Në ditët e sotme, po shtohen gjithmonë e më shumë problemet gjatë martesës dhe ngatërresat mes çiftit, situata që nganjëherë përfundojnë me divorce. Në këtë periudhë, si burri ashtu edhe gruaja kanë një rrëzim të fortë emocional dhe sigurisht që hidhërimi i tyre ka ndikim edhe tek prindërit e të dyja palëve dhe tek fëmijët. Foleja e ndërtuar me ëndrra të mëdha dhe shpresa të bukura, nganjëherë shkatërrohet si pasojë e disa problemeve të thjeshta komunikimi. Gabimet që bëhen pa dashje ose ato që lindin si pasojë e një karakteri të tillë, nuk kanë si objekt vetëm bashkëshortin, por edhe njerëzit e tjerë. mosmarrëveshje të tilla lindin pothuajse me të gjithë njerëzit. Por, kur mosmarrëveshjet ndodhin në gjirin e një familjeje, mes pjesëtarëve që e kalojnë të gjithë kohën nën të njëjtën çati, mërzia është më e madhe dhe më e papërballueshme. Ndërkohë çiftet që i vënë re problemet e tyre dhe përpiqen që t’i zgjidhin ato, mund t’ia dalin me sukses.
Disa prej gabimeve në komunikim gjatë martesës:
1. Presioni ndaj bashkëshortit
Përpjekje të vazhdueshme për t’ia mbushur mendjen dhe pritshmëritë për miratimin e mendimit personal. Nëse ushtroni presion të vazhdueshëm ndaj një personi dhe e urdhëroni atë gjatë gjithë kohës, ai do të fillojë të ndjehet si një send pa vlerë. Dhënia e direktivave të prera bën që njeriu të ketë zemërim të lindur nga mosvlerësimi. Një njeri që është nën këtë ndikim, në vend që të bëjë atë që i thoni, do të rezistojë akoma më shumë. Në veçanti, nëse bëhet fjalë për një njeri me ton zëri pak të ashpër, personi tjetër do të kalojë në pozita mbrojtjeje dhe me kalimin e kohës do të lindin diskutime të zjarrta.
2. Zakoni për të folur pa e dëgjuar tjetrin
Prerja e fjalës Një prej gabime kryesore në komunikim është paaftësia për të dëgjuar tjetrin, e ndjekur nga ndërprerja e fjalës për të shtuar diçka. Biseda me një njeri që flet me nxitim, që nuk të kushton vëmendje, që nuk dëgjon atë që i thua dhe që e ka zakon të ta ndërpresë fjalën; është shumë e mërzitshme. Shumë çifte duket sikur flasin me njëri-tjetrin, por nuk kuptohen.
3. Ndryshimi i temës së bisedës
Kalimi nga një temë në tjetrën. mungesa e interesit për fjalët e tjetrit dhe e komenteve për atë që tha, krijojnë një ndjenjë të keqe tek bashkëbiseduesi. Dhënia e një komenti për fjalët që tha bashkëbiseduesi ose drejtimi i disa pyetjeve, ndihmojnë në krijimin e një komunikimi cilësor. Si gruaja, ashtu edhe burri e bëjnë vazhdimisht këtë gabim. Dhënia e detajeve të tepruara dhe shpjegimi i ngatërruar mund të krijojë konfuzion tek bashkëbiseduesi. Një bisedë sa më e thjeshtë dhe me fjali të shkurtra do të bëjë të mundur një komunikim të kuptueshëm.
4. Vazhdimisht gjetja e një arsyeje për t’u mërzitur.
Njeriu që ankohet vazhdimisht, që është gjithmonë i sëmurë dhe që ka probleme gjatë gjithë kohës, e bezdis njeriun që ka pranë. Një njeri që gjen probleme në çdo ambient, faktikisht, nuk mund ta përballojë dot lumturinë dhe dëshiron që njerëzit ta mërzisin. Faktikisht, mund të ketë edhe një arsye më të thellë se kjo: kënaqësia që merr nga hidhërimi dhe krenaria se ka arritur të qëndrojë në këmbë pas të gjitha goditjeve që ka marrë. Faktikisht në jetën e përditshme, të gjithë ne kemi plot ngjarje të vogla për të cilat duhet të jemi mirënjohës. Një mendje që mund ta dallojë këtë gjë, do t’i pranojë gjërat pozitive, por edhe ato negative ashtu si janë. Ky njeri do të jetë më i mëshirshëm, si me veten ashtu edhe me njerëzit e tjerë.
