Të premten protestohet për shami
13.09.2011, ora 09:30
Lëvizja “Bashkohu” sërish do të protestojë të xhumanë. Për dallim nga herët e tjera, protesta para Qeverisë do të organizohet me vetëm një kërkesë - lejimin e shamisë nëpër institucione publike. Bashkësia Islame nuk i përkrah protestat në rrugë.
Xhemati mysliman do të protestojë sërish. Ata e kanë zgjedhur prapë ditën e premte për protestë, por jo për ta falur namazin në rrugë, ashtu siç kishin bërë disa herë.
Nën organizim të Lëvizjes “Bashkohu”, protesta do të organizohet këtë të premte, por pasi që namazi i xhumasë të falet në xhamitë e qytetit. E kërkesat e protestës kësaj radhe janë më modeste. Në fakt, lejimi i bartjes së shamisë në institucionet publike do të jetë kërkesa e vetme e protestuesve.
Fuad Ramiqi, një ndër udhëheqësit e lëvizjes “Bashkohu” konfirmoi se protesta do të mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
“Kësaj radhe prioritet do ta kemi vetëm lejimin e bartjes së shamisë nëpër institucione arsimore dhe publike”, tha Ramiqi për Express.
Sipas tij kërkesat tjera, si ndërtimi i një xhamie të madhe në Prishtinë dhe futja e lëndës fetare në sistemin arsimor publik do të lihen më vonë. Kjo dëshmon, sipas Ramiqit, se myslimanët do të shkojnë hap pas hapi me kërkesat e tyre që, sipas tij, janë legjitime. “Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me kërkesa, nuk do të ndalemi deri në fund po hap pas hapi”.