Ballina Lajmet Rajon dhe Botë
OBI apelon që 15 marsi të shpallet ditë ndërkombëtare kundër islamofobisë
March 22, 2019

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka dërguar një kërkesë në adresë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizatave tjera rajonale dhe ndërkombëtare, që 15 marsi të shpallet ditë ndërkombëtare e solidaritetit dhe luftës kundër Islamofobisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Stamboll të Turqisë u mbajt takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OBI-të, takim i thirrur me rastin e sulmeve terroriste në Zelandë të Re të premten e kaluar.
Pas takimit u publikua një deklaratë e përbashkët në të cilën thuhet se terrorizi nuk ka fe, ndërkohë është theksuar se akte të tilla terroriste, pavarësisht se ku dhe kur ndodhin dhe pavarësisht asaj se kush është ekzekutuesi i tyre, në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohen.
Takimi ka përshëndetur edhe vizitën e zyrtarëve të lartë turq në Zelandë të Re, ku ishin të pranishëm zv/presidenti Fuat Oktay dhe ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, të cilët me urdhër të presidentit Recep Tayyip Erdogan vizituan atë vend menjëherë pas sulmit terrorist.
Kjo siç u tha, ishte një mesazh i qartë i solidaritetit me familjarët e viktimave dhe me popullin e Zelandës së Re.
OBI përshëndet qëndrimin e qeverisë së Zelandës së Re, të kryesuar nga kryeministrja Jacinto Ardern, e cila dënoi ashpër sulmin terrorist, mbështeti bashkësinë muslimane në atë vend dhe u solidarizua me familjet e viktimave.
Siç u theksua në deklaratë, solidariteti i treguar nga i gjithë opinioni i Zelandës së Re meriton lëvdatat më të larta.
“Bordi Ekzekutiv i OBI-t mbështet plotësisht vendosmërinë e Zelandës së Re për të hetuar në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente sulmet terroriste të cilët u zbatuan bashkë me manifestet e sëmura të mbështetura nga qarqe të ndryshme djallëzore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
OBI shpreson që ndëshkimi i terroristëve do të ngushëlloj familjet e viktimave.
“Këto sulme terroriste ndaj xhamive dhe qendrave shoqërore, si dhe vrasja e muslimanëve edhe njëherë nxjerri në dritë pasojat çnjerëzore dhe të tmerrshme të islamofobisë”, thekson OBI.
Sipas deklaratës së përbashkët, nevojitet që aktorët ndërkombëtarë në të gjitha nivelet të kërkojnë masa gjithëpërfshirëse dhe sistematike.
“Të gjitha vendet që kanë komunitete dhe pakica muslimane dhe emigrantë, thirren të përmbahen nga politikat dhe praktikat të cilat e lidhin Islamin me terrorizmin, ekstremizmin dhe kërcënimet ndaj shoqërisë. Vendet apelohen të mos kufizojnë të drejtat dhe liritë themelore të muslimanëve, duke përfshirë respekt për lirinë fetare”, thuhet mes tjerash.
OBI u dërgon apel shteteve të ndalojnë çdo lloj të diskursit, përpjekjeve apo aktiviteteve të cilat promovojnë, inkurajojnë ose shkaktojnë armiqësi ndaj muslimanëve apo poshtërimin e Islamit dhe të muslimanëve.
Në mënyrë që secili individ apo grup të mbrohet nga urrejtja dhe dhuna që për bazë ka fenë, si dhe për të mbrojtur të gjitha objektet fetare, u bë thirrje që në përputhje me ligjin, normat dhe standardet ndërkombëtare të miratohen ligje ose të bëhet mbindërtim i kornizave ligjore.
Bordi Ekzekutiv i OBI-t i bëri thirrje Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës të themelojnë observatorë për monitorimin dhe raportimin e urrejtjes, armiqësisë dhe dhunës fetare.
OKB-së, organizatave tjera ndërkombëtare dhe rajonale i’u bë thirrje që 15 marsi të shpallet ditë ndërkombëtare e solidaritetit kundër islamofobisë.