Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukades), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit).” Isra,1.
Kështu tha Allahu i Lartësuar në Kuran për mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit apo udhëtimi i natës dhe ngritja në qiell. Ishte udhëtimi më magjepsës i kryer nga profeti (alejhi selam), në të njëjtën kohë ai ishte udhëtimi më madhështor, ishte një udhëtim nga toka në qiell, nga e ulta në më të lartën, nga e krijuara tek Krijuesi.
Mrekullohem nga madhështia dhe mrekullia që mbushi zemrën e Profetit (alejhi selam) në prani të Allahut të Lartësuar në një vend që kurrë nuk e kishte arritur askush përveç tij (alejhi selam).
O Allah! I gjithë falënderimi dhe lavdia të takojnë vetëm Ty që na bëre prej ndjekësve të Profetit (alejhi selam), të cilin Ti e ke bekuar me një vend kaq të lartë.
Me Isranë dhe Miraxhin Profeti (alejhi selam) u bë i pari dhe e vetmja krijesë që kaloi pengesën ndërmjet të dukshmes dhe të padukshmes. Pastaj ai u rikthye të na tregonte ne rreth asaj që pa dhe çfarë u bë obligim për ne nga Allahu i Lartësuar.
Ai u rikthye të përforcojë të vërtetën e mesazhit të mëparshëm të Allahut të Lartësuar dhe të na lajmëronte se çfarë do të ndodhte në një të ardhme të largët, çfarë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit dhe pas saj.
Dhe, ndërkohë, kjo mrekulli riprezanton të parën provë serioze të besimtarëve në Allahun e Lartësuar që edhe sot qëndron si një sprovë për të gjithë besimtarët e Allahut në besimin në Allahun e Lartësuar dhe në të padukshmen. Allahu i Lartësuar thotë: “...Dhe ne e bëmë pamjen që ta treguam ty (o Muhamed si një dëshmi të parë me sy dhe jo si ëndërr natën e Israsë) vetëm se provë për njerëzit…” Isra, 60.
Një sprovë që siguron besimin e çdonjërit dhe për ata që patën sukses në të (në sprovë) Israja dhe Miraxhi paraqet një burim të pafund frymëzimi dhe motivimi me nderim për fenë, për këtë jetë dhe jetën tjetër.
Israja dhe Miraxhi sipas Sahihut të Muslimit
Enes ibn Malik tregon se Profeti (alejhi selam) tha: “Më erdhi Buraku, një kafshë e bardhë dhe e gjatë, pak më e madhe se një gomar dhe më e vogël se një mushkë, e cila kur vraponte e hidhte hapin aq larg sa mund të arrinte shikimi i tij (Burakut).
I hipa atij derisa arrita në Kuds, Jerusalem. Atje e lidha atë në të njëjtin rrethak të përdorur nga profetët. Pastaj u futa brenda në xhami, fala dy rekatë, pasta doja jashtë kur Xhibrili (alejhi selam) erdhi tek unë më një enë me verë dhe një me qumësht.
Unë zgjodha për të pirë qumështin dhe Xhibrili tha: ‘Ti zgjodhe fitran’ e pastaj më mori në qiell. Xibrili kërkoi (për portën e qiellit) të hapet dhe u pyet se kush ishte.
Ai u përgjigj: ‘Xhibrili’. Përsëri u pyet: ‘Kush është me ty?’ Ai tha: ‘Muhamedi’. Iu tha: ‘A ka qenë ai lajmëtar?’ Xhibrili u përgjigj: ‘Në të vërtetë ai është lajmëtar’. Dhe dera u hap për ne dhe pamë Ademin.
Ai më uroi mirëseardhjen dhe u lut për mirëqenien time. Pastaj ne u ngjitëm në qiellin e dytë.
Xhibrili (alejhi selam) kërkoi që dera e qiellit të hapej dhe u pyet se kush ishte. Ai u përgjigj: ‘Xhinrili’. U pyet përsëri: ‘Kush është me ty?’ Ai u përgjigj: ‘Muhamedi’. U pyet: ‘A ka qenë ai lajmëtar?’
