E kush më mirë se Allahu mund ta njohë trupin tonë. Ai është Krijuesi ynë, e si rrjedhojë ai e di se çfarë ka brenda nesh. I gjithë trupi ynë është një mrekulli, duke filluar që nga pamja e jashtme, lëkura, flokët e duke vazhduar te organet e brendshme, si truri e zemra.
Do të ishte një studim gjithëpërfshirës po të mendonim se do të merremi me studimin e të gjitha pjesëve të trupit njëherësh. Një vëmendje të veçantë sot do t’i kushtohet marrëdhënies zemër-tru. Dimë që truri është një organ shumë i ndërlikuar në trupin e njeriut. Ai përbëhet nga inde shumë të zhvilluara, nga receptorë që marrin e çojnë informacion dhe nga mijëra e mijëra qeliza të ndërlikuara për nga ndërtimi, e megjithkëto ne nuk kemi fakte bindëse shkencore që truri ynë është i aftë të kryej rolin e drejtuesit në organizmin tonë.
Në disa studime të bëra në këto dekadat e fundit është vënë re me anë të fijeve elektrike, se truri në kryerjen e një veprimi merr një komandë nga zemra. Është zemra ajo që çon informacionin e parë në tru. Të gjithë themi shprehjen: “Të dua me zemër, të kam në zemër” etj., por rrallëkush e ka menduar se ne duam dhe mendojmë me zemër. Ky fakt pra, që ne mendojmë më parë me zemër dhe pastaj me tru, nuk është vërtetuar përfundimisht nga faktet shkencore, por për sa kohë që nuk dihet me siguri shkencore se ne mendojmë me tru, kemi të drejtë të mendojmë se zemra është truri ynë i parë, ai tru që i jep urdhra trurit qendror për veprim etj.
Kardiologu i mirënjohur Maksi Hoxha rreth kësaj teme shprehet optimist se shkenca do të ecë përpara, por ky fakt mbetet ende për t’u konfirmuar. Duke lidhur faktet shkencore me ato kuranore si në këto raste:
“Vallë, nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë, por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor” (El-Haxh, 46).Allahu (xh.sh.) e ka përcaktuar funksionin dhe vendin e zemrës. Ai e ka bërë atë mjet të të menduarit dhe e ka vendosur atë në krakaror. Zemra nuk është vetëm një muskul pa ndienja që pompon gjak të ngopur me oksigjen në organizëm, ajo është muskul që mendon, ndien dhe na drejton në aktivitetin tonë jetësor.
A mundet, vallë, njeriu të ketë veprime e reagime të zhveshura nga ndienjat?
Sot shkencëtarët flasin për rolin e madh që luan zemra në proçesin e të kuptuarit.
Në Kuranin e Madhëruar është përcaktuar qartë, dhe jo në mënyrë abstrakte, se ku është vendi i zemrës në trupin e njeriut dhe se çfarë funksioni luan ajo në trup. Zemra luan në trupin e njeriut funksionin e të kuptuarit.
Në Kuran thuhen edhe disa fakte të tjera në lidhje me gjendjen e njeriut:
“Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta” (El-Bekare, 74).Zemra jonë ka dy karakteristika: e fortë dhe e butë. Janë bërë studime rreth butësisë e fortësisë së zemrës dhe është arritur në përfundimin se zemra e njeriut ka me mijëra qeliza, të cilat secila në vetvete përmban informacion.
Mendohet madje që në zemër ka një pjesë, e cila quhet edhe kujtesa e zemrës. Është vërtetuar se zemra ka ndikim dhe luan një rol të madh në funksionimin dhe punën e shumë organeve të trupit. Një ndër organët, te i cili zemra ka ndikim të drejtpërdrejt është dëgjimi. Nëse kemi një çregullim në zemër, atëherë të dëgjuarit dëmtohet në masa të ndryshme, madje deri edhe në humbje të shqisës së të dëgjuarit.
Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë ka thënë:
“I dënojmë për gjynahet e tyre dhe ua vulosim zemrat që të mos dëgjojnë”.Por mendohet se zemra ka një rol shumë të rëndësishëm edhe në procesin e të nxënit dhe të të mbajturit mend të gjërave. Mendohet që gjatë të nxënit zemra ndikon në qelizat e trurit, madje i orienton ato, por edhe në Kuran e gjejmë lidhjen mes zemrës dhe dijes:
“Allahu ua ka vulosur atyre zemrat dhe ata nuk dinë” (Et-Teube, 93).Por është eksperimentuar e studiuar dhe është vënë re një fakt shumë interesant dhe i habitshëm, se gjatë proçesit të gënjeshtrës në tru aktivizohet pjesa ballore e trurit, por nga ana tjetër në zemër ruhet informacioni i vërtetë, dhe si rrjedhojë ruhet informacioni origjinal dhe i pa deformuar. Një përputhshmëri me këtë studim është edhe ajeti i Kuranit:
“Ata thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre” (El-Fet’h).
Është vënë re se personat me zemër artificiale kanë pasur probleme me humbjen e ndienjave e deri të besimit dhe nuk kanë ndier më asgjë. Ata as nuk kanë më frikë e as nuk tremben më.
“O i Dërguar i Allahut! Mos u brengos për ata që zhyten shpejt në mosbesim, qofshin nga ata që me gojën e tyre thonë “Besojmë”, ndërkohë që zemrat e tyre nuk besojnë…” (El-Maide, 41).Sipas Kuranit të Madhëruar dhe sunetit njeriu dhe funksionimi i mirë i trupit të tij do të përmirësohet kur zemra e tij të jetë e pastër dhe e shëndoshë nga aspekti i moralit.