Trazira në Libi, 48 të vdekurE shtune 16 Nëntore 2013 12:42
Së paku 48 persona kanë humbur jetën dhe 300 të tjerë janë plagosur në Tripoli të Libisë, pasi një grup i armatosur hapi zjarr ndaj protestuesve të cilët po bënin thirrje që grupet e armatosura të largohen nga vendi.
Demonstratat e djeshme erdhën pas thirrjeve të imamëve, të cilët gjatë namazit të xhumasë bënë thirrje për protesta kundër grupeve të armatosura dhe ish-luftëtarëve që refuzuan të çarmatosen pas rrëzimit të diktatorit Muamer Gadafi.
Protestat u shoqëruan me flamuj të bardhë, si shenjë e paqes, teksa protestuesit marshonin në sheshin Meliana të kryeqytetit.
Menjëherë pas ngjarjes, kryeministri libian Ali Zeidani tha se të gjitha grupet e armatosura duhet të largohen nga Tripoli, pa përjashtim. Ai tha se prania e armëve në duart e milicive është e rrezikshme dhe e dëmshme për shtetin e Libisë.
Libia është përpjekur të bashkëpunojë me grupet e armatosura, duke u ofruar atyre paga qeveritare dhe duke i punësuar në radhët e forcave të sigurisë. Por grupet e armatosura asnjëherë nuk gjetën kompromis me qeverinë e brishtë në Libi, e cila ende nuk e ka marrë veten që nga rrëzimi i diktaturës. /mesazhi/