Ai u përgjgj: ‘Në të vërtetë ai është lajmëtar’. Pastaj dera u hap. Kur hyra, Isai i biri i Merjemes dhe Jahja ibn Zekerija, kushërinj nga tezja, më uruan mirëseardhjen dhe u lutën për mirëqenien time.
Pastaj u mora për në qiellin e tretë dhe pashë Jusufin të cilit ishte dhuruar gjysma e bukurisë së botës. Ai më uroi mirëseardhjen dhe u lut për mirëqenien time dhe bashkë me ne u ngjit për në qiellin e katërt, ku Idrizi ishte atje. Allahu, i Larti dhe i madhërishmi thotë për të: ‘E ne e ngritëm atë në një vend të lartësuar.’ Merjem, 57.
Pastaj ai u ngjit me ne për në qiellin pestë dhe unë pashë Harunin, ai më uroi mirëseardhjen dhe u lut për mirëqenien time. Pastaj u mora për në qiellin e gjashtë dhe atje isha me Musain. Ai më uroi mirëseardhjen dhe u lut për mirëqenien time.
Pastaj u mora për në qiellin e shtatë dhe atje gjeta Ibrahimin, i cili rrinte mbështetur në Bejtul Mamur, në të cilën 70 mijë engjëj (të cilët kurrë nuk do ta vizitojnë përsëri atë) hynin çdo ditë. Pastaj më çuan në Sidretul Munteha, gjethet e së cilës ishin si veshët e elefantit dhe frutat e saj ishin si enë të mëdha balte.
Dhe kur u mbulua nga urdhri i Allahut, ndodhi një ndryshim që asnjë nga krijesat nuk e përshkruan dot bukurinë e saj. Pastaj Allahu më shpalli mua atë që kishte caktuar për të më shpallur dhe bëri obligim për mua 50 namaze ditën dhe natën. Pastaj shkova tek Musai i cili më pyeti: ‘Çfarë kërkoi Zoti yt për popullin tënd?’
Unë i thashë: ’50 namaze’. Ai tha: ‘Ktheu te Zoti yt dhe kërkoi të ulë numrin e namazeve, sepse populli nuk do të jetë i aftë ta mbajë këtë përgjegjësi, ngaqë edhe mua m’u dha sprovë për bijtë e Israilit, i provova ata dhe i gjeta shumë të dobët të mbanin një barrë të rëndë si kjo’.
U ktheva te zoti im dhe i thashë: ‘Zoti im, lehtësoji gjërat për popullin tim!’ Zoti zbriti pesë nga numri i namazeve. Unë u ktheva te Musai e i thashë: ‘Zoti zbriti pesë namaze për mua’. Ai (Muasi) tha: ‘Mbase populli yt nuk do ë jetë i aftë ta mbajë këtë barrë. Ktheu te Zoti yt dhe kërkoi t’i bëjë gjërat më të lehtë’.
Pastaj unë shkova dhe kthehesha ndërmjet Zotit dhe Musait, derisa Ai (Allahu) tha: ‘O Muhamed, ato janë pesë namaze ditë-natë, secili prej tyre ka vlerën e dhjetë namazeve, kështu bëhen 50 namaze. Ai i cili dëshiron të bëjë një punë të mirë dhe nuk e bën ajo do t’i shkruhet sikur ta bënte atë, por nëse ai e bën atë, do t’i shkruhet sikur të ketë bërë dhjetë të tilla.
Ndërsa ai që ka qëllim të kryejë një punë të keqe dhe nuk e bën atë, atij nuk do t’i shkruhet, por nëse ai e kryen atë, vetëm një vepër e keqe do t’i regjistrohet’.
Pastaj takova Musain dhe e informova atë. Ai tha: ‘Kthehu te Zoti yt dhe kërkoi t’i bëje gjerat më të lehta’. Unë u ktheva te Zoti im, por më erdhi turp nga Ai.” Sahihul Muslim, hadithi nr. 411.
Çfarë kuptohet nga e gjithë kjo?
