Me rastin e Kurban Bajramit dhe me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Xhamia e Wetzikonit në Kantonin e Cyrihut në Zvicër, organizoi shpërndarjen e bakllave për kalimtarët e rastit para qendrës më të madhe tregtare në këtë qytet, Oberland Mart.
Me këtë rast, janë shpërndarë mbi 400 bakllava, lëngje dhe çokollada për fëmijë. Ky aktivitet u mbulua edhe nga gazeta zvicerane Zurcher Oberlander.
Ky ishte rasti i parë që kjo xhami që nga ekzistimi i vet që zhvillon një aktivitet të këtill me rastin e Kurban Bajramit. Ky aktivitet u mirëprit nga zviceranët, ngase nji pjesë bukur e mirë e tyre jo vetëm që merrnin nga një bakllava, por edhe interesoheshin për festën e Kurban Bajramit dhe domethënien e saj.
Me këtë rast, imami i Xhamisë së Wetzikonit Bashkim Aliu, zhvilloi biseda për domethënien e Kurban Bajramit dhe të këtij aktiviteti, duke u shprehur se në këtë mënyrë, muslimanët e tregojnë zemërgjërësinë e tyre ndaj tjerëve.