5.Të paragjykosh dhe të ndikohesh
Në fillim të martesës partnerët janë të mbushur me dashuri dhe tolerancë për njëri-tjetrin. Ndërkohë, me kalimin e kohës fillojnë që të shikojnë më shumë anët negative të njëri-tjetrit dhe të lënë pas dore ato pozitivet. me forcimin e afërsisë emocionale, shtohet ashpërsia e bisedës dhe zakoni për të bërë përgjithësime. Pra rritet ndjeshëm shpeshtësia e fjalive të tilla: “ti e bën këtë gjë gjithmonë” ose “ti ke qejf të më mërzitësh mua”... Nga ana tjetër, fjalitë pozitive dëgjohen përherë e më rrallë. Nëse nuk ka asnjë temë të re bisede, hapen dosjet e vjetra dhe kujtohen ngatërresat. Në vend që të veprohet në këtë mënyrë, është më e shëndetshme të vihen re anët pozitive dhe të përmenden sa më shpesh.
6. Zakoni për të dhënë këshilla dhe mendime të pa-kërkuara.
Disa njerëz dinë çdo gjë, vazhdimisht japin këshilla dhe përsërisin mësime morali. Biseda të tilla mund të jenë të pëlqyeshme kur i dëgjon herën e parë, por përsëritja e tyre është shumë e mërzitshme. Kërcënime të tilla si: “Duhet të bësh kështu, se po nuk bëre kështu të pret kjo e ajo...” krijojnë bashkëbisedim kaotik. Do të ishte më mirë që ta këshillosh njeriun njëherë, e nëse ai nuk e preferon këshillën tuaj, duhet të keni respekt për zgjedhjen e tij.
7. Shmangia e mbartjes së negativitetit të punës në shtëpi
Disa bashkëshortë vazhdimisht bëjnë përpjekje që lodhjen dhe negativitetin që kanë brenda vetes, t’ia transmetojnë partnerit. Kur është i zemëruar do që edhe tjetri të jetë i zemëruar dhe kur është i mërzitur kërkon që edhe tjetri të jetë i mërzitur. Ato përpiqen derisa t’ia arrijnë këtij qëllimi. Burri është i prirë që të transmetojë sjelljet tallëse dhe poshtëruese, ndërsa gruaja ndjehet keq nga sjelljet ironike dhe fajësuese. me kalimin e kohës, sjellje të tilla bëhen shkak që partnerët të distancohen nga njëri-tjetri.
8. Biseda që nuk finalizohen me vendim
Në momentin kur merr një vendim, vendos që të pajtohesh me përfundimet pozitive ose negative që mund të lindin nga një zgjedhje e tillë. Një njeri i rritur i merr përgjegjësitë e vendimit të vet, ndërsa një i rritur me shpirt fëmije nuk mund ta bëjë këtë gjë. Ky i fundit thotë një mendim, pastaj shton fjalën “por” dhe ndërton një fjali krejtësisht të kundërt me paraardhësen. më pas shton edhe një herë fjalën “por” dhe rikthehet tek mendimi i fillimit. Një bisedë e tillë ka vetëm një rezultat: mërzitjen, zemërimin dhe dëshpërimin e bashkëbiseduesit.
9. Tërheqja e fëmijëve ose njerëzve të tjerë në anën tënde
Disa prindër, në momentin e një diskutimi, bëjnë përpjekje për të marrë ndihmën e fëmijëve. Fëmija nuk mund të heqë dorë as nga nëna dhe as nga babai. Për këtë arsye prindërit nuk duhet të marrin si gjyqtar fëmijën. Nëse prania e një pale të tretë është e paevitueshme, duhet kërkuar ndihmë nga një i rritur ose nga një specialist.
10. Përpjekjet për të ndryshuar njëri-tjetrin
Disa bashkëshortë që në fillim të martesës vendosin që të ndryshojnë disa gjëra tek bashkëshorti. Nga ana tjetër ato pretendojnë se partneri i ka pranuar ashtu si janë, pa qenë nevoja për ndryshime. Pas kalimit të muajve të ëmbël, fillojnë përpjekjet për ndryshime tek partneri. Ndryshimi i brendshëm i një njeriu kërkon kohë të gjatë dhe në disa raste është i mundur vetëm kur merret ndihmë profesionale. Për këtë arsye, do të ishte më mirë sikur partnerët ta pranonin dhe ta donin njëri-tjetrin ashtu si janë. Si përfundim; komunikimi i ndërtuar në baza të forta mundëson vazhdimin e martesës në atmosferë qetësie dhe lumturie. Nëse praktikimi i këtyre teorive është i vështirë, këshillohet marrja ndihmë nga një specialist.
Dr. Timur Harzadin Marur nga Revista Etika