familjet e tyre, mendja na shkon se ata jetonin në pallate luksoze, pranë rrjedhës së lumenjve, rroba të mëndafshta etj… Në fakt ata jetonin në fukarallëk dhe skamje, në shtëpi prej qerpiçi.
Zubejr ibnu Avami përqafoi islamin që në moshë të re dhe kjo u bë shkak i torturave dhe keqtrajtimeve nga ana e xhaxhait të tij. Ai e mbështillte Zubejrin me rrogoz dhe i vinte flakën rrogozit me qëllim që t’i bllokojë frymëmarrjen dhe ta detyrojë të braktisë islamin. Megjithatë Zubejri vazhdonte t’u bëjë qëndresë torturave dhe vuajtjeve, edhe pse ishte vetëm tetë vjeç.
Zubejr ibnu Avam e përqafoi islamin bashkë me katër shokët e tij me të cilët luante dhe argëtohej. Këta të katër ishin: Zubejr ibnu Avam, Ali ibnu Ebi Talib, Talha ibnu Ubejdullah dhe Sad ibnu Ebi Vekkas. Ata ishin shokë të ngushtë dhe pothuaj në të njëjtën moshë.
Shkaku që e shtyu Zubejrin të pranojë islamin, ishte dashuria e madhe që ndjente për Profetin a.s.
Në moshën dymbëdhjetë vjeçare, ai dëgjoi një ditë dikë që e shante të dërguarin e Zotit. Diçka e tillë e nervozoi tejmase, saqë mrri shpatën, e nxorri nga këllëfi dhe vajti tek Profeti a.s. Kur e pa Profeti a.s me shpatë në dorë dhe të nevrikosur i tha:”Ç’e mirë të solli o Zubejr?”
Zubejr ibnu Avam i tha:”Filani të ka sharë o i dërguar i Zotit dhe unë dua t’a vras.”
Familja e Zubejr ibnu Avamit
Tani le të depërtojmë brenda familjes së Zubejrit dhe të përpiqemi të zbulojmë diçka rreth jetës së tij familjare dhe shoqërore.
Ai lindi dhe u rrit në një shtëpi të thjeshtë të ndërtuar me qerpiç dhe gurë. Në shtëpi të tilla u edukuan dhe nga shtëpi të tilla dolën shokët e Profetit a.s për të përhapur dritën hyjnore në të katër anët e globit. Nga shtëpi të tilla u nisën dhe arritën të shembin përtokë dy perandoritë më të fuqishme të asaj kohe, atë perse dhe atë romake. Ata arritën që t’i përmbysin ekuilibrat e fuqisë ushtarake dhe politike të asaj kohe. Ata arritën që fuqinë e dy shteteve jomuslimane, t’a shndërronin në fuqinë e një shteti të vetëm dhe musliman, shtet i cili udhëhiqej nga ligjet hyjnore.
Edhe pse të thjeshtë, të varfër dhe të rritur në shtëpi qerpiçi, ata ndiheshin krenarë me fenë që kishin përqafuar. Ishte Reb’ij ibnu Amir, ai që i thoshte komandantit pers gjithë krenari:”Ne kemi ardhur të nxjerrim njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Zotit të njerëzve. Kemi ardhur t’i nxjerrim ata nga ngushtësia e kësaj bote në gjerësinë e saj dhe nga zgjedha e feve në drejtësinë islame.”
Sahabët kanë lënë gjurmë të tilla të cilat nuk mund të fshihen nga dekadat dhe shekujt.
Zubejr ibnu Avam ishte shumë xheloz për gruan e tij Esmanë. Ajo vetë e dinte diçka të tillë dhe tregohej e kujdesshme.
Një ditë, në derën e shtëpisë së Zubejrit trokiti dikush. Esmaja nga brenda pyeti se kush ishte dhe një zë burri u përgjigj:”Unë jam një burrë dhe dua të shes mallin tim këtu pranë derës tuaj.”
Esmaja, duke e parandjerë xhelozinë e Zubejrit nëse do shihte një burrë në pragun e shtëpisë së tyre, i tha:”Largohu nga dera dhe mos shit këtu!”
Ndërkohë që burri po trokiste sërish dhe po i tregonte se është një i varfër që kërkon të shesë vetëm mallin e tij, vjen Zubejri dhe e gjen tek dera. Në atë çast, ai dëgjon zërin e gruas së tij nga brenda që i kërkonte këtij burri të mos shesë tek dera e tyre. Atëherë Zubejri i tha gruas së tij:”Lëre o Esma të shesë çfarë të dojë!” dhe njëkohësisht iu drejtua shitësit të varfër dhe i tha:”Ulu dhe shit këtu!”
Tregon vetë ky burrë:”Unë qëndrova aty dhe e shita të gjithë mallin duke fituar goxha të ardhura për familjen time.”
Kështu, reagimi i Esmasë ishte i studiuar mirë, me qëllim që të shmangë xhelozinë e të shoqit. Ajo e trajtoi këtë çështje dhe problem me zgjuarsinë më të madhe dhe shmangu konfliktin që mund të lindte mes tyre. Gratë të cilat janë shkaktare të konflikteve dhe zënkave bashkëshortore për shkak se nuk dinë si të reagojnë në raste të tilla janë të shumta.
