Dinari:”Po. Shkronjat e para të emrit tim janë “Din” (fe) gjë e cila të kujton obligimet dhe detyrat kundrejt fesë dhe Zotit. Kurse pjesa e fundit e emrit tim është “nar” (zjarr) i cili do të të djegë nëse me grumbullon në banka, nuk më shpenzon për mirë ose më shpenzon në rrugë të pandershme.
E hëne 19 Janar 2015 23:41
Sytë më zunë një fukara me rroba të rreckosura, të thyer në moshë, të uritur dhe të etur.
E pashë të shtrirë pranë portës së një banke, i zhytur në një gjum të thellë. Rrezet e diellit i aviteshin pak e nga pak derisa arritën tek kraharori i tij, por ai nuk e prishi terezinë dhe nuk e ndjeu nxehtësinë e tyre.
Qëndrova pranë tij, duke e shikuar me habi, ndërkohë që me vete thoja:”I pa të meta je Ti o Zot! Vetëm disa metra e ndajnë këtë njeri në pikë të hallit nga thesari dhe kasafortat e bankës. A nuk është ky një fakt që ne sot jetojmë në botën e kontradiktave?!
Futa dorën në xhep, ku ndjeva të lëvizë diçka e çuditshme. E kapa me gishta atë që lëvizte, e nxorra jashtë dhe pashë që ishte një dinar.
I habitur e pyeta:”Çfarë janë gjithë ato lëvizje në xhepin tim?”
Dinari:”Ka kohë që jam në xhepin tënd dhe nuk më ke trajtuar sipas funksionit për të cilin jam prodhuar!”
Unë:”E cili na qenka ky funksioni yt?”
Dinari:”Të më shpenzosh për nevoja të familjes, prindërve, nevojave të tua personale apo nevojave të muslimanëve në tërësi. Të ndihmosh një hallexhi, t’i lehtësosh jetesën një jetimi etj...”
Unë:”Po si arrite deri tek unë o dinar?”
Dinari:”Historia ime është shumë e gjatë. Kam kaluar nga një dorë tek tjetra dhe nga një qeskë tek një tjetër. Personi i parë më shkëmbeu me një shishe raki. I dyti më shkëmbeu me një kasetë filmi të turpshëm, i treti më përdori për ryshfet tek një funksionar i lartë, i katërti më shkëmbeu me një mall dhe kështu vazhdova derisa arrita tek ti. Të gjithë personat që kam njohur, i kam njohur si robër të pasurisë. Ty nuk të njoh akoma.”
Unë:”Po si e dalloje që ishin robër të pasurisë?”
Dinari:”Nga mënyra si më përdornin. Ata nuk më shpenzonin në udhë të Zotit. Thotë Hasan El-basri:”Çdo umet ka një idhull që adhurojnë dhe idhulli i këtij umeti është dinari.”
Dhe ti nëse nuk më shpenzon në udhë të Zotit dhe vepra bamirësie, do të vuash dhe do të digjesh në emrin tim.”
Unë i thashë gjithë habi:”Çfarë do të bësh?! Do më djegësh në emrin tënd?! E si do të ndodhë kjo?!”
Dinari:”Po. Shkronjat e para të emrit tim janë “Din” (fe) gjë e cila të kujton obligimet dhe detyrat kundrejt fesë dhe Zotit. Kurse pjesa e fundit e emrit tim është “nar” (zjarr) i cili do të të djegë nëse me grumbullon në banka, nuk më shpenzon për mirë ose më shpenzon në rrugë të pandershme.
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm.” (Teube 34)
Unë:”Ti qenke shumë i rrezikshëm o dinar!”
Dinari:”Po, unë jam i rrezikshëm, prandaj të këshilloj të më trajtosh siç duhet, me qëllim që t’i ruhesh ndëshkimit të Zotit Ditën e Kijametit. Hidhi sytë dhe shikoji ata që kanë mbjellë të këqija dhe presin të korrin të mira. E si mund të vilet rrush nga ferrat?!
Ruaju se mos ndjek rrugën e tyre. Ja ku e ke një të varfër para teje, më dhuro tek ai që të dëshmoj në favorin tënd Ditën e Kijametit. Pas kësaj, përpiqu të kesh ndjeshmërinë e Ibnu Ujejnes.”
Unë:”Çfarë ndjente Ibnu Ujejne dhe kush është ky Ibnu Ujejne?”
