Gostivari, qytet i dëshmuar për pritjen e miqve me bujarinë dhe me mjeshtërinë e gatimit. Kjo traditë është përcjellur dhe kultivuar me finesë për shumë vite me radhë. Për të mos u venitur përgatitja e ushqimeve brumore me ujin e freskët të Vardarit, pjekur në prush e saç dhe servirur në sofra druri, Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Grupin për zhvillim rural, ndërmorën iniciativë për promovimin e kulturës gostivarase në gatim dhe ngjashëm.
Me këtë rast, Zyra për implementimin e projekteve pranë Komunës se Gostivarit dhe Lidhja e Gruas Shqiptare-Dega në Gostivar, më datë 06.08.2010 (e premte) me fillim në orën 17:00 në sheshin e qytetit, organizon manifestimin kulturor "Dita e piteve".
Me këtë rast do të serviren ushqimet tradicionale gostivarase me përbërje brumore, recetat e të cilave do të mund t'i merrni me vete si materiale promovuese.
Sofra gostivarase do të pasurohet me ushqimet e kuzhinës gostivarase për përgatitjen e të cilave do të përkujdesen nikoqire të përzgjedhura.
Për kultivimin e traditave të qytetit të miqësisë do të përkujdesen edhe shoqëritë kulturore artistike të vendit, të cilat do tëkenë hapësirë performuese për ekzekutimin e këngëve, instrumentaleve folklorike dhe valleve të vjetra.
Kënde të hapësirës promovese do të rezervohen edhe për kompanitë ushqimore të rajonit të cilat do të prezantojnë produktet e tyre dhe do të shpërndajnë materiale propaganduese. Manifestimi do te jete atraktiv edhe për grupmoshat e reja për zbavitjen e të cilëve do të përkujdeset grupi "XXL Band".
Mjetet e grumbulluara vullnetarisht nga ana e qytetarëve shkojnë për fëmijët e dëshmorëve të flamurit.