I dashuri lexues që në këto momente i ke mbërthyer sytë e tu dhe po vështron me kujdes rreshtat e këtij shkrimi…
Fakti që ti i lexon këto rreshta më shtyn më tepër që të jem pranë teje…
Prandaj të jam shumë mirënjohës. Edhe Allahu i Lartë urdhëron e thotë: "Falënderimi ndaj robit është edhe falënderim ndaj Meje" Kjo është edhe arsyeja që të falënderoj ty përzemërsisht.
Në fakt, nuk e di se ku ndodhesh tani që e lexon këtë shkrim. Nuk e di as se kush je? Ç’farë moshe ke? Ç’punë bën? Çfarë ndjenjash ke dhe në ç’prova kalon? Nuk e di as edhe çfarë të pëlqen apo ç’të mërzit. Kjo është edhe arsyeja që dëshiroj të ndaj me ty atë që kam për zemër, atë që ndjej. Gjithsesi jam i bindur dhe kam besimin e plotë që në një mënyrë apo në tjetrën ke për t’u ndikuar nga këto rreshta. Pasi në fund të fundit ne jemi vëllezër… Kjo pasi ti me hidhërimin apo gëzimin tënd, pak apo shumë më ngjason mua… Atëherë unë do të shkruaj me dëshirën që në çdo fjalë apo fjali të gjesh vend edhe ti, të zgjerosh horizontin tënd
dhe të gjesh prehje në të… Por, sa e lehtë është kjo? Mendoj se nuk është aspak e lehtë, por je ti i dashur lexues, që më jep forcë dhe kurajë për të qenë bashkë në çdo moment të leximit.
Shumë herë njeriu e ndien veten të pafuqishëm nga shumë e shumë ndodhi dhe ngjarje që sjell çasti. Mbetet përherë në një vetmi që as vetë nuk di ta shpjegojë, nuk di t’i gjejë një rrugëzgjidhje, e ka të vështirë për momentin të pranojë pafuqishmërinë e tij për realizimin apo kryerjen e asaj pune, por ja që vjen një çast kur e pohon me vetëdije të plotë se është i pafuqishëm dhe kërkon ndihmë. Dhe kjo ndodh tek çdo njeri, pa dallim moshe.
I pafuqishëm është fëmija që në çastet e para të zhvillimit të tij. Mundohet dhe përpiqet me të gjitha mënyrat që t’i realizojë gjërat pa ndihmën e "tjetrit", por që në një moment të caktuar dorëzohet dhe kërkon ndihmën e njeriut të tij më të afërt, pra të prindërve të tij. Dhe raste të tilla ndeshen shpesh, në rrugë, në ambiente sociale, në familje. Fëmija kërkon hapësirë të mjaftueshme për të manovruar gjithmonë në kërkim të vetvetes, në kërkim të realizimit të dëshirës e cila në të shumtën e rasteve mbetet dëshirë e momentit. Në botën e tij mendon se forca e tij është e mjaftueshme, por vjen shpejt çasti që pendohet dhe kërkon menjëherë mbështetje.
I pafuqishëm është i riu apo e reja të cilët në ballafaqim me të ashtuquajturën "adoleshencë" mbeten pre apo viktimë e shumë momenteve të padëshirueshme edhe për ta dhe në ato çaste pendohen duke pohuar në një mënyrë apo në një tjetër pafuqishmërinë e tyre dhe kërkojnë tek "të tjerët" përkrahje dhe rrugëzgjidhje për dalje nga situate. Sa raste të tilla hasim në të përditshmen tonë ku fillimisht kemi një vullnet të fortë dhe pothuajse të plotë në vazhdimësinë e rrugës, por që është "e mëvonshmja" ajo që sjell atë që në fakt në një farë mënyrë parashikohej dhe dihej. Por çfarë u mungonte këtyre të rinjve pikërisht në ato çaste? Pse vallë kishin mbetur pre të viktimizuar të atyre trishtimeve të errëta dhe të pafundme? Kush duhet t’u jepte forcë që të përballonin me sukses atë rrugë të vështirë që kishin nisur?
Të pafuqishëm janë edhe ata që e kanë marrë emrin "prindër" pasi në fund të fundit kanë mbi supe përgjegjësi të mëdha, "edukimin e qenieve" porosi këto të pashtershme. Shumë herë edhe ata mbeten pre e atyre viktimizimeve, shumë herë të padëshiruara, në çaste tepër delikate mendojnë se çdo gjë u ka shkuar bosh pasi pesha e tyre tashmë ka ndryshuar formën e saj duke u bërë mjaft e lehtë përpara atyre arsyeve me të cilat hasen pothuajse përditë. Kërkojnë të ndryshojnë moshë, por sa e mundur është për t’u arrirë? Dhe këtu mbetemi tek thënia e famshme e Sokratit "Ajo që di unë, është se nuk di asgjë"
Të pafuqishëm janë edhe moshat e vjetra. Këtu ndoshta kemi një situatë më ndryshe pasi këtu mendohet se kemi një pafuqishmëri që sjell mosha dhe ku brishtësia mbisundon mbi fizikun dhe arsyen. Gjithashtu ndryshimi i kohërave bën që edhe gjykimi i njeriut të kalojë në faza të ndryshme. Paralelisht me këtë kemi lidhjen shpirtërore ku gjyshërit tanë kërkojnë të pasqyrojnë tek më të vegjlit. Një dorë e moshuar prek një të mitur, një fëmijë jetim, një zemër të plagosur, një shpirt të përvuajtur, një fytyrë të vrarë që nuk ka parë për shumë kohë "mirësi" dhe "buzëqeshje".
Dhe të gjithë ne jemi pjesë e këtyre realiteteve dhe sidoqoftë mbetemi përherë të pafuqishëm përpara një fuqie absolute siç është fuqia e Allahut të Lartë. Kërkojmë ndihmë tek Ai gjithmonë në një emërues të përbashkët, pra në "lutje". Është e vetmja gjë që na bashkon në çdo moment. Virtytet e larta njerëzore mbeten përherë urë kalimi nga një zemër në tjetrën, mbeten gjithmonë një lehtësim për punët tona, duke gjetur përherë mirëkuptimin dhe tolerancën e shumëkërkuar. Dhe këto virtyte i gjejmë vetëm tek ato që njohin vetëm një emër, "devotshmërinë" për të arritur në tiparet konkrete të të qenit "njeri".
Evans Drishti