Profeti a.s ka thënë:”Nëse është duke u bërë kiameti dhe dikush prej jush ka në dorë një fidan të cilin dëshiron ta mbjellë, le ta mbjellë nëse i premton koha.”
Nga: Dr. Muhamed Fet’hij
Myslimani punon derisa të përmbushë humanizmin dhe njerzillëkun e tij, pasi është një qenie përgjegjëse për transmetimin e misionit të tij në tokë dhe që është; Mbarëvajtja e jetës në tokë, sipas ligjeve hyjnore, gjë e cila nuk do të mund të përmbushet veçse me vepra të mira. Njeriu nuk do të ndihet i vetërealizuar, veçse nëpërmjet punës serioze, e cila do i sugurojë dhe pasurinë hallall me të cilën do të zhvillojë veten dhe umetin islam. Profeti Muhamed a.s e konsideroi atë që del për të siguruar jetesën në rrugë hallall për të mbuluar shpenzimet e familjes, të barabartë me atë që del në rrugë të Zotit. Jo vetëm kaq, por me këtë punë, njeriu fiton dashurinë e Zotit dhe të dërguarit të tij, si dhe respektin e njerëzve. Transmetohet se Profeti a.s ka thënë:”Zoti e do robin besimtar që ka një zanat.” (Taberani dhe Bejhakij) Pra, atë që ka një profesion dhe punë për të kryer.
Myslimani nuk e ndërpret punën sido që të jenë kushtet. Profeti a.s ka thënë:”Nëse është duke u bërë kiameti dhe dikush prej jush ka në dorë një fidan të cilin dëshiron ta mbjellë, le ta mbjellë nëse i premton koha.” (Ahmed) Ty si musliman nuk të lejohet të qëndrosh pa punë dhe tu shtrish dorën të tjerëve. Ai që u shtrin dorën të tjerëve ndërkohë që është i aftë për punë, i ka bërë padrejtësi vetes, pasi është ekspozuar ndaj nënshtrimit dhe nënçmimit. Kjo, edhe nëse personave të cilëve u shtrin dorën janë të afërmit e tij. Thotë Profeti a.s:”Dora e lartë (që jep) është më e mirë se ajo e ulët (që merr)” (Buhari dhe Muslim)
Thotë hazreti Umeri:”Askush prej jush të mos heqë dorë nga kërkimi i rizkut duke thënë:”O Allah! Më jep rizk! Aq më tepër që e di se prej qiellit nuk bie as flori dhe as argjend.”
Ai që heq dorë nga puna për të siguruar jetesën, ka hequr dorë nga dinjiteti. Korrigjoje kursin e jetës tënde dhe fillo të kërkosh një punë me të cilën do i sjellësh dobi vetes dhe myslimanëve. Mos hezito për një fillim të fuqishëm drejt të ardhmes së suksesit. Sipas djersës së derdhur përmbushen ambiciet drejt lartësive.
Kush kërkon lartësitë se zë gjumi natën, kurse ai që i kërkon lartësitë nëpërmjet rehatllëkut, çon dëm jetën dhe nuk nxjerr gjë në dritë.
Para profesionit lipset:
1 – Ti kushtoj interes thelbit apo aparencës?
Njerëzit ndahen në dy kategori: Tek e para, hyjnë ata që i kushtojnë interes dhe vëmendje thelbit dhe esencës, kurse tek e dyta ata që i kushtojnë vëmendje aparencës. Të parët i kushtojnë vëmendje fuqisë së brendshme, kurse të dytë fuqisë së jashtme.
Njëra kategori, interesohet dhe i kushton vëmendje ndryshimit të personalitetit, karakterit dhe botës së brendshme, ndryshim i cili ka gjurmë më të thella dhe jetëgjate. Sakaq, kategoria tjetër fokusohet tek ndryshimi i të jashtmes së personalitetit të tij.
Dikush i vë në funksion dhe efiçensë të gjithë energjitë e tij të brendshme, vullnetin, vendosmërinë, besimin në vetvete etj... për të manifestuar aftësitë dhe ambiciet. Kurse dikush tjetër vë në funksion dhe përdor elegancën, përzgjedhjen e fjalëve dhe pamjen e jashtme për të bërë karrierë dhe për sukses në jetë.
Po ty, çfarë të lipset, thelbi apo aparenca? E brendshmja apo e jashtmja?
Sigurisht që ty dhe neve na lipsen të dyja së bashku, por thelbi qëndron para aparencës, e brendjshmja para të jashtmes. Neve na lipsen të dyja për të filluar dhe zhvilluar jetën.
Neve na lipset të fillojmë, por përse dhe si?
“Përse”, do me thënë të kesh një mesazh dhe ti japësh kuptim jetës tënde.