Israja – Udhëtimi i natës
Israja ka kuptimin e marrjes së Profetit (alejhi selam) nga Meka për në Kuds gjatë natës nga Buraku dhe kthimi i tij në të njejtën natë. Ibnul Kajim thotë: “Thënia e Allahut: ‘...i cili e mori robin e tij për një udhëtim natën’ dhe jo e dërgoi robin e tij, lë të kuptohet se Allahu shoqëroi Profetin (alejhi selam). Shkronja ‘b’ (با) në arabisht ka kuptimin pranë. Dhe ja përse Profeti (alejhi selam) kur u nis për në udhëtim tha: ‘O Allah, Ti je bashkudhëtar gjatë udhëtimit tim’.”
Udhëtimi i përtëritjes dhe i frymëzimit
Në ato pak vite që paraprinte ngjarja e Israsë dhe Miraxhit, Profeti (alejhi selam) dhe besimtarët me të u sprovuan dhe vuajtën nga shumë ngjarje të stresuara dhe të dëshpëruara.
Ai (alejhi selam) në fillim humbi gruan e tij të dashur Hatixhen, muslimanen e parë dhe miken më të mirë, përkrahësen dhe nxitësen, gruan që shpenzoi të gjithë pasurinë e saj, ajo që i siguroi qetësinë dhe këshillimin më të mirë që ai duhet të gjente.
Pastaj ai humbi mbrojtjen kundër sulmit të vështirë të njerëzve të Mekës, kur xhaxhai i tij Ebu Talib vdiq. Për sa kohë që xhaxhai i tij qe gjallë askush në Mekë nuk mundi ta godiste atë dhe ndjekësit e tij, por pas vdekjes së Ebu Talibit, ata i detyruan të mërgonin në një luginë afër Mekës ku nuk kishte as ushqim, as strehim.
Tashmë, zhgënjimi më i madh për Profetin (alejhi selam) ishte kur ai shkoi në Taif, duke kërkuar pranimin dhe ndihmën e tyre, por ata e refuzuan dhe bënë gjithçka për ta goditur atë.
Kjo ishte situata. Shumë nga ndjekësit e tij kishin emigruar në Etiopi, kurse ata që qëndruan me të ishin të pambrojtur, të uritur. Ajo që ishte më e suksesshmja për Profetin (alejhi selam) ishte fakti që njerëzit e njihnin atë si një person që gjithmonë ishte i drejtë, kishte të vërtetë, por ende nuk e pasonin.
Në mes të gjithë këtyre vuajtjeve dhe pikëllimeve, Allahu i Lartësuar e mori te Dërguarin e Tij në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, në mënyrë që ta mbante me frymëzim dhe përkrahje duke i treguar atij atë me të cilën asnjë krijesë tjetër njerëzore nuk e kishte bekuar.
Në qiej ai ishte dëshmitarë (d.m.th.: i pa vetë) për shenjat e mëdha të Allahut dhe shenjat e providencës hyjnore. Kështu ai filloi të sigurohej për suksesin e thirrjes dhe fitoren e tij ndaj armiqve.
Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit vërtetoi për Profetin (alejhi selam) që nëse Toka do të ngushtohej për të në kohë jo të sigurta, atëherë portat e qiejve do të hapen për të në çdo kohë; nëse disa tokësorë do ta dëmtonin, atëherë njerëzit e qiellit (xhenetit) do ta përkrahnin dhe do ta shoqëronin atë.
Një përvojë jo jashtë trupit
Muslimanët besojnë se Israja dhe Miraxhi ishte një udhëtim real dhe jo ëndërr apo pamje (vegim vizionar). Ishte një udhëtim fizik me trup dhe shpirt.
Imam Neveviu në komentarin e tij të “Sahihut të Muslimit” (2/209) shkroi: “E vërteta mbahej gjallë (ushqehej) nga shumica e njerëzve në përgjithësi dhe nga të parët tanë të mirë në veçanti.”
Studiuesit e fikut dhe hadithit thonë se Profeti (alejhi selam) e kreu Isranë dhe Miraxhin fizikisht me trup.
Edhe në komentarin e “Sahihut të Buhariut” (1/460), Imam Ibn Haxher shkroi: “Askush nuk duhet ta vërë në dyshim faktin që Profeti (alejhi selam) ishte zgjuar kur ndodhi Israja. Kjo është edhe ajo që shkruhet në Kuran”.
Përktheu: M. Tafa