A mund të dëgjosh me sy?
Autore: Sahar El-Nadi
Në Arabinë e lashtë, elokuenca përcaktonte pozitën e individit në shoqëri. Gjuha arabe është e pasur me nuanca e ngjyrime kuptimore. Arabët konkurronin me njëri-tjetrin në thurjen e bukur të fjalëve, duke i dhënë kështu formë artit gojor.
Në këtë kohë lindi profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të. Megjithëse nuk dinte të shkruante dhe të lexonte, ai kishte më shumë aftësi gjuhësore se kushdo tjetër.
Këto aftësi ia bënë të mundur përcjelljen e koncepteve të vështira tek publiku vetëm me pak fjalë.
Thëniet e urta te Profetit që quhen “hadith” (do të thotë “fjalim” në Arabisht) janë përmbledhur në libra që mësohen dhe shërbejnë për të udhëzuar njerëzit kudo në botë.
Megjithatë, sot i kushtohet më shumë vëmendje studimit të fjalëve të sakta të profetit Muhamed, duke mos i dhënë rëndësine e duhur aftësive të shumta joverbale që ai përdorte për të përforcuar kuptimin e fjalëve.
Profeti kishte aftësi të jashtëzakonshme për të aktivizuar të gjitha shqisat e dëgjuesit, jo vetëm shqisën e të dëgjuarit.
Duke pikturuar piktura mendore me fjalë
Gjatë leximit të haditheve, shpeshherë përfytyrojmë pamje të gjalla, plot tinguj, aroma dhe ndjenja. Në të njëjtën kohë, transmetuesit e haditheve përdorin fjalë përshkruese për të na dhënë një pamje të plotë tredimensionale të çdo ngjarjeje. Kështu ne mund "të shohim" me syrin e mendjes gjestet dhe veprimet konkrete të Profetit kur fliste.
Transmetuesit e haditheve në mënyrë instinktive përdorën aftësite e tyre të veçanta komunikuese për të ndarë me ne ato që panë, dëgjuan, imagjinuan dhe kuptuan nga fjalët e Profetit. Kjo njëkohësisht është mënyra si ata vetë mësuan dhe ndryshuan.
Nxjerrim një mësim të çmuar këtu, atë që audienca e një mësuesi me aftësi te rralla komunikuese, duhet ti vërë në punë të gjitha shqisat për të nxjerrë kuptime dhe mësime të rëndësishme.
Kjo është arsyeja pse njerëzit rreth Profetit u tansformuan në pak vite dhe arritën të ndërtonin një civilizim madhështor. Ndoshta dhe ne duhet të ndjekim të njëjtën rrugë sot. Nuk mjafton të lexojmë e të mësojmë përmendësh thëniet e Profetit, por është e rëndësishme që ti ndiejme efektet e tyre pozitive në zemrat dhe mendjet tona, dhe ti praktikojmë në jetën reale.
Rëndësia e elementëve joverbal
Qëllimi i vërtetë i komunikimit është përcjellja e një mesazhi sa më të qartë e të saktë tek publiku. Komunikimi nuk është një proces i njëanshëm, sepse mesazhi i dërguar duhet perceptuar nga publiku në mënyrë që të vendoset komunikimi midis dy palëve. Këto janë bazat themelore për shkëmbimin efektiv të ideve dhe ndjenjave me të tjerët.
Studimet e fundit tregojnë se komunikuesit më të suksesshëm arrijnë të aktivizojnë të gjitha shqisat e publikut përmes dy lloj aftësish: aftësive verbale dhe joverbale. Aftësitë verbale shprehin mendimet me fjalë apo shprehje të shkruara, ndërsa aftësite joverbale përforcojnë kuptimin e tyre; këtu përfshihen shprehjet e fytyrës, lëvizjet trupore, volumi dhe toni i zërit.
Ironikisht, pjesa më e madhe e përmbajtjes së një mesazhi transmetohet përmes aftësivë joverbale, të cilat janë përgjegjëse për përcjelljen e jo më pak se 70% të kuptimit te mesazhit. Ndërkaq, vetëm 30% e kuptimit transmetohet nëpërmjet fjalëve.
Për më tepër, nëse mesazhet verbale dhe ato joverbale janë kontradiktore, njerëzit besojnë më shumë në ato joverbale. Për shembull: Nëse dikush na thotë: "gezohem qe po të shoh", por e thotë këtë me sarkazëm, në mënyrë të pavetdijëshme ne nuk e besojmë përshëndetjen në dukje të sjellshme.
Arti i heshtjes elokuente
Kurse trajnimi të posaçme na udhëzojnë se si të kuptojmë gjestet e të tjerëve dhe në të njëjtën kohë se si të dërgojmë mesazhe pozitive joverbale për të rritur mirëkuptimin reciprok dhe për të inkurajuar komunikimin efektiv.
Si komunikuesi më i aftë, profeti Muhamed i kushtonte kujdes të veçantë përcjelljes së mesazheve të qarta joverbale gjatë gjithë kohës, madje edhe kur rrinte në heshtje.
Profeti ishte i vetëdijshëm se pjesa më e madhe e traditës së tij do të transmetohej gojarisht, prandaj dhe fliste qartë, duke e përsëritur çdo çeshtje të rëndësishme tre herë.
Në të njëjtën kohë ai ngrinte zërin dhe përdorte gjeste për ti lehtësuar njerëzve memorizimin e fjalëve të tij në mënyrë që t'ja përsërisnin ato të tjerëve.
