Kur Islami - dhe në rastin konkret Muhammedi alejhis-selam, aq i kanë mahnitur dhe i mahnitin njerëzit e mençur dhe qëllimmirë të të gjitha epokave, kombeve, përkatësive fetare, për më tepër, pa marrë parasysh statusin e tyre social dhe profesionin, atëherë si të sqarohet incidenti më i ri, në serinë e shpeshtuar të primitivizmit antiislam!?
Ferid MUHIQ
Mesazhi, fjalët dhe vepra e Muhammedit alejhis-selam, me të cilat në mënyrë të patejkalueshme janë promovuar vlerat më të larta humaniste, morali, ndershmëria, drejtësia, sinqeriteti, falja, toleranca ndaj të gjitha religjioneve dhe kulturave tjera, si dhe përkushtimi i pa rezervë për traditën dhe religjionin islam, që nga fillimi kanë tërhequr dhe akoma tërheqin vëmendjen e mendjeve më të mëdha të njerëzimit. Praktikisht, nuk ka filozof të madh, shkencëtar, shkrimtar, politikan, artist, sportist, i cili nuk ka qenë i mahnitur nga Muhammedi alejhis-selam dhe nga misioni i tij epokal. Romancieri Tolstoj, hulumtuesi i thellësirave detare Kusto, filozofi Garodi, kancelari Bizmark, gjeniu i Vajmarit Gete, sportisti i shekullit Muhamed Ali, madje edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Francës Torez, këtë mahnitje të tyre e kanë shkrirë në aktin e pranimit aktiv të Islamit si religjion të vetin dhe përcaktim shpirtëror. Motivet e një zgjedhjeje të këtillë në mënyrë precize i përmbledh vetë Leon Nikolaeviç Tolstoj:
“Sa i përket dhënies përparësi Islamit ndaj ortodoksizmit... unë tërësisht e përkrahi atë që vendos për Islamin. Kjo mund të duket si diç e habitshme kur bëhet fjalë për mua, sepse unë, mbi të gjitha, i respektoj idealet e krishterimit dhe mësimit e Jezusit në kuptimin tyre burimor, por prapëseprapë, nuk kam kurrfarë dyshimi se Islami qëndron më lartë se kisha ortodokse. Prandaj, po qe se dikujt i jepen dy zgjedhje: të zgjedh në mes ortodoksizmit dhe Islamit, secili njeri i mençur pa mëdyshje do të vendos për Islamin, për shkak të një Zoti dhe të dërguarit të tij, Pejgamberit Muhammed alejhis-selam dhe mesazhit të cilin ai e përcjell...” (Jasnaja Poljana, 16 mars, 1909).
Kur Islami - dhe në rastin konkret Muhammedi alejhis-selam, aq i kanë mahnitur dhe i mahnitin njerëzit e mençur dhe qëllimmirë të të gjitha epokave, kombeve, përkatësive fetare, për më tepër, pa marrë parasysh statusin e tyre social dhe profesionin, atëherë si të sqarohet incidenti më i ri, në serinë e shpeshtuar të primitivizmit antiislam!? Qëllimi është më tepër se i qartë: futja e frikës te muslimanët! E tërë bota tanimë është me dinjitet të thyer, idealet e larta janë shkatërruar, frika dominon në mbarë planetin! Punëtorët më nuk ekzistojnë si faktor shoqëror, edhe më pak si faktor politik; fshatarët janë bërë më pak të rëndësishëm se sa prodhimet e tyre, patatet ose specat; arsimi në të gjitha nivelet ka rënë në gjunjë, me detyrim që në mënyre pasive dhe pa komente t’i zbatojë direktivat e ministrive; mjekët, inxhinierët, teknologët janë shndërruar në robër të pronarëve të tyre; artistët realizojnë tema paraprakisht të caktuara në projekte të rrjetëzuara, punëtori, koloni figurative. Ata të paktët që kanë guximin kohë pas kohe të rebelohen rrugëve të Parisit, Madridit, Athinës, Moskës, Nju Jorkut, Tokios... marrin doza të pakufizuara të kërbaçëve, lotsjellësit, topave ujorë, kurse më të guximshmit arrestohen dhe i nënshtrohen torturës policore!
