Dhe vjen një muaj!
Mirëserdhe Ramazan! Ta urojnë këtë mirëseardhje të gjithë muslimanët në të gjithë botën, por veçanërisht ta urojnë ne muslimanët e trevave shqiptare...
Mirëserdhe muaj i mirësive të mëdha! Mirëserdhe muaj i shpresës!
Të pritëm me padurim dhe ja, ti erdhe... Erdhe dhe barte me vete begatitë e mëdha që Krijuesi i ka përgatitur për robërit e Tij.
Zoti ynë na bëj ne prej robërve të tu të sinqertë!
Dhe vjen një muaj kur trupi humbet rëndesën e vet, bëhet i paaftë për të caktuar kufij me lodhje, kotje, uri, etje apo...
Ne të rinjtë muslimanë në këtë muaj do të përpiqemi (dhe inshalla do ta realizojmë), që gjatë këtij muaji gjuha jonë të laget duke përmendur All-llahun - subhanehu ve teala-. Veshët tanë do të dëgjojnë vetëm fjalët që i do All-llahu - subhanehu ve teala-. Syri ynë do të shohë vetëm gjërat që i do All-llahu, dhe ç`është më e rëndësishmja, ai do të lotojë vetëm për All-llahun - subhanehu ve teala-...
Por ama, jo të gjithë mendojnë dhe veprojnë kështu... Fatkeqësisht ka nga ata që e kanë harruar se ky është muaj i madhërueshëm, se është muaji “Ramazan”... Por ka edhe nga ata të cilët e kanë humbur krejtësisht sensin e kohës, koha kaloi mbi ta duke fshikur mbi trupin e tyre si mbi një kufomë krejt të pashpresë!
Andaj vëlla i dashur kërkoj prej teje që të përfitosh nga mirësitë e mëdha që sjell ky muaj, ashtu siç kërkon Krijuesi yt e i këtij muaji të bardhë...! Dhe mos harro se kjo botë do të kalojë, do të kalojnë edhe mërzitë edhe gëzimet që ke përjetuar në këtë jetë. Jeta do të përfundojë, sado e gjatë që të jetë. Kurse njerëzit do të kthehen, edhe ti je njëri prej tyre, te Zoti i tyre. Sa njerëz e kanë pritur Ramazanin me shpresë të madhe, mirëpo i befasoi exheli... Prandaj mundohu që t`i shtosh veprat e mira në këtë muaj të bardhë dhe hap një faqe të re me Krijuesin tënd. Më fal vëlla i dashur, se desh harrova të të them se, në këtë muaj hapen dyert e Xhennetit (Parajsës), mbyllen dyert e Xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët e inatosur.
All-llahu - subhanehu ve teala- në këtë muaj ka një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj...
Dhe vjen një muaj për të pastruar ty nga gjynahet e shumta dhe për t`i hapur dyert e Xhennetit, që shumë po i ëndërrojmë...