Kreditimi konsiderohet ndër shërbimet dhe aktivitetet më të rëndësishme në bankat konvencionale, sepse banka në thelbin e saj është një tregtar krediti, i cili fiton interesin e mbetur nga dallimi në mes kredi-marrjes (deponimet) dhe kredi-dhënies.
Bankat islame ofrojnë të gjitha shërbimet bankare, të cilat i ofrojnë bankat konvencionale, por me kushte dhe rregulla, të cilat i shmangen kamatës dhe nuk bien ndesh me dispozitat e përgjithshme të sheriatit, prej tyre:
1. Koleksionimi i letrave komerciale, sikurse janë kambialet, të cilat klienti ia ofron bankës për të marrë vlerën e tyre në datën e caktuar, shërbim ky për të cilin banka merr një komision të caktuar, gjë e cila pajtohet me dispozitat e autorizimit me pagesë (komision).
2. Kartelat e kreditit ose të debitit
Janë karta plastike me karakteristika të veçanta dhe të dhëna personale të individit, të cilat përdoren për të blerë artikuj ose shërbime në pikat shitëse, ose për të tërhequr të holla nga aparatet përkatëse.
3. Garancia bankare (dëshmia garantuese) është një marrëveshje me shkrim nga banka me kërkesë të një klienti (blerësi) për të paguar një shumë të caktuar të parave posa ta kërkojë shitësi atë nga banka (klientit) brenda një periudhe të caktuar. Ka disa lloje dëshmi garantuese, si: dëshmi garantuese fillestare, dëshmi përfundimtare, dëshmi garantuese për pagese paradhënie.
Një garanci bankare i mundëson klientit (debitorit) për të blerë mallra, pajisje etj., dhe në këtë mënyrë ndihmon zgjerimin e aktivitetit të biznesit. Me fjalë të tjera, nëse debitori nuk arrin të shlyejë një borxh, banka do ta mbulojë atë.
Për sa i përket komisionit që merr banka islame për këtë garanci është diskutuar disa herë për këtë në simpoziumet e ndryshme dhe janë dhënë vendime të ndryshme rreth pikave të lejuara dhe të ndaluara rreth kësaj garancie, por dijetarët janë përfundimisht unanimë, se komisioni që merret për këtë transaksion është i lejuar, nëse është në kompensim të shërbimeve administrative, edhe pse ka mendime të tjera dhe dispozita të tjera rreth kësaj lloj garancie dhe se kush është baza e tij në fikhun islam
4. krediti dokumentar
Kredia Dokumentare: është një premtim nga banka në favor të klientit për t’i paguar eksportuesit vlerën e mallrave të ngarkuara (cargo) në këmbim të dokumenteve që vërtetojnë se ngarkimi (cargo) është kryer.
Banka islame këtë transaksion e kryen në dy forma:
a. Kur klienti ia dorëzon bankës të tërë pagesën, kurse banka e merr përsipër pagesën e mallit në valutën përkatëse kundrejt eksportuesit dhe kjo konsiderohet një shërbim për të cilën bankës i paguhet komision.
b. Kur banka e zbaton këtë si financim i një projekti të caktuar pasi klienti të ketë dhënë një sasi të caktuar nga shuma e përgjithshme, dhe kjo realizohet si një nga format e financimit islam, si murabaha, mushareke etj.
5. transferta monetare (suftuxheh)
Është një nga shërbimet e ofruara nga banka për klientët e saj duke transferuar paratë nga një vend në një tjetër brenda ose jashtë, dhe Banka Islame merr një komision për këtë shërbim.
6. Llogaria rrjedhëse është mundësia e klientit për të depozituar paratë e tij në bankë me mundësi tërheqje të tyre të pjesshme ose totale në çdo kohë. Bankës Islame i takon t’i investojë ato depozitime në emër të huas së mirë (el-kard el hasen), si dhe ajo mban të tërë përgjegjësinë e fitimit dhe humbjes dhe në atë moment që klienti kërkon tërheqjen e parave banka ia mundëson atë pa i shtuar apo pa i munguar gjë.
7. Këmbimi valutor
Këmbimi i valutave është një ndër transaksionet më të shpeshta të bankave islame dhe me këtë asaj i takon fitimi i dalë nga këmbimi i valutave të ndryshme në bazë të dallimeve në bursën botërore, qoftë duke i shitur apo duke i blerë valutat e huaja. Prej rregullave kryesore të këmbimit valutor është që valutat e ndryshme mund të këmbehen me kusht që këmbimi të bëhet në vendin e ngjarjes (dorë më dorë ose direkt në llogari) e jo të ketë vonim në mes të dy këmbimeve, sepse kjo është e ndaluar rreptësisht.