“Si”, do të thotë të kesh njohuritë dhe shkathtësitë e duhura.
2 – Përse duhet të punosh?
Kjo është një pyetje e rëndësishme të cilës duhet ti përgjigjesh menjëherë: Përse kërkon të punosh?
Mos vallë sepse puna është ligj i jetës, sepse pas diplomimit dhe përfundimit të studimeve duhet gjetur një punë, duhet të martohemi, të lindim fëmijë... dhe në fund të kthejmë patkojtë nga dielli?
Mos vallë sepse nuk dëshiron të thuhet për ty se je i papunë?
Apo sepse ti preferon punën në vend të qëndrimit ulur gjithë ditën në shtëpi, gjumit pasdite dhe qëndrimit natën gjer në agim?
Mos vallë punon sepse të lipsen të holla për ti shpenzuar për të përmbushur qejfet e tua, në vend që të ti japin këto të holla prindërit të cilët të kërkojnë llogari për çdo qindarkë?
Apo sepse kërkon të përshpejtosh suksesin dhe përmbushjen e dëshirave të tua?
Apo sepse ke:
Ambicie dhe objektiva të cilat kërkon ti realizosh patjetër?
Përvoja të cilat synon ti përvetësosh nëpërmjet profesionit, për t’ia nisur një projekti tëndin personal?
Pasion për një fushë të caktuar dhe që kërkon t’ia fillosh menjëherë, për tu ndjerë i vetrealizuar dhe për të sjellë diçka të re në këtë fushë?
Nëse është kjo, dije se të duhen:
Arsim i vazhdueshëm.
Durim në profesionin ku do të punosh.
Entuziazëm i pashuar.
Të kesh ndjenjën e përgjegjësisë.
Tu përmbahesh normave morale të shëndosha dhe të dëlira, pasi je një person që ke një mesazh për të përcjellë.
Njohja e vështirësive dhe barrierave profesionale, ndaj të cilave duhet të dalësh fitimtar.
Vetëm kështu do të kesh sukses në menaxhimin e jetës tënde, si një profesionist i ri.
Hapi i parë: Arsimi i vazhdueshëm.
Do të ishte mediokritet i qartë nëse mendon se me tu shkëputur nga auditoret e fakultetit, nuk do të kesh më nevojë për tu arsimuar, se shpëtove nga provimet, emocionet para se të marrësh notat dhe informacionin që të duhej ta memorizosh në mendjen tënde. Përse? Sepse gjatë gjithë jetës ti arsimohesh, shkollohesh dhe mëson. Ti mëson nëpërmjet përvojave të jetës, nga përvoja e të tjerëve, nga komunikimi me të tjerët etj... Ne, ashtu siç zhvillohemi në aspektin profesional, zhvillohemi edhe në aspektin social. Shkurtimisht, e gjithë jeta jote duhet të jetë një rrugëtim drejt shkollimit dhe mësimit të pandërprerë. Mos vallë mendon se tashmë ke mësuar gjithçka rreth profesionit tënd, se ke parë gjithçka dhe u je përgjigjur të gjitha pyetjeve?
Sigurisht që jo, prandaj të duhet të vazhdosh të mësosh. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:” Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (Nahl, 78)
Njeriu lind i paditur, si një fletë e bardhë, mandej, Zoti i lartësuar e pajis me dije të domosdoshme. Vetë i dërguari i Zotit a.s thotë:”Dynjaja është e mallkuar me gjithëçka brenda, përveç përkujtimit të Zotit dhe gjithçkaje tjetër që ka lidhje me të, një i ditur dhe një nxënës dije.” (Tirmidhij dhe Ibnu Maxheh)
Myslimani që synon më shumë dije, nuk ngopet asnjëherë derisa të përmbushë ëndrrën e tij, xhenetin e amshuar.
Imam Ahmedi u pyet një ditë:”Deri kur do të vazhdosh të nxësh dije, aq më tepër që tani je imam i myslimanëve dhe dijetar i madh?” Ai u përgjigj:”Nga dita që kam marrë penën në dorë, deri ditën kur të varrosem në varr.”
Imam Shafiu thoshte:”Sa më shumë mësoj, aq më shumë e kuptoj sa i paditur jam.”
Por nuk duhet të harrojmë se thjesht informacioni nuk mjafton, pasi lipset të shoqërohet me punë dhe praktikë. Përgatitja nuk është e vlefshme nëse nuk shoqërohet me vepra.
A e di se cili është humanizmi i kërkuar prej teje? A i di cilat janë instrumentat që të lipsen gjatë jetës në tokë? A e di çfarë të kërkohet para se të punosh në një profesion të caktuar?
