Në kohët e lashta, një nga perandorët kinezë, urdhëroi që në rrugën kryesore ku kalonin njerëzit dhe karvanët, të vihej një shkëmb i madh, dhe ashtu u bë. Shkëmbi, pothuaj e bllokoi të gjithë rrugën. Nga ana tjetër, perandori urdhëroi njërin nga rojat e tij, që të fshihet pas një peme dhe të vështrojë reagimet e njerëzve. Kaloi personi i parë, i cili ishte një nga tregtarët dhe zengjinët më të mëdhenj në vend. Ai i hodhi një vështrim plot mllef e neveri shkëmbit dhe tha:”Kush është ai horr që e ka sjellë këtë shkëmb këtu në mes të rrugës?! Është prishur mileti fare!” pa e ditur se ishte pikërisht perandori i vendit. Mandej, u soll rreth shkëmbit dhe mezi gjeti një hapësirë për të kaluar. Teksa kalonte me vështirësi, tha:”Mjerë ai që e ka vënë ç’ka për të hequr! Këtë çështje do e çoj gjer tek organet më të larta të perandorisë! Nuk mbaron me kaq kjo punë!”
Personi i dytë që erdhi, ishte një burrë që punonte në ndërtim. Edhe ai u mbush gjithë neveri kur e pa shkëmbin në mes të rrugës, por zëri apelues i tij ishte disi më i ulët se i tregtarit. S’kishte si të ishte ndryshe, ai nuk i përkiste të njëjtës shtresë.
Më pas, vijnë tre të rinj plot energji, të cilët ishin në kërkim të identitetit të tyre dhe një qëllimi në jetë. Ata qëndruan pranë shkëmbit dhe filluan të ironizojnë personat që e kishin sjellë atë shkëmb dhe e kishin vënë në mes të rrugës. Jo vetëm kaq, por vajtuan dhe gjendjen e mjerë ku ishte zhytur vendi. “Ai që e ka bërë këtë akt të shëmtuar, duhet të jetë ndonjë horr, idiot dhe injorant! Mjerë ne dhe mjerë vendi nga njerëz të tillë!” thanë djemtë, pastaj u larguan për në shtëpitë e tyre.
Kaluan dy ditë dhe shkëmbi qëndronte në të njëjtin vend. Derisa erdhi një bujk i thjeshtë, nga shtresa e varfër e perandorisë. Me ta vënë re shkëmbin, pa folur fare ai përveshi mëngët dhe ia nisi punës për të bërë diçka. Duke parë se ishte i pafuqishëm vetëm për ta lëvizur shkëmbin, u kërkoi ndihmë dhe kalimtarëve të tjerë, duke i motivuar se vetëm kështu mund të lirohej rruga dhe se ankesat dhe sharjet s’kishin asnjë dobi. Pasi u mblodhën disa burra, arritën ta largojnë shkëmbin nga rruga. Teksa kthehej për të marrë torbën e tij të cilën e kishte vënë mënjanë, bujkut i zunë sytë një sënduk të vogël, i cili kishte qenë poshtë shkëmbit. E hapi dhe pa që brenda tij gjendej një pllakë floriri dhe një letër, e cila mbante emrin e perandorit të Kinës dhe ku shkruhej:”Nga perandori, drejtuar atij që do të heqë këtë shkëmb nga rruga. Ky është shpërblim për individin pozitiv dhe iniciator për zgjidhjen e problemeve, në vend të ankesave të padobishme.”
Vëlla dhe motër:
Hidh sytë përreth dhe shih sa probleme presin një zgjidhje nga ana jote! Shumë prej tyre janë lehtësisht të zgjidhshme. Thjesht duhet bërë diçka në vend të ankesave, fajësimeve dhe kritikave që adresohen lart e poshtë!