Shtëpia e muslimanit duhet të ndërtohet mbi bazat e kënaqësisë së Allahut të Lartësuar e të devotshmërisë ndaj Tij:
“A është atëherë më i mirë ai, i cili vuri themelin e ndërtesës së tij tek përkushtimi ndaj Allahut dhe kënaqësia e Tij, apo ai, i cili vuri themelin e ndërtesës së tij të paqëndrueshme buzë greminës, saqë u thërrmua bashkë me të në zjarrin e xhehenemit? Dhe Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë (politeistë, keqbërës).” (Tevbe, 109).
Muslimani duhet t’i kushtojë rëndësi përmirësimit të shtëpisë, familjes, sepse ai është bariu që ka përgjegjësi. Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Tahrimë, 6).
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Kur Allahu dëshiron të mirën e një familje, Ai lëshon dashurinë në mes tyre.” (Ahmedi)
Çifti duhet të ketë kujdes që të ndërtojë një familje të shëndoshë dhe të lumtur. Ky është themeli i suksesit të secilës familje. Kjo fillon me ndjenjën e secilit për kryerjen e obligimeve dhe detyrimeve, me ndjenjën e dashurisë dhe respektit. Kjo përfshin ndihmesën në çështjet fetare, siç është përpjekja për të forcuar imanin, rritjen e devotshmërisë nëpërmjet leximit të Kuranit, faljes së namazit të natës, dhënies së lëmoshës etj. Përmendja e Allahut mund të jetë me zemër, gjuhë, nëpërmjet namazit, leximit të Kuranit, leximit të dhikrit të mëngjesit e të mbrëmjes etj. E tërë kjo paraqet një hipotezë unike sipas të cilës melekët do të jenë prezent në shtëpinë tonë duke sjellë bekimin dhe mëshirën e Allahut.
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet Allahu është sikurse shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Muslimi)
I Dërguari i Allahut po ashtu ka thënë:
“Lexoni kaptinën El-Bekare në shtëpitë tuaja, sepse shejtani nuk hyn në atë shtëpi ku lexohet kaptina El-Bekare.” (Sahihul-xhami’)
Gjithashtu ka thënë:
“Kur bini për të fjetur lexoni Ajetul-Kursij, sepse keni mbrojtjen e Allahut dhe shejtani nuk mund t’u afrohet deri në agim.” (Buhariu)
Ramazani është muaj i Kuranit. Të parët tanë (selefët), kur hynte muaji i Ramazanit, angazhoheshin në leximin e Kuranit dhe i jepnin përparësi ndaj çdo ibadeti, saqë është transmetuar nga disa prej tyre se e përfundonin leximin e Kuranit çdo natë. Angazhohu me seriozitet, Allahu të mëshiroftë, në leximin e Kuranit në këtë muaj, lexoje atë rrjedhshëm, me meditim dhe përkushtim, duke iu përmbajtur rregullave të leximit sipas mundësisë që ke.
Ebu Bekri ishte prej atyre që qanin shumë, e në veçanti gjatë namazit dhe leximit të Kuranit.
Në fytyrën e Omerit gjendeshin dy vija të zeza nga të qarit e shumtë.
Uthmani e përfundonte Kuranin në një rekat.
Aliu qante në mihrabin e tij, gjersa i lagej mjekra nga lotët dhe thoshte: “Ti oj dynja mashtro dikë tjetër, sepse unë të kam shkurorëzuar tri herë.”
Katadeja e përfundonte Kuranin çdo javë, ndërsa në Ramazan e përfundonte çdo tri ditë, ndërsa në dhjetë netët e fundit e përfundonte Kuranin çdo natë.
Shtëpia e muslimanit në Ramazan jeton në devotshmëri dhe frikërespekt ndaj Allahut.
Shtëpia e muslimanit në Ramazan jeton duke praktikuar Sunetin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Shtëpia e muslimanit turpërohet prej Allahut të Lartësuar, aty nuk dëgjohet muzika, por dominon qetësia dhe përmendja e Allahut.