Hebrenjtë përgatiten për ardhjen e Mesias
Hebrenjtë Izraelit janë të zënë me ngritjen e fondeve për prishjen e xhamisë Al-Aksa dhe për ndërtimin e Tempullit të tyre për të pritur Mesian.
"Krejt çka dimë ne është se ne tani jetojmë në kohën e mrekullive," thotë Yehuda Glick, drejtor ekzekutiv i Institutit të Tempullit për Sydney Morning Herald.
"Dhe se të gjitha këto mrekulli janë parashikuar në Libër për të ndodhur në kohën që po jetojmë tani."
Glick, 44 vjeçar, hebre i lindur në Amerikë kalon shumicën e kohës së tij duke u përgatitur për ardhjen e Mesias.
"Mund të jetë nesër, por mundet të jetë pas 100 viteve apo edhe 400 viteve."
Në traditat çifute, Mesia i referohet një mbreti të ardhshëm të Izraelit, nga pasardhësit e Davudit, i cili do të udhëheq popullin e Izraelit dhe të paralajmëroj një kohë të paqes për tërë botën.
Duke u përgatitur për ardhjen e Mesias, Glick është i zënë me planet për rrafshimin e Xhamisë Al-Aksa dhe ndërtimin e Haykalit të supozuar (Tempullin e Solomonit).
"Ne synojmë që vetëm ta ndërtojmë mbi vendin ku tani gjendet kompleksi i Xhamisë Al-Aksa"thotë Glick.
"Do të jetë një ndërtesë moderne, me parkingje veturash dhe ashensorë, por nga jashtë do të duket si Tempulli i dytë," tha ai.
Xhamia Al-Aksa është kibla e parë e muslimanëve dhe është Xhamia e tretë më e shenjtë pas Qabes dhe Xhamisë së Pejgamberit ne Medine.
Çifutët pretendojnë se themeli i Haykalit ekziston nën vendin ku gjendet Xhamia Al-Aksa dhe dëshirojnë ta largojnë për të ngritur tempullin e tyre.
Për këtë hebrenjtë izraelit, të mbështetur nga të krishterët evangjelist, po punojnë në ngritjen e fondeve për prishjen e xhamisë Al-Aksa dhe ndërtimin e Haykalit të tyre.
"Kemi filluar me 100 dollarë," tha Glick.
Instituti i Tempullit është bërë një pikë e planifikuar e turneve evangjeliste amerikane në Izrael dhe donacionet e tyre të mëdha përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit të organizatës.
"Janë 70 milion të krishterë evangjelistë përreth botës, dhe shumica e tyre janë mbështetës të fortë të Izraelit."
Falë donacioneve të tyre, ky institut ka shpenzuar deri tani 27 milion dollarë për përgatitjet, tha Glick.
Disa krerë evangjelistë në mënyrë të vazhdueshme kanë deklaruar se ata kanë një obligim biblik dhe moral për të mbështetur dhe për të mbrojtur Izraelin.
Duke besuar se konflikti izraelito-arab është një betejë midis së mirës dhe të keqes, evangjelistët konzervativ kanë mbështetur me të madhe Izraelin, duke dërguar donacione dhe duke denoncuar kritikët e Izraelit.