[Only admins are allowed to see this image]Në një hadith që citohet në librin “Nejlul Eutar”, thuhet se Ebu Ejub Ensari e ka dëgjuar Profetin a.s të thotë:”Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë agjërim nga muaji Sheval, është njëlloj sikur ka agjëruar gjithë jetën.”
Imam Ahmedi transmeton një hadith të ngjashëm, ku Theuban tregon se e ka dëgjuar Profetin a.s të thotë:”Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë pas fitër bajramit, është njëlloj sikur ka agjëruar gjithë vitin. Një e mirë shpërblehet me dhjetë syresh.”
Meqë agjërimi i muajit të Ramazanit, është sikur ke agjëruar dhjetë muaj edhe agjërimi i gjashtë ditëve nga Shevali, shpërblehet sa për gjashtëdhjetë të tilla. Kështu, plotësohet një vit. Nëse besimtari agjëron çdo vit Ramazanin dhe gjashtë ditët e Shevalit, është njëlloj sikur agjëron gjithë jetën.
Të dy hadithet e mësipërme flasin mbi rëndësinë e agjërimit të gjashtë ditëve nga muaji Sheval, pas ditës së fitër bajramit. Ngrënia ditën e fitër bajramit është e detyrueshme, pasi është ditë feste. Ajo që kuptohet nga dy hadithet, është se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është mirë të bëhet pa shkëputje, përveç ditës së fitër bajramit. Megjithatë, është e lejueshme që agjërimi i këtyre gjashtë ditëve të bëhet veç e veç. Kush i agjëron pa shkëputje, direkt pas ditës së fitër bajramit, ka bërë më të mirën e mundshme dhe kush i agjëron të shkëputura, por brenda muajit Sheval, ka vepruar sipas sunetit të Profetit a.s.
Dijetarët që e gjykojnë si të vepër të pëlqyeshme agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali, janë ata të medh-hebit shafi, imam Ahmedi dhe Dhahirit. Në librin “El-mexhmu’u” të imam Neveviut, gjykohet si vepër e pëlqyeshme agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, bazuar në hadithin e transmetuar nga imam Muslimi, Ebu Daudi se Profeti a.s ka thënë:”Agjërimi i gjashtë ditëve nga Shevali, është ekuivalent me agjërimin e gjithë jetës.”
Agjërimi i këtyre ditëve pëlqehet të bëhet pa shkëputje, që nga dita e parë e Shevalit, pas ditës së fitër bajramit, ditë në të cilën nuk lejohet agjërimi. Nëse dikush i agjëron këto ditë të shkëputura nga njëra-tjetra, ose i vonon gjer në fund të muajit, lejohet dhe konsiderohet konform sunetit të Profetit a.s.
Në librin me titull “El-mugni” të autorit Ibnu Kudama, citohet se agjërimi i gjashtë ditëve nga Shevali është një vepër e pëlqyeshme nga shumë dijetarë, të mbështetur tek hadithi i mësipërm i Theuban-it.
Dijetarët e medh-hebit hanefi, mendojnë se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit menjëherë pas ditës së fitër bajramit, lejohet, por nuk pëlqehet. Kjo, pasi mund të merret si vazhdim i muajit të Ramazanit, duke u përngjarë agjëruesve të krishterë. Gjithësesi, ngrënia ditën e fitër bajramit, e cila është dita e parë e muajit Sheval, e largon këtë dyshim.
El-hasen ibnu Zijad dhe shumica e dijetarëve të mëvonshëm, nuk e shihnin problematike agjërimin e ditëve të Shevalit menjëherë pas fitër bajramit. Por ata kanë mendime të ndryshme lidhur nëse është më mirë të agjërohen të ndara nga njëra-tjetra, apo bashkë.