Sulltan Mahmudi kishte një shërbëtor i cili quhej Ajjaz. Ishte i njohur për sjelljen e tij të bukur dhe urtësi.
Me një rast, sulltan Mahmudi mbante në dorë një gur të çmuar. Urdhëroi njërin nga vezirët (ministrat) që ta thyejë gurin. Meqë guri i çmuar i sulltanit ishte tejet me vlerë, veziri nuk e theu.
Pastaj sulltani ia dha vezirit tjetër që ta thyejë. Edhe ky refuzoi. Kështu vepruan të gjithë vezirët e oborrit mbretëror.
Atëherë sultan Mahmudi ia dha gurin e çmuar Ajjazit duke i thënë që ta thyejë. Ajjazi menjëherë e hudhi për tokë dhe guri i çmuar u bë copë-copë.
Sulltani e pyeti: "Përse e theve gurin e çmuar kur këtë nuk e bënë vezirët?"
Ajjazi u përgjigj: "Guri i çmuar është shumë me vlerë, por urdhëri yt është më i vlefshëm."
Secili prej nesh përveç cilësive të përbashkëta me njerëzit kemi edhe disa karakteristika që janë specifike për ne. Kështu dikush më tepër e do sportin, disa artin, dikush shoqërinë, e dikush vetminë. Shumë hulumtojnë tërë jetën duke u përpjekur pa rreshtur për të zbuluar specifikën e dhuruar të tij. Sa kemi sukses në këtë, është vështirë të thuhet. Sepse secili zbulim kërkon angazhim të sinqertë , përpjekje, mbedhje të informatave, përcaktimin e cakut, etj.
Dhe pengesa më e madhe në këtë punë rrugë padyshim është uni i njeriut. Këtë duhet thyer për të arritur qëllimin.