Hapi i parë për të menaxhuar jetën tënde si një profesionist, ishte arsimi i vazhdueshëm.
Hapi i dytë: Durimi karshi profesionit. Nuk do të mund të bësh durim në profesionin tënd, veçse nëse do i përmbahesh me rigorozitet arsimimit të vazhdueshëm. Thotë profeti Muhamed a.s:”Nxënia e dijeve nuk arrihet nëpërmjet rehatllëkut.” (Muslim) Nuk do të mund ti gëzohesh durimit që kërkon marrja e dijes, veçse nëse plotëson këto kritere:
Të japësh maksimumin
Të jesh i sinqertë në kërkimin e dijes
Këtë e konfirmon dijetari i shquar Ibnul Kajjim i cili thotë:”Kam vënë re diçka të çuditshme; Për të shtënë në dorë diçka të vyer dhe të shtrenjtë, lipset të përshkosh një rrugë të gjatë dhe të lodhesh shumë. Përderisa dija konsiderohet si gjëja më e fisme dhe më e vyer, nuk mund të merret veçse duke u lodhur, me pagjumësi, përsëritje të shpeshtë dhe heqje dorë nga kënaqësitë dhe rehatllëku.”
Thotë imam Shafiu:”Është obligim i nxënësve të dijes që ta përmbushin objektivin e tyre duke nxënë sa më shumë dije, të durojnë çdo gjë të pakëndshme që u vjen pa e kërkuar, të kenë nijet të pastër dhe të sinqertë me qëllim që dijen ta kuptojnë si nga aspekti literal ashtu dhe nga ai thelbësor. Kjo, shoqëruar me lutje e përgjërime që Zoti ti mbështesë dhe ndihmojë.”
Dikush e pyeti imam El-shabij se si e kishte nxënë gjithë atë dije. Ai iu përgjigj:”Duke mos u mbështetur tek të tjerët, duke shëtitur vend më vend, duke bërë durim si veshgjati dhe duke u zgjuar herët si sorrat.”
Veç kësaj, është mirë që herë pas here, të hedhësh sytë nga ajo që ke nxënë, nëse realisht ke nxënë apo jo, nëse këto dije të kanë afruar më shumë me Zotin, apo ti kanë prishur marrëdhëniet me Zotin dhe krijesat e Tij. Nëna e Sufjan Theurij i thoshte të birit:”O bir! Nëse ke shkruar dhjetë shkronja, shih nëse ta kanë shtuar devotshmërinë, urtësinë dhe autoritetin. Nëse nuk e konstaton këtë, dije se i ke bërë dëm vetes e jo dobi.”
Ti duhet të bësh durimin e një fisniku, jo durimin e një të ligu. Çdo njeri duhet të bëjë durim për të papriturat e jetës. Një i fisëm bën durim duke zgjedhur të bëjë durim, pasi e di fundin e durimit dhe se do të vlerësohet për këtë nga vetë Zoti i lartësuar. Kurse, i ligu bën durim nga halli, si ai që është lidhur e s’ka çtë bëjë. Ai e mëson zanatin nga zanatçinjtë dhe mandej i braktis me të arritur qëllimin duke mos ia ditur për ta. Kjo është ligësi e jo durim e fisnikëri. Prandaj një i ditur ka thënë:”Kush nuk bën durim si të fismit, harron siç harrojnë kafshët.”
I fismi duron si bindje ndaj të Gjithëmëshirshmit, kurse i ligu duron si bindje ndaj të paudhit.
Me këtë rast, ia vlen të citojmë thënien e Ibnul Kajjim:”Në nefsin e njeriut gjen mendjemadhësinë e Iblisit, xhelozinë e Kabilit, arrogancën e popullit të Adit, tiraninë e Themudit, guximin e Nemrudit, agresivitetin e faraonit, vetëpëlqimin e Karunit, paturpësinë e Hamanit, grykësinë e Bil’am-it, hilet e çifutëve të së shtunës, rebelimin e të porsalindurit dhe injorancën e Ebu Xhehlit.”
Jo vetëm kaq, por nefsi i njeriut i përngjan natyrës së disa kafshëve, në disa cilësi; lakminë e sorrës, servilizmin e qenit, mendjelehtësinë e palloit, inatin e devesë, pabesinë e nepërkës, kotësinë e majmunit, dinakërinë e dhelprës, lehtësinë e fluturës, poshtërsinë e hienës...
Prandaj, siç thotë dhe poeti:
Mos iu nënshtro njeriut për asgjë kafshë
Se kështu i hyn në hak fesë e nderit
Kërkoji Zotit të japë pa masë
Në dorë të Tij është parajsa dhe ferri
Përktheu: Elmaz Fida
/AO/