Gjëja më e rëndësishme ishte se Esmaja e kishte kuptuar dhe njohur natyrën xheloze të burrit të saj dhe tregohej e gatshme që të shmangë çdo lloj keqkuptimi mes tyre.
Në rastin e mësipërm, ajo ia la në dorë vetë burrit të saj që të vendosë mbi një çështje të tillë. Diçka e tillë tregon zgjuarsinë dhe mençurinë e saj.
Në një studim që flet mbi mënyrën sesi mendon dhe si reagon gruaja para problemeve, thuhet që gruaja ka një rol parësor në shuarjen ose stimulimin e zënkave dhe konflikteve familjare.
Një grua e moshuar vajti tek sulltani i perandorisë turke Sulejman Kanuni dhe i tha:”Ushtarët e tu më kanë marrë padrejtësisht një copë tokë.”
Sulejmani e pyeti:”Po ku banon ti?”
E moshuara ia ktheu:”O Halife i muslimanëve! Unë mendova se nuk të zë gjumi për hallet dhe shqetësimet e popullatës dhe jo për angazhimet e tua!”
Sulejmani i tha:”Ke të drejtë!” dhe urdhëroi që t’i kthehej toka e saj.
Kështu, të dish të flasësh dhe të diskutosh është një art më vete. Ndërkohë që ta përdorësh atë në zgjidhjen e problemeve familjare dhe shoqërore, tregon mbi zgjuarsinë dhe mençurinë, të cilën e mësojmë duke depërtuar brenda familjes së Zubejr ibnu Avam.
Kur Profeti a.s e përgëzoi Zubejr ibnu Avamin me xhenet, ai akoma ishte në moshë të njomë. Megjithatë, ai vazhdoi të jetë i qëndrueshëm në parime, derisa ndërroi jetë si dëshmor dhe martir. Prandaj, ai njihet ndryshe si apostulli (nxënës) i Profetit a.s.
Siç përmendëm dhe më lart, Zubejri kishte xhelozi, e cila nëse kontrollohet dhe është në kufinjtë e duhur është diçka pozitive. Por nëse i kalon kufinjtë dhe dyshon në çdo gjë, atëherë kthehet në negative.
Xhelozia e Zubejr ibnu Avam
Zubejr ibnu Avami kishte një fermë me palma. Meqë kishte shumë kafshë, ai detyrohej të mbledhe farat e palmave që binin përtokë, për t’i ushqyer kafshët. Për këtë, ai dërgonte shpesh herë gruan e tij Esmanë. Kjo tregon dhe një herë harmoninë mes Zubejrit dhe gruas së tij, ku të dy jepnin kontributin për mbarëvajtjen e familjes.
Një ditë, ndërkohë që Esmaja po kthehej me një enë të mbushur me fara, të cilën e mbante mbi kokë, e pa i dërguari i Zotit i cili kishte hypur mbi deve. Ai iu afrua dhe i kërkoi të hypte në deve që të mos lodhej. Në atë çast, Esmasë iu kujtua xhelozia e Zubejrit dhe ngurroi duke mos ditur ç’të bëjë. Duke paramenduar atë që mund të ndodhë, ajo refuzoi të hypë në deve dhe i dërguari i Zotit u largua me shokët e tjerë. Me të vajtur në shtëpi, ajo i tregoi Zubejrit atë që kishte ndodhur dhe se kishte refuzuar që të hypte në devenë e Profetit a.s për shkak të xhelozisë së tij.
Me këtë, sikur ajo i thoshte:”Doja të respektoj ndjenjat dhe xhelozinë tënde, prandaj nuk hypa në deve.”
Zubejri i buzëqeshi dhe i tha:”Të mbash farat e hurmave mbi kokë, është më e rëndë për mua se të kishe hypur në devenë e të dërguarit të Zotit.”
Padyshim që një gjuhë e tillë mes dy bashkëshortëve është gjuhë dashurie, mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjelltë.
Ndoshta ndonjë grua tjetër mund t’i thoshte Zubejrit:”A tani që u lodha duke mbajtur farat e hurmave ma thua këtë fjalë?! A tani që refuzova të hyp në devenë e të dërguarit të Zotit?!”
Por Esmaja nuk mund t’i fliste burrit të saj me këtë gjuhë, gjuhë e cila është kthyer në modë të shumë grave sot.
Një herë më erdhi një burrë dhe filloi të ankohej për gruan e tij. Ajo e pyeste gjithmonë:”Përse je vonuar? Përse po del kaq herët? Përse, përse...?
Unë i thashë:”Ky është një tregues se ajo të don.”
Duke hapur sytë ai më pyeti:”Çfarë?!”
Unë i thashë:”Nëse ajo nuk të donte, nuk do i kushtonte vëmendje vonesave të tua dhe nuk do të interesohej përse po del herët.”
Në këto rrjeshta të fundit, le të kujtojmë dhe një herë Zubejr ibnu Avam dhe gruan e tij Esmanë. Le të kujtojmë marrëdhëniet e tyre të mira, mirëkuptimin, dashurinë dhe respektin e ndërsjelltë. Le të kujtojmë Esmanë e cila i respektonte ndjenjat e burrit të saj dhe i largohej çdo keqkuptimi që mund të lindte. Të gjithë këto, i mësojmë nga shtëpitë e të përgëzuarve me xhenet.
Paqja e Zotit qoftë mbi ju! [justify] | |
|