[Only admins are allowed to see this image]Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
Çdo gjë në ekzistencë ka urtësinë, fadiletin e tij, vetëm se duhet njohur atë. Disa gjëra janë të një vlere shumë të madhe, ndërkohë që disa të tjera janë më pak të vlefshme dhe më pak të rëndësishme, mirëpo, nuk ka diçka që ka krijuar Zoti e të mos ketë vlerë dhe të jetë e parëndësishme.
Është detyrë e njeriut që t’i njohë urtësitë dhe vlerat e gjësendeve, fenomeneve, njerëzve, obligimeve, etj. Të kësaj natyre janë edhe urdhëresat dhe ndalesat e Allahut të Madhërishëm, të cilat, s’do mend se janë në dobinë dhe për të mirën e njeriut. Një nga adhurimet më të rëndësishme të diskutuara dhe studiuara më shumë është dhe agjërimi.
Fillimisht duhet ditur që qëllimi kryesor i agjërimit është që ta ngrejë njeriun në nivelin më të lartë të devotshmërisë (takvallëkut). Këtë e mësojmë shprehimisht në librin plot urtësi të Allahut xh.sh. Kuranin Famëlartë[b style="font-size: 1em; outline: 0px; padding: 0px; margin: 0px; border: 0px; vertical-align: baseline;"]: “O besimtarë. Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat dhe të arrini devotshmërinë…”[/b] (Bekare, 2: 183-184.)
Nga të mirat e agjërimit, po ashtu, është edhe ajo se ai e mbron besimtarin në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë kontekst kemi një hadith të profetit të Zotit, Muhammedit a.s., i cili, në një rast, një shokut të tij, Muadh ibn Xhebelit, i pati thënë: “A dëshiron të të udhëzojë kah dyert e mirësisë?”Atëherë agjëro, sepse agjërimi është mburojë, ndërsa sadakaja i shlyen mëkatet, ashtu sikurse uji e shuan zjarrin”.
Një tjetër bukuri dhe gëzim është edhe agjërimi i të rinjve dhe të rejave në Ramazan, të cilët, për hir të Zotit, pranojnë që përkohësisht t’iu shmangen dëshirave kalimtare të kësaj bote. Zoti i gjëthësisë, agjëruesit e rinj, i ka krahasuar edhe me melekët, ku në një hadith kudsi thotë: “O ti i ri, që për hatrin Tim ke lërë pasionin tënd, ti që për Mua sakrifikon rininë tënde, vlera jote tek Unë është sikur vlera e një melaqeje.”
Me fjalë të tjera, me agjërim forcojmë bindjen në Zotin, forcojmë lidhjen me besimin, ngrisim moralin, freskojmë shpirtin dhe ripërtërijmë qenien tonë.
Të dashur vëllezër e motra, të përpiqemi që agjërimin ta bëjmë përmbajtësor. Të shkojmë me familjarët tanë në xhami në namazet ditore dhe teravi, në mukabele dhe vaze. Me gëzim dhe hare ta presim syfyrin, kurse në iftaret tona krahas prindërve dhe kushërinjve le të ketë edhe fqinjë dhe varfanjakë. T’i falënderohemi Allahut që na e dhuroi tërë këtë. Agjërimi është mbrojtja jonë, në ramazan dhe më vonë, nga sëmundja, mëkati dhe dobësia.
Rezultatet e tij na çojnë kah fati i mirë në të dy botët. Ky është synimi ynë skajor i mirësjelljes sonë në këtë botë kalimtare. Për fund, lusim Allahun xh.sh. të na begatojë të gjithëve, dhe të na i pranojë punët e mira, e të na falë neve dhe juve. Zot ynë, bëje agjërimin të lehtë për ne! Amin!
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 05.07..2013)
[b style="font-size: 1em; outline: 0px; padding: 0px; margin: 0px; border: 0px; vertical-align: baseline;"](Breziiri)[/b]