Ky është rezultati i studimit "E ardhmja e popullsisë muslimane globale " të bërë nga forumi Religion&Public Life në SHBA, sipas të cilit, në vitin 2030, nga 8,3 miliardë njerëzit në Tokë, 26.4 për qind do të jenë musliman.
Kjo do të paraqesë tre përqindëshin e rritjes nga 23.4 përqindëshi aktual nga gjithsej 6,9 miliardë banorë në botë. Duke përdorur shkallët e natalitetit, vdekshmërisë dhe migracionit, hulumtuesit e këtij forumi, parashikojnë se në dy dekadat e ardhshme, numri i muslimanëve në botë do të rritet me një normë vjetore prej 1.5 përqind, ndërsa numri i popullsisë jo-muslimane për vetëm 0.7 përqind.
Siç tregojnë rezultatet e hulumtimeve, deri në vitin 2030. Pakistani do ta tejkaloj Indonezinë, si vendi më i populluar musliman në botë. Në Afrikë, popullsia muslimane e Nigerisë do të tejkaloj popullsinë e Egjiptit, ndërsa në Evropë numri i muslimanëve në 20 vjetët e ardhshëm do të rritet për një të tretën, nga 44,1 milion në 58,2 milion ose nga 6 në 8 për qind të popullatës së përgjithshme. Në disa vende të Unionit Evropian, të tilla si Suedia, përqindja e muslimanëve do të dyfishohet në krahasim me popullsinë e përgjithshme.
Në Francë dhe Belgjikë, muslimanët në vitin 2030, do të arrijnë më shumë se 10 për qindëshin e popullsisë, në Austri, 9,3 për qind dhe në Britaninë e Madhe 8.2 për qind. Rusia do të vazhdojë të ketë popullsinë më të madhe muslimane në Evropë, me 18,6 milion muslimanë ose 14.4 për qind të popullatës së përgjithshme, ndërsa përqindja e atyre në SHBA (1.7 për qind), edhe më tej vazhdon të jetë një pjesë e vogël e popullsisë, edhe pse në numrat absolut (6,2 milion) do të tejkalojë numrin e përgjithshëm të muslimanëve në vendet evropiane, duke mos përfshirë Rusinë dhe Francën, thuhet në këtë studim.
Sipas njoftimeve nga ‘VoaNews’ të dhënat nga Almanaku botërorë për vitin 2012. thonë se numri i atyre që e kanë përqafuar Islamin është rritur pas 11 shtatorit 2001. Bashkësia fetare me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara është ajo muslimane. Sipas statistikave, 20.000 amerikanë, kryesisht me origjinë hispanike dhe afrikane, brenda vitit konvertohen në Islam.
San Antonio është qyteti i shtatë më i madh në Shtetet e Bashkuara, popullsia e të cilit është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit, dhe shënon një rritje të vazhdueshme ekonomike në vitet e recesionit. Dikur San Antonio kishte vetëm një xhami, por sot ky qytet ka katër xhami. Imami Sheikh Yusuf Said thotë se ky komunitet për çdo muaj pasurohet me 5 deri në 9 muslimanë.