Ministria e Brendshme njofton se ka identifikuar 14 persona të moshës prej 14 deri 39 vjeç, të cilët gjatë protestave të së premtes kundër aksionit policor “Monstrum” kanë sulmuar me gurë Qeverinë dhe godinën e Komunës së Çairit. Sipas MPB-së janë identifikuar edhe personat që kanë sulmuar me gurë dhe gjësende tjera të forta edhe pjesëtarët e policisë, nga të cilat pësuan gjashtë policë dhe dy operatorë të televizioneve. MPB në konsultim me Prokurorinë Publike gjatë një procedure të rregullt, njofton se kundër këtyre 14 personave do të ngrejë padi penale nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në masë që planifikon të kryen vepër penale” masë kjo e paraparë me Kodin Penal. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup informojnë se po vazhdojnë të punojnë në zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e incidenteve, gjegjësisht identifikimin edhe të personave të tjerë të përfshirë në gurëzimin e Qeverisë dhe Komunës së Çairit, pas çka edhe kundër tyre do të ngritën padi adekuate. Në protestën e së premtes që u organizua menjëherë pas faljes së namazit të xhumasë me moton "Stop rasteve të montuara kundër shqiptarëve" kundër operacionit "Monstrum", morën pjesë një numër i konsiderueshëm i protestuesve. Ata protestuan para Qeverisë, para Gjykatës Shkupi 1 dhe më pas për disa çaste para selisë së BDI-së në Shkup dhe para godinës së Komunës së Çairit. Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Kumanovë, Gostivar dhe Tetovë gjegjësisht në Reçicë të Vogël para selisë së BDI-së. Valmir Kuçi