Dinari:”Ai është nga brezi i tabi’inëve. Emri i tij ishte Sufjan ibnu Ujejne dhe ishte i njohur për dhënien e pasurisë dhe pasionin për të mirën.
Një nga miqtë e tij tregon:”Isha duke ecur me Sufjan ibnu Ujejne dhe një lypës i del para dhe i kërkon diçka. Ngaqë nuk kishte gjë për t’i dhënë, i rrodhën lotë.”
Unë e pyeta:” Përse qan o dijetari ynë?”
Ai më tha:”E çfarë fatkeqësie më e madhe mund t’i ndodhë një njeriu, kur të tjerët presin prej tij diçka të mirë dhe nuk e gjejnë tek ai?”
Unë:”I pa të meta je Ti o Zot! Ky njeri paska pasur zemër dhe shpirt të madh.”
Dinari:”I tillë duhet të jesh dhe ti. Shfrytëzoje jetën, mos e shpërdoro rininë dhe bëj punë të mira, që Zoti t’a shumëfishojë shpërblimin tënd.”
Unë:”Por a ka dallim mes atij që jep pasuri në rini dhe atij që jep në pleqëri?”
Dinari:”Po. Shkoi një burrë tek i dërguari i Zotit dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Cila sadaka ka më shumë sevap?”
Profeti a.s i tha:”Kur jep sadaka duke qenë i shëndetshëm, dorështrënguar dhe i frikësohesh fukarallëkut.”
Një që është i shëndetshëm, në përgjithësi është dhe dorështrënguar pasi e ndjen ëmbëlsinë dhe pushtetin që të jep pasuria. Ai shpreson se do të jetojë gjatë dhe nga kjo i ruhet varfërisë.
Thotë Ibnu Bettal:”Duke ditur se kopracia është cilësi e njerëzve të shëndetshëm, dhënia e pasurisë të varfërve tregon qëllimin e sinqertë dhe shpërblimin e madh që fiton. E kundërta ndodh me një njeri të cilit i është mërzitur jeta.”
Unë:”Për Zotin sapo më ke hapur dyer të cilat i kam pasur të mbyllura deri tani. Prandaj Zoti t’a shpërbleftë me të mira.
Megjithatë, a nuk mendon se ti o dinar je sprovë në këtë botë?”
Dinari:”Sigurisht që jam sprovë. Të shumtë janë dijetarët dhe zahidët që kanë rënë në grackën time. Të gjithë ranë pre e dashurisë për pasurinë. Besoj të ka ndodhur të shohësh të rinj që i përmbahen traditës së Profetit a.s në veshje dhe në paraqitjen e jashtme. Megjithatë, këta e kanë të pamundur t’a përmbajnë veten kur dëgjojnë tingullin e dinarëve.”
Unë:”E si mund të ndodhë kjo? Ti vetë sapo the që i përmbahen traditës së Profetit a.s dhe janë të përkushtuar?”
Dinari:”Ajo është fitne o miku im. Ti akoma nuk e ke parë. Dëgjo se çfarë thotë poeti lidhur me këtë çështje:
Mos u mashtro nga këmisha plot arna e dikujt
As veshja e shkurtër, e ngritur deri tek gjunjt
As me shenjën e sexhdes që ka në ball
Tregoji derhemin t’a njohësh si mall
Unë:”Të vërtetën ke thënë o dinar dhe lutju Zotit që të më pajisë me zemër të pasur dhe të mos më sprovojë!”
Dinari:”Tani më jep tek ky i varfër i mjerë që të të dojë Zoti, të jem shkak i shuarjes së zemërimit të Zotit dhe të të shpërblejë për këtë vepër të mirë.”
Unë:”Mirë.” U afrova pranë të varfërit dhe duke e prekur me dorë në kraharor i thirra:”O i nderuar! O i nderuar!” Ai hapi sytë dhe i frikësuar u ngrit në këmbë. Unë i thashë:”Mos kij frikë, unë jam një bamirës. Doja të të jap këtë dinar duke shpresuar se do të mbulosh ndonjë nevojë.”
Por i varfëri u ul dhe refuzoi t’a marrë dinarin duke thënë:”Unë nuk jam lypës.”
Unë i thashë:”E di që nuk jeni lypës, por ndoshta keni nevojë për ndihmë.”
Ai e mori dinarin dhe më tha:”Zoti të shpërbleftë me të mira!” dhe vazhdoi gjumin.”
Marrë nga libri me titull “Dialogje besimi” i autorit “Xhasim El-Mutava”./www.ikratv-alb.net/