Qëllimi që populli, njerëzit e rëndomtë të gjithë planetit, të frikësohen, t’i nënshtrohen frikës dhe kështu plotësisht të dorëzohen, veç më është arritur në të gjitha pjesët e botës dhe te të gjithë popujt - përveç te muslimanët! Feja e tyre, e cila i obligon t’i nënshtrohen vetëm një Zoti të vetëm - All-llahut Fuqiplotë - njëherit i mëson që t’i kenë frikë vetëm Atij! “Zotët e Frikës” e dinë mirë se qëllimi i tyre për ta kontrolluar gjithë botën, nuk mund të realizohet përderisa në botë të ekzistojë madje edhe një musliman i vërtetë! Sepse ai nuk do tu nënshtrohet dhe nuk do të ketë frikë prej tyre! Ai do t’i nënshtrohet vetëm Atij dhe do të ketë frikë vetëm nga Ai, dhe do ta dojë Muhammedin alejhis-selam, si njeri i zgjedhur të cilit i është dhënë shpallja që t’ua përcjellë njerëzve Fjalën e tretë dhe të fundit të Zotit! Ajo Fjalë është se njerëzit nuk kanë të drejtë t’i nënshtrojnë njerëzit tjerë, dhe se asnjë njeri nuk duhet të ketë frikë nga njeriu tjetër. Prandaj demonizohet Islami, prandaj satanizohen muslimanët, prandaj organizohen shfaqje të tilla të primitivizmit antiislam! Që të harrohet kjo e vërtetë e madhe dhe frika të përhapet mbi të gjithë popujt dhe në gjithë botën! Që të mbillet frika edhe tek shpirtrat e fundit të panënshtruar, duhet të rrënohet edhe bastioni i shenjtërisë së muslimanëve - lidhshmëria me religjionin e tyre dhe respekti ndaj Pejgamberit të tyre, Muhammedit alejhis-selam. Sepse pikërisht në ndjenjën e shenjtërisë është përmbledhur e tërë e vërteta për barazinë e gjithë njerëzve, dhe e drejta e tyre që t’i nënshtrohen vetëm Krijuesit të botëve!
Kodeksi etik islam, tradita e Islamit, nuk lejon ofendimin e asnjë religjioni dhe të asnjë të dërguari të Zotit, të gjithëve pa përjashtim, që nga krijimi e deri te Muhammedi alejhis-selam - pikërisht që mos të preket themeli shpirtëror dhe institucioni shoqëror i shenjtërisë së asnjë populli. Megjithatë, kodeksi islam, absolutisht dhe pa mëdyshje, ua jep të drejtën, madje edhe i obligon muslimanët që mos të lejojnë kurrfarë ofendimi të institucionit të tyre të shenjtërisë, e kjo domethënë, të Islamit, si mësim për një Zot dhe njohje të Muhammedit alejhis-selam si i dërguar i Zotit!
E ata, o ju muslimanë, të cilët duan t’ju frikësojnë dhe në mesin tuaj të fusin frikë, do të frikohen nga ju dhe frikën do ta mbjellin në zemrat e veta, gjithnjë përderisa ju e mbroni fenë tuaj!
Me rastin e provokimeve të fundit dhe shpifjeve të ndyta mbi personalitetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe misionin e tij fisnik, Forumi Rinor Islam dhe gazeta KOHA, gjatë këtyre ditëve do t’ju ofrojnë lexuesve disa artikuj, në kuadër të fushatës javore “Profeti Muhammed, simbol i paqes”, si një kontribut modest në drejtim të shtjellimit të drejtë të figurës madhore të Vulës së Pejgamberisë!