Ramazani-Mysafiri yt
Më lejo që ta prezentoj vetveten edhe pse ndoshta të kujtohem sepse të vizitoj çdo vjet nga një herë. Unë jam Ramazani.
Falënderimi i takon Allahut, ndërsa lutjet dhe përshëndetjet tona qofshin për të Dërguarin e zgjedhur, familjen dhe shokët e tij të ndershëm. O agjërues i nderuar, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty. Më lejo që ta prezentoj vetveten edhe pse ndoshta të kujtohem sepse të vizitoj çdo vjet nga një herë. Unë jam Ramazani. E shoh për obligim të të njohtoj me vetveten edhe pse ti ndoshta me njeh, mirëpo ka njerëz të cilët, për fat të keq, nuk më njohin aq mirë dhe më konsiderojnë prej mysafirëve të rëndë dhe me padurim e presin largimin tim duke m'i numëruar ditët. Ku janë ata të cilët gëzohen me ardhjen time, të cilët e lusin Allahun që t'ua mundësojë agjërimin në këtë muaj? Ata e dinë mirë se sa muaj madhështor jam, e dinë vlerën e adhurimeve në këtë muaj, andaj edhe bëjnë gara në vepra të cilat i afrojnë tek Allahu. Ata janë të bindur se në këtë muaj Allahu ka përgatitur shpërblime të cilat nuk i gjejnë në muajt tjerë dhe prandaj nuk është për t'u habitur pse këta njerëz gëzohen me ardhjen time ashtu siç gëzohet i përmalluari i cili së shpejti do të bashkohet me atë të cilën e do. O agjërues, dije se prej mirësisë së Allahut është që Ai ta mundësoi agjërimin në këtë muaj. Ka shumë njerëz të cilët ishin të gjallë dhe gëzoheshin me mirësitë e Ramazanit vitin e kaluar, por nuk arritën që të gëzohen me të edhe këtë vit. Andaj falenderoje Allahun për këtë mirësi dhe dije se ndoshta ky është rasti i fundit i cili nuk do të përsëritet. Dyert e hajrit në këtë muaj janë të shumta. Ato t'i përkujtojmë disa gjëra:
1. Kush agjëron dhe falet në këtë muaj me besim duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bërë më parë. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë:"Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bërë më parë". Gjithashtu ai thotë: "Kush ngrihet për t'u falur në muajin e Ramazanit me besim duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bërë më parë".
2. Në këtë muaj është nata e Kadrit e cila është më e mirë se një mijë muaj, ndërsa ibadeti në të është më i vlefshëm se ibadeti i cili bëhet brenda një mijë muajve (më tepër se tridhjetë e tre vjet). Kush falet në këtë natë, i falen mëkatet që i ka bërë më parë. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë: "Kush ngrihet për t'u falë natën e Kadrit me besim duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bërë më parë".
3. Në këtë muaj muslimanët tubohen për ta falur namazin e natës (teravinë). Ai i cili falet me imamin derisa ai të largohet, i shkruhet sikur të ishte falur tërë natën. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë:"Kush falet me imamin deri sa ai largohet, i regjistrohet sikur të jetë falur tërë natën." (Transmeton Nesaiu).
4. Në këtë muaj shpërblimi i atij që bën umre është sikur shpërblimi i haxhit. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë:"Umreja e cila kryhet në muajin e Ramazanit, e ka shpërblimin e haxhit." (Transmeton Buhariu).
5. Në këtë muaj Allahu i pranon duatë e besimtarëve, andaj kij kujdes dhe shfrytëzoje kohën duke e lutur Allahun për të mirat e kësaj bote e në veçanti për begatitë e xhenetit. Mos e harro duanë në kohën e iftarit, sepse kjo është kohë në të cilën Allahu e pranon duanë. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë: "Tri dua janë të pranuara: duaja e agjëruesit, duaja e atij që i është bërë padrejtësi dhe duaja e udhëtarit." (Transmeton Bejhakiu).
