Kosovari Fuad Ramiqi në anijet që u sulmuan nga izraelitët
Kosovari Fuad Ramiqi në anijet që u sulmuan nga izraelitët
Fuad Ramiqi, zyrtar i LDK-së, është shqiptari nga Kosova që ka qenë në një prej anijeve të sulmuara nga forcat izraelite, mëson KTV-ja. Burimet tona kanë konfirmuar se Ramiqi ka qenë në Turqi, dhe prej aty ka hipur në një prej anijeve në rrugë për të dërguar ndihmat. Ende nuk është rënë në kontakt me Ramiqin. Gjithashtu, mediat në Maqedoni raportojnë për 3 shqiptarë nga Maqedonia si pjesë e flotës. Ata mendohet të jenë: Sead Hasipi nga fshati Sllupçan i Kumanovës, Jasmin Rexhepi dhe Sali Emin nga Shkupi. Më shumë se 19 persona janë vrarë, pasi luftanijet izraelite e kanë sulmuar një flotë të aktivistëve propalestinezë, të cilët bartnin ndihma për Gazën e bllokuar. Përveç viktimave, edhe dhjetëra njerëz janë plagosur, përderisa pala izraelite pohon se aktivistët propalestinezë hapën zjarr ndaj komandove dhe plagosën katër prej tyre. Lidhur me këtë konflikt u deklaruan shumë shtete.
Presidenti palestinez, Mahmod Abas, e quajti këtë sulm masakër dhe shpalli tri ditë zie në territoret palestineze. Bashkimi Evropian kërkoi nismën e hetimit për këtë aksident dhe për vdekjen e këtyre njerëzve. Në emër të BE-së, përfaqësuesja e Jashtme, Catherine Ashton, kërkoi hetim të plotë për rrethanat në të cilat ndodhi kjo tragjedi. Ajo bëri thirrje për hapjen e pakusht të kalimit për ndihmë humanitare, prodhimeve dhe njerëzve në dhe nga Rripi i Gazës.
Edhe presidenti iranian, Ahmadinejad, dënoi sulmin izraelit ndaj anijeve humanitare, duke e vlerësuar si ‘akt johuman’ që do të kontribuojë në ‘zhdukjen e Izraelit’. Ndërsa kryeministri spanjoll, Jose Luis Rodrigues Zapatero, tha se sulmi izraelit është “çështje serioze”. Kjo ngjarje mund ta dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Izraelit dhe marrëdhëniet diplomatike, veçanërisht me aleatin mysliman të rajonit, Turqinë, nën flamurin e së cilës lundronin disa anije me ndihma. Turqia ka kërkuar zyrtarisht mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për sulmin e marinës izraelite ndaj flotës me anije. Ankaraja ka tërhequr ambasadorin e saj nga Izraeli dhe shumë protestues kanë tentuar të hyjnë me dhunë në konsullatën izraelite. Izraeli ka deklaruar se është i vendosur të mbajë bllokadën e Rripit të Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, territor ky palestinez, i cili ka 1.5 milionë banorë. Edhe më herët Izraeli ka ndaluar anije të tilla, megjithëse, disa prej tyre edhe kanë arritur të depërtojnë në Gazë. Anijet me 10 mijë tonë ndihma kanë lundruar të dielën nga ujërat ndërkombëtare afër Qipros dhe në të ndodheshin rreth 700 aktivistë paqësorë, më së shumti nga Turqia.