Dituria dhe pasuria janë dy gjëra të cilat kërkojnë mund e sakrificë, por mbi të gjitha durim e dinjitet dhe ruajtje nga mëkatet.
Duhet që herët t’i kushtohesh diturisë për ta pasur që nga fëmijëria e hershme. Prandaj në shkollë shkohet që nga mosha fëmijërore.
Të gjithë e duan diturinë, por si ta arrijnë atë?!
Dituria të ngre lartë, të bën të respektuar, të dashur, jo vetëm te njerëzit, por edhe tek engjëjt dhe tek All-llahu i Lartësuar, Krijues i të gjitha krijesave.
All-llahu i do besimtarët, por i ngre në shkallë të lartë ata që dinë.
Prej krijesave më të afërta tek All-llahu janë engjëjt dhe dijetarët.
Të kesh dituri është nderi e dhurata më e madhe në botë. Dituria është gjë e pa përfunduar, kurrë nuk bëhet mjaftë. Duhet lexuar shumë e duhet kushtuar shumë kohë diturisë nëse duam ta kemi. A ke dëshirë të jesh i ditur? Por, si të arrijmë deri te dituria?
Dituria nuk i jepet gjithkujt. Dikush mundohet kot dhe dijetar nuk bëhet. Dikush shpejt e përvetëson diturinë dhe bëhet i ditur. Pra, për ta pasur diturinë duhet të kesh cilësi të mira. Prej cilësive për t’u bërë i ditur janë dy tregimet në vazhdim.Një nxënës i tha mësuesit të tij:
- Unë po e mësoj mësimin mirë. Por kur po zgjohem e kam harruar. Pse po më ndodh kjo?
Mësuesi i tha:
- Dituria nuk shkon te mëkatari.
Djaloshi tjetër i tregimit tonë është edhe më interesant.
Jusuf bin Hyseini tregon një histori që i ka ndodhur me Zenun Misriun.
- I kam shërbyer një vit Zenunit dhe nuk jam ndarë fare prej tij. Në fund të vitit i thash atij se dua t’i bëj një pyetje dhe iu luta të më përgjigjet.
I nderuari e priti me kureshtje pyetjen time. Unë e pyeta:
- A e dini se çfarë është Ismi Adham (Emri më i madh i All-llahut). Ju lutem ma mëso edhe mua.
Zenuni buzëqeshi dhe u largua pa thënë asgjë. Nuk ma ktheu përgjigjen.
Kështu kaluan plotë gjashtë muaj. Një ditë më thirri dhe më tha:
- Merre këtë çantë të mbyllur dhe dërgoja një shokut tim që ndodhet në fshat. Dorëzoja atij dhuratën time. Në të vërtetë ai ka një vit që nuk më ka ardhur për vizitë, por unë përsëri po bëj timen dhe po i dërgoj këtë dhuratë.
E mora çantën e mbyllur ku ndodhej dhurata dhe u nisa për rrugë. Gjatë rrugës shejtani filloi të më ngacmojë mendimet: “O Jusuf, i shërbeve Zenunit për një vit dhe nuk mjaftoi, i shërbeve edhe gjashtë muaj të tjerë dhe përsëri nuk mjaftoi. Nuk u bëre dot i denjë për të merituar përgjigjen e një pyetje, ndërsa personit të cilit po i dërgon dhuratën ka një vit që nuk i vjen për vizitë. Të jetë vallë ndonjë dhuratë me shumë vlerë kjo që po i dërgon! A e meriton ai person një dhuratë të tillë?”
Nuk arrita ta mposhtë dot kureshtjen kështu që ndalova në një vend të qetë dhe e hapa çantën. Kur pash brenda saj kishte një mi i cili doli dhe u largua me shpejtësi. Brenda çantës nuk kishte më asgjë tjetër, kështu që u detyrova të kthehem prapa te mësuesi im. Kur shkova pranë tij posa më pa, më buzëqeshi dhe tha:
- E si mund t’i besohet e t’i mësohet Ismi Adhami një njeriu, të cilit nuk mund t’i besosh as një mi? A është e mundur diçka e tillë? Në atë moment e kuptova se nuk duhet të kërkosh asgjë po nuk je i denjë. Më parë duhet ta meritosh atë. Pra duhet të jemi të kujdesshëm në sjelljet tona, të jemi të urtë, të lexojmë shumë, e pastaj të shpresojmë se e meritojmë diturinë.