...Dhe nuk munda, nuk doja të ndahesha nga ai takim aq i afërt! E ndjeva të më ngjitej me këmbëngulje në hojëzat e mushkërive një aromë që e njihja para se të isha ngjizur njeri. Nuk doja të ndahesha prej atje...nuk munda...! Mu aty për herë të parë mu bashkuan dy gjysma të një së tëre..., mu aty për herë të parë ndjeva të më rrihte një zemër e plotë! Mu aty, më pranë se asnjëherë Zotit tim, putha me mall kokërriza rëre...dhe Zotin e kam dëshmitar; mu aty për herë të parë dëshirova të jem një kokërrizë rëre që pati puthur gjurmën Tënde!
Sa më kishtë marrë malli...
Sot diçka ndryshe e ndjeva të më digjte vaji në grykë, e kuptova se nuk mund të quhem ndryshe veçse një fukara që pret t'i falin një sexhadë të shtrirë në tokën Tënde, një sexhadë që mbart ato kokërriza krenare rëre që të patën puthur këmbët...Dhe sot diçka ndryshe të ndjeva në brendësinë time të varfër...
Ardhja Jote pati ftuar ecejaket e beharit...dhe dielli për të parën herë ngrohu si ylli më i madh, atë ditë kur erdhe Ti... Ka kaq shekuj që ngrohemi me rrezatime të akullta, sepse Ti ke ikur, e nga pas të ndoqi behari që solle atë muaj prill...
O Behar i jetës sime! Që atëherë dielli na rrezaton ftohtësi!
O "Ah" i shpirtit tim!
E kuptova pse Ti nuk e zbukuron madhërueshëm gjumin e gjithsecilit, se je aq i pastër! Dhe mos eja, mos eja në ëndrrën time, mos eja! Deri atëherë kur sytë e mi të bëhen të denjë për nurin Tënd; Ti mos eja!
O shpëtimtar i dy botërave të mia! Sot, qava nga malli për Ty, për sytë e tu të pagjumë, për këmbët tua që enjtëshin ndërsa Ti kërkoje të ishim umeti yt; qava pët lotët e tu ndërsa ti përgjëroheshe që ne të ishim të falur...
O melodi e harmonisë sime! Sot vrapova pas ca tingujve të dashuruar me Ty dhe dëshirova të isha pjellë e një kallamishteje...
Ëndërrova tek më prisnin trupin e qullët, ndjeva të thahesha nën diell, të shpohesha me hekur të skuqur...
Ëndërrova të isha fyell, të puthja buzët e një artisti...e fryma e atij që më përkëdhelte brendësinë të përkthente dashurinë time duke të dhuruar qindra selame...