6. Dëgjo edhe për këtë derë të hajrit! Kjo është dhënia iftar agjëruesit. Pse po e harron këtë vepër të mirë edhe pse e di se ai i cili i jep iftar agjëruesit e ka shpërblimin e njëjtë. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë:"Kush i jep iftar agjëruesit e ka shpërblimin e njëjtë sikur agjëruesi duke mos iu pakuar shpërblimi as vetë agjëruesit." (Transmeton Tirmidhiu). Lidhur me këtë, të përkujtoj, vëlla i dashur, se ka mijëra muslimanë të cilët nuk gjejnë ushqim për iftarin e tyre, andaj mos i harro edhe këta! Gjithashtu dije se veprat e këqija në këtë muaj janë të rrezikshme, posaçërisht në këto ditë të bekuara, në këto net të ndershme, prandaj kij kujdes dhe largohu prej të gjitha mëkateve dhe shpejto me pendim që të mos jesh prej atyre që e kanë dështuar duke mos e shfrytëzuar këtë muaj të bekuar. I Dërguari [salallahu alejhi ve selem] thotë: "Ka dështuar ai i cili e arrin muajin e Ramazanit dhe ky muaj nuk i bëhet shkak për faljen e mëkateve." (Transmeton Tirmidhiu). Përsëri të përkujtoj, pendohu dhe kërko falje për mëkatet tua! Allahu në Librin e tij thotë thotë: "Pendohuni të gjithë te Allahu o besimtarë në mënyrë që të gjeni shpëtim." (En Nur; 31). Mundohu vazhdimisht ta mbushësh kohën tënde me vepra të mira, siç është leximi i Kuranit, leximi i asaj që të bën dobi. Përkujtoje vazhdimisht Allahun dhe mos e harro bamirësinë ndaj prindërve! Vizitoje farefisin dhe këshilloi ata! Bëhu bujar dhe ndihmoi të varfërit dhe të nevojshmit! Mos e harro thirjen në rrugë të Allahut, sepse ditët e këtij muaji janë pak! Ato ditë shumë shpejt largohen dhe vijnë ditë të reja të cilat thonë: "O biri Ademit, unë jam ditë e re, dëshmitare për veprat tua, andaj furnizohu me vepra të mira, sepse unë largohem dhe nuk kthehem deri në Ditën e Gjykimit. I gëzuar është ai i cili shpejton në vepra të mira duke kërkuar falje për mëkatet. Allahu xh.sh. thotë: "Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës i përgaditur për ata që i besuan Allahut dhe të dërguarve të tij. Ajo është dhuntia e Allahut që ia jep kujt të dojë e Allahu është dhurues i madh." (El Hadid; 21). Kij ndërmend fjalën e Allahut: "Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiejve e e tokës i përgatitur për të devotshmit.". Pas kësaj më lejo të të njohtoj me disa gjëra të cilat do të ndihmojnë që t'i kalosh ditët dhe netët e këtij muaji të bekuar me më tepër ibadete. Prej këtyre gjërave është vendosmëria e sinqertë, durimi, përkujtimi i vdekjes dhe garimi në vepra të mira me vëllezërit muslimanë. Vepro ashtu që të jesh musliman më i mirë pas Ramazanit e jo më i dobët dhe mos u bën prej atyre të cilët i kthehen mëkateve pas këtij muaji të bekuar! Sa rob i keq është ai i cili nuk e njeh Zotin e vet jashtë këtij muaji! Para se të përfundoj, të përgëzoj, o agjërues i dashur, me fjalët e Allahut i cili thotë: "E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhenete në të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: "Ky është që me të u ushqyem dhe më parë". Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm. Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë." (El Bekare; 25). Të përgëzoj, sepse Zoti yt është mëshirues i Cili e pranon veprën e vogël dhe shpërblen për të me shpërblim të madh. Ai i falë mëkatet dhe është më i mëshirshëm për ty se nëna për fëmijën e saj. Të përgëzoj, sepse në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit. Në fund të them: Nëse nuk arrin që t'i shfrytëzosh këto ditë të bekuara dhe këto net madhështore, mos e akuzo askënd, pos vetvetes, sepse me të vërtetë ke humbur një rast të madh që të shpërblehesh me shpërblime të mëdha për vepra të pakta. Unë mbetem me shpresë se përsëri do të takohemi me ty vitin e ardhshëm nëse do të jesh gjallë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty.