106 njerëz u vranë në Siri, pasi forcat besnike të presidentit Bashar Al Asad sulmuan një fshat të vogël bujqësor në pjesën qendrore të vendit.
Sulmi iu bë fshatit Hasvijeh, pranë qytetit të Homsit. Raportohet se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, por vetëm tani informacioni u bë publik.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut vë në dukje se numri i të vdekurve në Hasvijeh ka shkuar në 106, dhe tha se disa nga të vdekurit janë djegur brenda shtëpive të tyre, ndërsa të tjerët u vranë me thika dhe armë të tjera". Observatori shtoi se ka raporte se "familje të tëra u ekzekutuan, dhe një prej tyre përbëhej nga 32 anëtarë."
Youssef al-Homsi, një aktivist i Homsit, konfirmoi lajmin. Ai i dërgoi agjensisë Associated Press përmes Skype listën prej 100 emrave që thuhet se janë vrarë. Përveç familjeve të tëra, lista përfshinte emrat e 15 grave dhe 10 fëmijëve.
Një zyrtar i qeverisë në Damask kategorikisht mohoi raportet e “kasaphanes”, duke thënë se nuk ka vrasje të tillë. Ai tha se "ushtria mbron civilët dhe pronat e tyre," dhe akuzoi “rebelët” për përdorimin e civilëve si "mburoja njerëzore”. Ai foli në kushte anonimiteti për shkak se nuk ishte i autorizuar për të informuar mediat.
Megjithatë, gazeta Al-Watan njoftoi të enjten se trupat siriane kanë avancuar në fshatrat e Homsit. OKB thotë se të paktën 60.000 njerëz janë vrarë në konfliktin 22 mujor në Siri.
/mesazhi/