8. Huaja (kredia) e mirë (el-kard el-hasen)
Kreditimi konsiderohet ndër shërbimet dhe aktivitetet më të rëndësishme në bankat konvencionale, sepse banka në thelbin e saj është një tregtar krediti, i cili fiton interesin e mbetur nga dallimi në mes kredi-marrjes (deponimet) dhe kredi-dhënies.
Kredia në bankën islame është pa interes, por banka islame merr një shumë simbolike të caktuar (statike) në emër të shërbimeve administrative, e jo përqindje në bazë të sasisë së kredisë apo kohës së saj. Sigurisht që kjo është një barrë për bankën islame, sepse ajo në këtë rast po përdor paratë pa kthim fitimprurës, si dhe rreziku që i kanoset nga moskthimi në kohë i disa kredive. Prandaj kreditimi në Bankat Islame është veprimtari sekondare dhe e kufizuar, por këtë e kompenson ajo që Banka Islame e jep në emër të huas së mirë, si dhe fondi të Zekatit.
9. Kasafortat bankare
Bankat e ofrojnë këtë shërbim për klientët e tyre në mënyrë që klienti të ketë në dispozicion një kasafortë të sigurt në të cilën do të ruante gjëra me vlerë. Banka islame për këtë shërbim merr pagesë (në emër të qiradhënies së kasafortës) dhe kjo ndryshon varësisht nga lloji i kasafortës, madhësia e saj, koha e shfrytëzimit etj.
10. Menaxhimi i pronave
Ky shërbim është relativisht modern në shërbimet e ofruara nga bankat për klientët e tyre, në një përpjekje për të përfituar sa më shumë klientë dhe për t’i shërbyer sa më shumë që kanë nevojë klientët. Ky shërbim sjell interesin reciprok për bankën dhe klientin. Këtu Banka mund të marrë një pagesë prej klientit të saj për një shumë të caktuar, ose me përqindje nga fitimet e realizuara në menaxhimin e këtyre pronave .
11. Autorizimi
Banka islame në shumë aktivitete mund të luajë rolin e agjentit (të autorizuarit nga klienti) për kryerjen e transaksioneve të ndryshme dhe për këtë ajo paguhet nga klienti. Prej veprimeve që ajo kryen nën këtë nocion është themelimi i kompanive, blerja dhe shitja e aksioneve, regjistrimi i aksioneve me rastin e hapjes së kompanive aksionare, marketingu i produkteve dhe shërbimeve të ndryshme, shitblerja në emër të klientit, ndërmjetësimi në bursat botërore etj.
12. Ofrimi i konsultave financiare dhe i studimeve ekonomike
Banka islame iu ofron klientëve të saj përvojën financiare, studimet ekonomike dhe konsultë teknike për projekte të ndryshme, të cilat kanë nevojë, gjë për të cilën ajo paguhet sipas marrëveshjes.
13. Pagesa e detyrimeve
Banka islame pranon pagesat e klientëve, të cilat janë detyrime qytetare të ndryshme ndaj organeve shtetërore dhe private, si faturat e rrymës dhe të telefonit, gjobat e ndryshme, këste të ndryshme, donacione ndaj shoqatave të ndryshme, abonimet e revistave, klubeve, rezervimi i biletave, hoteleve, shpërndarja e rrogave të punëtorëve të ndonjë ndërmarrje etj.
14. Zbatimi i testamenteve dhe ndarja e trashëgimisë
Banka islame në shërbim të klientëve (mund të) merret edhe me zbatimin e testamenteve, si dhe ndarjen e pasurisë së klientit të vdekur trashëgimtarëve meritorë në bazë të rregullave dhe dispozitave të sheriatit islam. Banka këtë mund ta bëjë në mënyrë vullnetare, si besnikëri ndaj klientit, por edhe mund të kërkojë një pagesë të caktuar kundrejt shërbimit jo të domosdoshëm ndaj klientit. Këto pra ishin shërbimet kryesore, të cilat ua ofron banka islame klientëve të saj, në mënyrë që të jetë në një hap me kohën dhe t’u mundësojë klientëve të gjitha shërbimet e mundshme financiare, duke mos u ndeshur aspak me Ligjin e Allahut të Lartësuar.