Ai e mbante gjithmonë trupin drejt duke shprehur kështu besim dhe forcë; ecte shpejt duke shprehur vendosmëri, dhe fytyra e tij ishte gjithmonë e qeshur.
Ai i jepte njerëzve vëmendje të plotë duke e kthyer të gjithë trupin dhe jo vetëm kokën në drejtimin e tyre. Kjo i bënte ata të ndjehen të rëndësishëm dhe të vlerësuar.
Kur zemërohej, ai thjesht shikonte mënjanë, duke e shprehur kështu mospëlqimin e tij.
Në takime, ai nuk rezervonte një vend të veçantë për vete por ulej kudo duke shprehur barazi, dhe kishte kontakt direkt me të tjerët duke treguar afrueshmëri.
E megjithatë, ne shohim që Allahu e qorton të dërguarin e tij për komunikimin e tij joverbal në një situatë të veçantë, duke na dhënë një mësim të vlefshëm.
Edhe gjestet kanë rëndësi
Një herë, Profeti po fliste me një grup nga elita udhëheqëse e fiseve, në përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre. Aty vjen një i verbër, i quajtur Abdullah ibn Umm Maktum, me disa pyetje.
I përqëndruar plotësisht te aleatët e tij të mundshëm, Profeti u vrenjt në fytyrë dhe e largoi shikimin nga Abdullahi për ta kthyer sërisht te udhëheqësit e fiseve. I verbëri nuk mund ta shihte vrenjtjen në fytyrën e profetit. Megjithatë, Zoti e qortoi te dërguarin e Tij duke i thënë:
"Ai vrenjti fytyrën dhe u kthye. Ngase atij i erdhi i verbëri." (80: 1-2)
Transmetimi i një emocioni të sinqertë nuk mund të arrihet nëse gjuha e trupit bie ndesh me fjalët tona. Provoje vetë. Dil përpara pasqyrës dhe përpiqu të thuash një "mirëmëngjes" të gëzuar duke e vrenjtur fytyrën. Nuk mundesh. Nëse nuk do të dëgjosh vrenjtje në zërin tënd, atëherë duhet të buzëqeshësh.
A mund ta imagjinosh se si do të kishte tingëlluar zëri i Profetit nëse do ti kishte folur në atë çast shokut të tij të verbër? I verbëri do ta kishte dëgjuar bezdin në zërin e Profetit, dhe kjo do të shkaktonte ndjenja negative te cilat do të pengonin komunikimin efektiv.
Përveç kësaj, grupi i udhëheqësve te të cilet ishte përqendruar profeti ishin të pranishëm, dhe nëse ai do ti kishte folur keq të verbërit, ky do të kishte qenë një mesazh negativ dhe për ata, e në këtë mënyrë i gjithë proçesi i komunikimit do të dështonte.
Për shkak të mësimeve të thella që fitoi nga kjo ngjarje, kur Profeti e takonte burrin e verbër, i buzëqeshte dhe sillej butë me të e thoshte: "Mirë se vjen o ti që më qortoi Zoti im për ty!". (El-Kurtubi)
Në një ngjarje tjetër, Aisheja duke folur për një grua, bëri shenjë me dorë për të treguar se ajo ishte shumë e shkurtër. Profeti i tha: "Ti ke thënë një fjalë, e cila po të përzihet me ujin e detit, sigurisht do ta njolloste atë!" (Ebu Daudi) Ai e cilësoi gjestin e saj si "fjalë", dhe e paralajmëroi se ishte aq i dëmshëm sa mund të njolloste një det të tërë.
Veprimet flasin më qartë se fjalët
Shpesh herë ne përdorim shprehje të fytyrës apo gjeste në mënyrë tallëse, pa i peshuar mire efektet e tyre shkatërruese për imazhin tonë si dhe për komunikimin tonë me të tjerët.
Këto ngarje nga jeta e Profetit na mësojnë të tregojmë poaq kujdes për gjuhën e trupit sa tregojmë dhe për gjuhën e folur. Mbi të gjitha sepse eshte Zoti ai që e sheh çdo veprim tonin, por edhe sepse të tjerët mund të formojnë mendime për ne madje dhe kombet tona duke u bazuar në sjelljen tonë.
Në çdo moment mundohu të përfytyrosh që dikush është duke e vlerësuar mënyrën se si komunikon me bashkëshortin apo bashkëshorten në një qendër tregtare, si trajton një të moshuar në tren, apo si sillesh me shokët në rrugë.
Nëse do të dukesh i mirë, ji gjithnjë i tillë, me të gjithë qenien tënde, edhe kur mendon se nuk po të sheh njeri. Buzëqeshja dhe sjellja e mire janë kode universale.
Pra, edhe kur nuk e flet gjuhen e dikujt, ki parasysh se fjalët jane vetëm 30 për qind e mjeteve që ke në dispozicion. Ti duhet të përpiqesh që tjetri të mund të 'dëgjojë' mendimet e tua dashamirëse me sy.
Profeti Muhamed u dërgua te një popull që kishte oratorë të shkëlqyer, u dërgua te njerëz krenaria e të cilëve ishte elokuenca. Megjithatë, ai i shtoi një dimension të ri e më të thellë elokuencës; kjo është heshtja elokuente, ku veprimet janë ato që flasin.