Gruaja e presidentit Egjiptian Muhamed Mursi u është adresuar mijëra mbështetësve të presidentit në një miting në Kajro, duke bërë kështu paraqitjen e parë që prej përmbysjes së burrit të saj.
Naglaa Mahmud - Mursi, zonja e parë e Egjiptit bëri një paraqitje të papritur në skenën ku mbahet demonstrata kryesore në kryeqytet. Ajo iu adreua mbështetësve të Mursit, ndërsa këta të fundit po festonin Fitër Bajramin në sheshin Rabaa el Adevije.
Zonja Mursi apeloi për kthimin e të shoqit, ndërsa turma brohoriste "Kthejeni Mursin”.
"Ai do të kthehet, dashtë Zoti," tha ajo gjatë paraqitjes së saj të parë që nga grushti ushtarak i 3 korrikut.
Fëmijët e Mursit u bashkuan me nënën e tyre në kampin e protestës dhe bënë thirrje për lirimin e babait të tyre.
Shtypi egjiptian fillimisht ka sugjeruar se zonja Mursi ishte takuar me presidentin në vend të fshehtë, por ajo nuk e ka komentuar një gjë të tillë.
Mursi po mbahet me ndihmësit e tij të lartë në një burg në jug të Kajros, por lokacioni i saktë mbetet i panjohur.
/mesazhi/