Të shumta reagimet për incidentin që pritet të shkaktojë një tërmet
diplomatik mes blloqeve të shteteve. Presidenti palestinez Abu Mazen e
denoncoi incidentin si ''masakër'' dhe shpalli tre ditë zie kombëtare.
Nga Gaza, udhëheqësit e Hamasit folën për ''krime'' të kryera nga
Izraeli. Një lider islamik, Jusef Ahmed bëri thirrje për një intifadë
njerëzore përpara ambasadave të Izraelit nëpër botë. Sekretari i
Përgjithshëm Ban Ki Mun tha se ishte "i tronditur" për sulmin izraelit
ndaj flotës së aktivistëve pro-palestinez. Indinjatë shprehu edhe
Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay. Shqetësim të
madh shprehu edhe Vatikani. Lidhja Arabe do të mblidhet nesër në Kajro,
për një takim urgjent të ministrave të jashtëm të saj. Turqia, Greqia,
Spanja, Suedia, Danimarka dhe Irlanda kanë thirrur ambasadorët e tyre
nga Izraeli ndërsa Bashkimi Evropian i ka kërkuar shtetit hebraik, të
hap hetimet. Politika e vazhdueshme e mbylljes së vendkalimeve në Gaza
është e papranueshme për BE-në e cila kërkoi rihapjen e menjëhershme të
tyre, për të lejuar ndihmat, -tha një zëdhënës i Komisionit Evropian në
emër të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së,
Kethrin Ashton. Kritika të madhe erdhën edhe nga qeveritë e Francës,
Gjermanisë, Italisë dhe Greqisë e cila braktisi stërvitjet ushtarake me
Izrael si dhe anuloi vizitat në Athinë të disa ushtarakëve të lartë
izraelitë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili gjendej për
vizitë në Kanada, u thirr urgjentisht për tu rikthyer në vend, edhe pse
në reagimin e tij për ngjarjen, ai mbështeti plotësisht ndërhyrjen
ushtarake. Tensioni ka shkuar në qiell edhe me Turqinë, aleaten
strategjike të Jerusalemit, e cila kohët e fundit ishte treguar shumë
kritike ndaj shtetit hebraik. Ankaraja ka tërhequr ambasadorin në
Jeruzalem dhe foli për pasojat të pa riparueshme në marrëdhëniet
dypalëshe. Turqia kërkoi gjithashtu edhe mbledhjen e Këshillit të
Sigurimit të OKB-së, i cili ka nisur debatet që prej një ore, debatet e
ashpra. Qindra njerëz protestuan në Stamboll dhe kryeqytetin Ankara.
Izraeli nga ana tjetër, i bëri thirrje qytetarëve të tij që të mos
udhëtojnë për në Turqi.