- Admin shkruajti:
- Në kinemanë City Centar të Gostivarit për katër ditë radhazi u shfaq premiera e filmit turk “Selam”. Filmi i cili u pritë shumë mirë nga publiku dhe kishte interesim të madh për të, do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Përmbajtja e tij tregon se në botë ende ka njerëz idealistë dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë veten në shërbim të njerëzimit.
“Duke e shikuar këtë film, i cili ka plot skena emocionuese, mendoj se njeriu nuk mund t’i kontrollojë ndjenjat dhe lotët “, u shpreh Erzan Nesimi.
Hakim Diko, ligjërues i gjuhës frënge dhe latine në gjimnazin e Gostivarit shprehu mirënjohje për Fondacionin Shafak, i cili mundësoi që ky film me plot emocione të jetë pranë adhuruesve të kinematografisë në këtë qytet. “Nuk mund të gjej fjalë që t’i përshkruaj emocionet që dolën nga ky film. Tematika ishte nga jeta aktuale dhe mendoj se ky film i ka dhënë plotësisht kuptimin emërtimit të vet. Jam falënderues të gjithëve që kontribuuan dhe mundësuan që ky film të jetë në mjedisin tonë”.
Stomatologu Arben Useini: “Në jetën bashkëkohore, ku akoma ka njerëz të cilët sakrifikojnë jetën e tyre, duhet të kenë vlerësime meritore. Arsimtari i cili e sakrifikoi jetën e tij për nxënësit e tij, prej të cilëve njëri ishte mysliman dhe tjetri ortodoks, ishte skena kulmore dhe më prekëse. Tek këta njerëz mund të shihet një heroizëm i pa kontestueshëm, duke sakrifikuar veten pa pikë interesi”.
Ilker Hilali, teknik dhëmbësh: “Filmi ishte emocionues dhe i mrekullueshëm. Për shembull, arsimtari me sakrificën që bëri për t’i shpëtuar të tjerët, në një kacafytje që u bë në mes dy nxënësve me religjione të kundërta, nuk e përkrahu asnjërin prej tyre, por flijoi veten e tij. Në film, një grua me origjinë serbe shprehet me këto fjalë, “Paraardhësit tuaj këtu nuk erdhën me shpatë, por me selam (përshëndetje)”, që do të thotë se ai që vjen me selam edhe mikpritja ndaj tij bëhet në të njëjtën mënyrë.
Filmi “Selam”, i cili u shfaq 4 ditë radhazi, i bëri shikuesit me plot emocione. Pas përfundimit të filmit, shikuesit të ngritur në këmbë shprehën kënaqësinë e tyre me duartrokitje të gjata.
Junus Mislimi, GOSTIVAR-ZAMAN SHQIP