[Only admins are allowed to see this image]“Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i falen të gjitha gabimet e tij” - Profeti Muhamed (a.s)
Dr. Jamal Badawi
Dobitë e Ramazanit nuk kufizohen vetëm tek elementët “shpirtërorë” dhe të përkohshëm të jetës. Në Islam elementi shpirtëror, social, ekonomik, politik dhe psikologjik bashkohen në një tërësi të qëndrueshme dhe të bashkuar.
Për një prezantim më të mirë, rëndësia e agjërimit diskutohet në katër nëntituj: shpirtëror dhe moral, psikologjik, social dhe fizik e mjekësor.
Elementët shpirtërorë dhe moralë
1- Para së gjithash, agjërimi është një akt bindjeje dhe nënshtrimi ndaj Zotit. Nënshtrimi dhe përkushtimi bazohen mbi dashurinë për Zotin dhe përpjekja e sinqertë për të fituar kënaqësinë e Tij, si dhe për të shmangur pakënaqësinë e Tij. Nëse kjo është arsyeja e vetme e agjërimit, atëherë pa dyshim që ajo mjafton.
2- Agjërimi është një veprim, më anë të të cilit njeriu pranon, se Zoti është Udhëzuesi dhe Furnizuesi i vetëm i universit. Vetëm prej mëshirës së Tij, ne ekzistojmë dhe jetojmë.
3- Agjërimi është një mënyrë për të shlyer gabimet tona. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i falen të gjitha gabimet e tij”. (Ahmedi)
4- Agjërimi e mëson besimtarin të veprojë në përputhje me fenë dhe t’i frikësohet Zotit. Nëse besimtari është i gatshëm të frenojë veten nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime, ai do të jetë në një pozicion më të mirë për të shmangur gjërat dhe veprimet e palejuara.
5- Agjërimi i mëson besimtarit sinqeritetin. Ndryshe nga veprat e tjera të adhurimit, ai bazohet plotësisht tek vetëpërmbajtja. Të tjerët nuk mund ta dinë me siguri, nëse personi po agjëron apo ka ngrënë diçka fshehurazi. Vetëpërmbajtja kërkon një shkallë të lartë sinqeriteti dhe besimi.
6- Agjërimi na mëson dhe virtyte të tjera. Agjërim nuk do të thotë vetëm të mos hash dhe të mos pish. Në thelb do të thotë të largohesh nga të gjitha veset e gjërat e këqija. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Nëse besimtari nuk largohet nga gënjeshtra me fjalë dhe me vepra, atëherë Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen”. (Buhariu)
7- Fryma e Ramazanit me faljen e teravive, leximin e shpeshtë dhe studimin e Kuranit, na jep mundësinë e ripërtëritjes shpirtërore.
8- Agjërimi është një lloj xhihadi (të përpiqesh në rrugën e Zotit). Ai na mëson disiplinën dhe rrit aftësinë e besimtarit për të kontrolluar nevojat dhe dëshirat e tij dhe jo të bëhet rob i tyre.
Elementët psikologjikë
1. Ai rrit ndjenjat e paqes së brendshme, të kënaqësisë dhe të optimizmit. Këto ndjenja vijnë si rezultat i arritjes së kënaqësisë së Zotit.
2. Ai mëson durimin dhe këmbënguljen dhe rrit ndjenjën e përmbushjes morale.
3. Largimi i qëllimshëm nga ushqimi i lejuar, na bën të vlerësojmë mirësitë e Zotit, që zakonisht merren si të mirëqena.
4. Për një muaj të tërë, çdo vit, myslimanët përjetojnë një eksperiencë ndryshe dhe emocionuese, që prish rutinën normale të jetës. Kjo, jo vetëm që është ripërtëritëse, por i mëson njeriut të përshtatet me kushtet dhe rrethanat e ndryshme në jetën e tij.
Elementët socialë
1. Agjërimi nxit frymën e unitetit dhe të përkatësisë brenda komunitetit më të madh mysliman. Miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë në të njëjtin muaj; duke iu përmbajtur rregullave të njëjta.
2. Agjërimi nxit frymën e barazisë së njerëzve para Zotit. Myslimanët: meshkujt dhe femrat, të pasurit dhe të varfrit nga të gjitha racat etnike, përjetojnë të njëjtën eksperiencë, pa privilegje të veçanta për një klasë apo grup të veçantë.
3. Agjërimi nxit frymën e bamirësisë dhe të keqardhjes ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Një i pasur mund ta “imagjinojë” vuajtjen e të varfrit dhe “të mendojë” për urinë. Askush nuk mund ta dijë vuajtjen apo urinë, nëse ai nuk “e përjeton” apo nuk e “ndjen” vetë atë. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht, përse Ramazani njihet gjithashtu si muaji i bamirësisë dhe i bujarisë.
4. Agjërimi nxit shoqërimin me të tjerët. Myslimanët këshillohen të ftojnë të tjerët që ta hapin iftarin së bashku dhe të bashkohen bashkë për të lexuar Kuranin, për t’u falur, për të bërë vizita. Kjo krijon një mundësi të mirë për shoqërizimin në një atmosferë vëllazërore dhe shpirtërore.
Profeti Muhamed (a.s) e ka përmendur në më shumë se një rast, se të ftosh një agjërues që ta hapësh iftarin me të, është një vepër që shpërblehet shumë nga Zoti.
Elementët fizikë dhe mjekësorë
Për dobitë shëndetësore dhe mjekësore të agjërimit është shkruar shumë nga shkencëtarët myslimanë dhe jomyslimanë. Këto dobi përfshijnë: asgjësimin e substancave dhjamore nga rrjedhja e gjakut, duke ndihmuar në kurimin e shumë llojeve të sëmundjeve të stomakut dhe të zorrëve, si dhe përtëritjen e indeve të trupit.
Në ato raste kur sëmundja e një personi rëndohet për shkak të agjërimit, ai person nuk duhet të agjërojë. Për ata që kanë disa zakone të padëshirueshme nga Islami, si ngrënia e tepërt ose pirja e duhanit, vetëkontrolli dhe disiplina e ushtruar gjatë Ramazanit u japin atyre një mënyrë të shkëlqyer për t’i hequr këto vese.
Dr. Jamal Badaui është profesor në Universitetin e Shën Marisë në Halifaks të Kanadasë, ku ai jep mësim në fushat e menaxhimit dhe të studimit fetar. Ai është autor i shumë veprave për aspekte të ndryshme të Islamit. /AO/